Bashkëpunime me Shoqërinë Civile

KLSH, marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Certifikimin e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës

Më date 6 tetor 2016, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF), përfaqësuar respektivisht nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Drejtori Ekzekutiv, z.Bujar Krasniqi.

foto njoftimi (1)

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të rritjes së standardeve profesionale në auditim, nëpërmjet trajnimeve, workshopeve e aktiviteteve të tjera të përbashkëta dhe mbështetet në Moton e INTOSAI-t, “Experientia Mutua Omnibus Prodest”(Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë). Kryetari, z.Bujar Leskaj theksoi se KLSH e konsideron pjesë integrale të punës së saj bashkëpunimin me OJQ-të dhe shoqatat e profesionistëve të fushave të ndryshme, duke numëruar rreth 23 marrëveshje me institucione të tjera shtetërore, OJQ dhe organizata të profesionistëve të fushës. Në këtë kuadër, kreu i KLSH u shpreh se profili i IKAF-it, si një institut i kontabilistëve dhe i audituesve, i jep nuanca të veçanta bashkëpunimit në shkëmbimin e eksperiencës dhe ekspertizës, duke i ftuar ekspertët e IKAF-it që të angazhohen si lektorë për trajnimin e audituesve shqiptarë. Në përfundim, Kryetari, z. Bujar Leskaj, nënvizoi se KLSH synon që marrëveshja të kristalizohet me bashkëpunime konkrete përmes Konferencës Shkencore dhe Revistës së KLSH-së “Auditimi Publik” si dhe në angazhimin e ekspertëve të IKAF-it në auditime të përbashkëta me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
Nga ana e tij, z. Bujar Krasniqi, u shpreh se Kontrolli i Lartë i Shtetit përfaqëson një institucion me një eksperiencë të gjatë dhe se marrëveshja e bashkëpunimit do të jetë tepër produktive për institutin që ai drejton. Z.Krasniqi u shpreh besimplotë se bashkëpunimi do të jetë tepër aktiv dhe e konsideroi vlerë për IKAF-in nënshkrimin e marrëveshjes me KLSH duke shtuar se do të ketë në fokus shkëmbimin e eksperiencës dhe ekspertizës nëpër trajnimeve dhe aktiviteteve në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe financave. Në përfundim të fjalës së tij, Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it falënderoi KLSH-në për kujdesin që tregon në diversifikimin e bashkëpunimit me institucione dhe OJQ të Kosovës.
Në këtë takim morën pjesë drejtues e auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe specialistë të Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa.