Bashkëpunime me Shoqërinë Civile

Kontrolli i Lartë i Shtetit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Qëndresa Qytetare”

Në datën 8 maj 2018, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së, përfaqësuar nga Kryetari z. Bujar Leskaj dhe organizatës “Qëndresa Qytetare”, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv i saj, z. Rigels Xhemollari.

Gjatë fjalës së tij, z. Rigels Xhemollari, Drejtori Ekzekutiv i kësaj organizate falenderoi Kryetarin e KLSH z. Leskaj dhe vlerësoi  KLSH-në, për  transparencën dhe hapjen e saj ndaj shoqërisë civile. 

qendresa1

Ai theksoi se fokusi i  organizatës që drejton është arsimi i lartë publik, ndaj organizata  Qëndresa Qytetare do  të informojnë Kontrollin e Lartë të Shtetit për rastet e korrupsionit dhe të mungesës së transparencës në administratën shtetërore, veçanërisht në institucionet e arsimit të lartë publik.

Ajo  do të përcjellë në vëmendje të komunitetit, të shoqërisë civile dhe të opinionit publik të vendit rastet e korrupsionit apo mashtrimit financiar të zbuluara dhe të raportuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Gjithashtu z. Xhemollari e vlerësoi KLSH si një nga partnerët më prestigjioz, në luftën e përbashkët kundër korrupsionit

Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj vlerësoi seriozitetin dhe ambicien  e kësaj organizate, që përbëhet nga të rinj, të cilët me vendosmëri dhe guxim kanë hyrë në tregun shqiptar të ideve, duke u ndjekur me interes nga publiku dhe duke ndikuar në rritjen e llogaridhënies dhe të transparencës së veprimtarisë së institucioneve publike.

qendresa2

Marrëveshja do të ketë përfitime të dyanshme, nga njëra anë, ekipi i organizatës Qëndresa Qytetare do të njihen me auditimet, gjetjet dhe rekomandimet e një institucioni të pavarur kushtetues si KLSH dhe nga ana tjetër, audituesit e KLSH-së do të përfitojnë nga kurajo e këtyre të rinjve për të denoncuar, si edhe nga ndjeshmëria që ka opinioni qytetar ndaj veprimtarëve të kësaj organizate, të cilët kanë treguar vlera gjatë kësaj kohe të aktivizimit të tyre në jetën shoqërore të vendit.
 
KLSH do të garantojë një bashkëpunim serioz, që i do ti sjellë punës tonë freski. Auditimi është  kulturë më vete, duke u mbështetur në moton “Nga eksperienca  e përbashkët fitojnë të gjithë”, KLSH do ti përgjigjet me profesionalizëm dhe seriozitet kërkesave të organizatës Qëndresa Qytetare. KLSH ka realizuar disa auditime në fushën e arsimit publik. Për sa i përket transparencës KLSH ka qene  një hap përpara duke ngritur problemin e Doktoraturave dhe audituar disa prej Universiteteve publike në vend.