Bashkëpunime me Shoqërinë Civile

KLSH dhe SHKFSH nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Në datën 24 nëntor 2014, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH).

marr

KLSH vlerëson shumë bashkëpunimin me Shoqatat e Profesionistëve dhe kjo marrëveshje me SHKFSH vjen pas nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucione homologe në Shqipëri, si me Institutin e Eksperteve Kontabël të Autorizuar  (IEKA), Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit (KKK) dhe Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK), duke e kthyer bashkëpunimin me këto shoqata të qëndrueshëm dhe në linja konkrete.
Kryetari i KLSH-së, Z.Leskaj theksoi rëndësinë qe ka bashkëpunimi me këtë shoqatë që drejtohet nga Prof.Dr.Sherif  Bundo, qe ka rreth 6000 anëtarë dhe që është më e vjetra e profesionistëve të fushës. Jam i bindur-vijoi z.Leskaj-që produktet e bashkëpunimit do të jenë konkrete dhe që SHKFSH do të angazhohet me specialistët e saj në procese monitorimi për çështje të caktuara të aktivitetit auditues të KLSH-së.
Ne zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet në realizimin e  aktiviteteve të ndryshme me SHKFSH, të tilla si trajnime, takime konsultative, tryeza të rrumbullakta, workshop-e, seminare etj, aktivitete këto që synojnë rritjen e cilësisë së punës së stafit të KLSH dhe pjesëmarrjen e SHKFSH nëpërmjet ekspertizës së kualifikuar në trajnime të ndryshme për auditimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë.
Kryetari i SHKFSH, Prof.Dr. Sherif Bundo vlerësoi shumë bashkëpunimin me KLSH-në, në të cilin shikon shumë pika të përbashkëta me interes të dyanshëm dhe që përputhen me misionin dhe vizionin e KLSH-së.
Zoti Bundo nënvizoi gjithashtu që bashkëpunimi do të realizohet duke angazhuar specialistët dhe profesionistet më të mirë dhe në Këshillin e Përgjithshëm të SHKFSH ka 18 profesorë me titull, të cilët do të jenë pjesë e këtij bashkëpunimi për çështje të caktuara.
KLSH, theksoi z.Bundo, nuk është më një Bunker, por një institucion i hapur dhe transparent që bashkëpunon me shume OJF dhe organizata të profesionistëve të fushës me qëllim përmirësimin e qeverisjes.
Në këtë takim morën pjesë edhe drejtues të KLSH-së dhe Prof.Dr. Agim Binaj i SHKFSH.