Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Kurbin

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Kurbin

Nga auditimi i ushtruar në Bashkinë Kurbin me objekt “Mbi auditimin financiar dhe të përputhshmërisë”, për periudhën 01.07.2019 deri më datë 30.06.2020, mbi shkallën e zbatueshmërisë nga subjekti të rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, u konstatuan të meta dhe mangësi në funksionimin e disa komponentëve të sistemit të kontrollit të brendshëm, në auditimin e pasqyrave financiare; rezultuan devijime/shkelje nga kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi të rëndësisë materiale, efektet e të cilave justifikojnë dhënien e një opinion financiar të “kualifikuar”. Përsa i takon shkallës së zbatimit nga subjekti Bashkia Kurbin të kuadrit rregullator për fushën e prokurimeve publike, referuar kërkesave të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2016 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, janë konstatuar disa anomali materiale, por jo të përhapura, efektet e të cilave justifikojnë dhënien e një opinioni të kualifikuar për fushën e zhvillimit të procedurave.

Në 6 raste janë konstatuar shkelje të procedurave të kualifikimit, të cilat kanë sjellë kualifikim të operatorit fitues, i cili nuk plotëson kriteret dhe specifikimet e vendosura në DT, për pasojë ka sjellë paligjshmëri në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 507,544,731 lekë pa TVSh. Në 6 raste autoriteti kontraktor nuk ka hartuar procesverbal për argumentimin e fondit limit. Në 11 raste autoriteti kontraktor ka vendosur kritere jo në përputhje dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor për prokurimet publike. Në një rast autoriteti kontraktor ka skualifikuar operatorë ekonomikë nga vendosja e një kriteri të veçantë të pa argumentuar, dhe për pasojë ka sjell paligjshmëri në përdorimin e fondeve publike. Në 2 raste janë konstatuar pagesa për volume punimesh të pasqyruar në situacion, por të pa kryera në fakt, me pasojë dëm ekonomik. Vlera totale e dëmit ekonomik për Bashkinë Kurbin është në vlerën 6,565,405 lekë.

Me Vendimin nr.173, datë 19.10.2021, të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar i auditimit, ku janë rekomanduar  15  masa organizative, 2 masa administrative, 3 masa për shpërblim dëmi dhe 2 masa disiplinore.

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport përfundimtar i auditimit