Raporti vjetor i performances 2013

Raporti Vjetor i Performancës 2013, Rezoluta e Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe Plan Veprimi Zbatimi i Rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë

Gjatë vitit 2013, KLSH për realizimin e misionit të tij kushtetues është fokusuar në dy kolona kryesore, në Strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së 2013-2017, (2013-a ishte viti i parë i zbatimit të saj), si dhe në moton e Kongresit INCOSAI XXI të INTOSAI, të zhvilluar në Pekin, që auditimi kombëtar të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare, për përmirësimin e menaxhimit publik financiar të vendit.

Sikurse standardet ndërkombëtare INTOSAI të fushës e kërkojnë me forcë, zbatimi i qëllimit strategjik të KLSH “Ngritja e kapaciteteve audituese”, i njëjtë me objektivin e parë të Strategjisë së INTOSAI 2011-2016 dhe Strategjisë së EUROSAI 2011-2017, ka nënkuptuar auditime në sasi dhe cilësi.

Nën këndvështrimin e misionit të formuluar në Deklaratën e Pekinit, që“SAI-t (institucionet supreme të auditimit) do të vazhdojnë të shërbejnë shoqërinë dhe publikun, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e qeverisjes kombëtare, forcimin e demokracisë, përmirësimin e shtetit ligjor, duke luftuar korrupsionin, ruajtur sigurinë kombëtare dhe duke nxitur reforma”, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare(në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) më shumë se një vit më parë, ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, ka propozuar ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore, ka bërë kallzime penale për nëpunës të Shtetit, kryesisht punonjës të lartë dhe të mesëm të administratës publike.