Baza ligjore

Gjatë viteve 1997-2000, në sajë të një reforme të thellë institucionale, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) bëri ndryshime rrënjësore për forcimin dhe konsolidimin e tij institucional, në të cilat u përcaktuan qartë roli, mandati, objekti dhe marrëdhëniet e KLSH-së me Parlamentin, Qeverinë dhe institucionet e tjera.

Në vitin 2000, në ligjin nr.8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” u bën disa shtesa dhe ndryshime. Me ligjin nr.8599, datë 10.04.2000, u përcaktua se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomiko-financiar në Republikën e Shqipërisë”.

Legjislacioni për auditimin publik në Shqipëri përbën një hap tepër të rëndësishëm për pavarësinë dhe kompetencat KLSH-së, në përmbushje të parimeve të Deklaratës së Limës, tetor 1977 Peru, akti që ndryshoi botën e auditimit më të lartë shtetëror; si dhe të kërkesave që kanë standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t.

Në vitin 2014, me qëllim përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, u hartua me mbështetjen e DG Budget, SIGMA-s dhe Delegacionit të BE në Tiranë ligji i ri nr.154/2014, datë 27.11.2014 “Mbi organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Në këtë ligj përcaktohet se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i auditimit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë, i cili i ushtron kompetencat e tij duke iu nënshtruar Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një organ i depolitizuar dhe departizuar”.