Bashkëpunime me Shoqërinë Civile

Kontrolli i Lartë i Shtetit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Albanian Platform for Policy Advocacy”

 

Në datën 22 prill 2016, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe organizatës jo-fitim prurëse  “Albanian Platform for Policy Advocacy” (Platforma Shqiptare për Advokimin e Politikave)”, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv i saj, z. Brenton Kotorri.

dsc_0666

KLSH gjatë viteve të fundit ka rritur bashkëpunimin me organizata të shoqërisë civile dhe organizata të profesionistëve të fushës së Ekonomisë, duke arritur në 22 marrëveshje bashkëpunimi, si rezultat i të cilave ka pasur produkte dhe rezultate konkrete.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj vlerësoi seriozitetin dhe ambicien  e kësaj organizate, që përbëhet nga të rinj të moshës 18-30 vjeç, të cilët me vendosmëri dhe guxim kanë hyrë në tregun shqiptar të ideve, duke u ndjekur me interes nga publiku dhe duke ndikuar në rritjen e llogaridhënies dhe të transparencës së veprimtarisë së institucioneve publike.

dsc_0670

Marrëveshja do të ketë përfitime të dyanshme, nga njëra anë, veprimtarët e “Platformës Shqiptare për Advokimin e Politikave” do të njihen me auditimet, gjetjet dhe rekomandimet e një institucioni të pavarur kushtetues si KLSH dhe nga ana tjetër, audituesit e KLSH-së do të përfitojnë nga kurajo e këtyre të rinjve për të denoncuar si edhe nga ndjeshmëria që ka opinioni qytetar ndaj veprimtarëve të kësaj organizate, të cilët kanë treguar vlera gjatë kësaj kohe të aktivizimit të tyre në jetën shoqërore të vendit. 
Nga ana e tij, z. Brenton Kotorri, Drejtori Ekzekutiv i kësaj organizate vlerësoi transparencën e KLSH-së dhe hapjen e saj ndaj shoqërisë civile. Ai theksoi se organizata që ai drejton po rritet shpejt, në sajë të besimit që kanë fituar tek qytetarët sepse ata janë përpjekur që me analizat dhe publikimet e tyre profesionale të mbushin boshllëkun që kishte në tregun shqiptar, për ti thënë dhe evidentuar problemet, qartë, pa ekuivoke dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke peshuar faktet drejt dhe me paanësi. Gjithashtu z.Kotorri e vlerësoi KLSH si një nga partnerët më prestigjioz, në luftën e përbashkët kundër korrupsionit.
Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të “Albanian Platform for Policy Advocacy” dhe drejtues e auditues të KLSH-së.