Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Fushë-Arrëz

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Fushë-Arrëz

Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.868/1 prot., datë 01.09.2021, të miratuar nga Kryetari i KLSH, ushtroi auditimin “financiar dhe të përputhshmërisë” në subjektin Bashkia Fushë Arrëz, për veprimtarinë nga data 01.01.2019 deri në datën 31.12.2020, ku konkludoi me dhënien e “Opinionit të pamodifikuar” për pasqyrat financiare dhe u lanë rekomandimet dhe masat përkatëse.

Nga auditimi  për vitin 2019-2020, në Bashkinë Fushë-Arrëz ka fatura të pa likuiduara në vlerën totale 3,410,092 lekë, sipas bilancit 2020, që i përkasin shpenzimeve për energji elektrike, fatura ujësjellësi, likuidim interneti, posta, ushqimet për kopshte-çerdhe si dhe shpenzime investimesh në 4 raste, ku për këta të fundit ministria e linjës që ka financuar projektet nuk ka buxhetuar realizimin e plotë të këtyre objekteve te investimeve të cilat nuk përputhen me kërkesat e UMF nr.2, datë 6.02.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”.

Nga auditimi u konstatua se në pasqyrat financiare të vitit 2020 paraqitet llogaria “debitor të ndryshëm” për vlerën 271,246,057 lekë, për 23 subjekte fizike e juridike për detyrime të prapambetura kontraktuale dhe rekomandime të KLSH si dhe ndaj 97 personave për detyrime të ndryshme për taksa e tatime të pashlyera ndaj bashkisë të mbartura në vite. Bashkia Fushë Arrëz nuk ka dërguar urdhrat e bllokimit në adresë të bankave të nivelit të dytë për detyrimet e subjekteve debitore, nëpërmjet protokollit sipas ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Nga auditimi për vitin 2019-2020 konstatohet se janë likuiduar vendime gjyqësore për vlerën 3,995,202 lekë (bashk me tarifat përmbarimore), me ndikim negativ në buxhetin e njësisë, për dublim page për të njëjtin vend pune si rezultat i largimeve nga puna të 4 punonjësve, ndërsa Bashkia Fushë-Arrëz nuk ka nxjerrë përgjegjësinë dhe nuk ka marrë masa administrative ndaj personave përgjegjës, në kundërshtim me pikën 62 të UMF nr.2, datë 6.02.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”.

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Ndërtim i palestrës dhe ambienteve sportive, shkolla ‘70-Vjetori i Pavarësisë’, Fushë Arrëz”, të kryer sipas kontratës për punë publike nr.2186 prot., datë 15.07.2019, të lidhur midis Bashkisë Fushë Arrëz dhe sipërmarrësit “P.G. shpk & J.shpk”, me vlerë të kontratës 47,104,606 lekë me TVSH, dhe afat zbatimi 8 muaj nga data e fillimit të punimeve, rezultoi se nga verifikimi i pagesës në situacionin përfundimtar dhe librezës së masave, u konstatua pasaktësi dhe në këtë investim rezultoi se nuk argumentohet apo justifikohet vlera prej 1,185,166 pa TVSH, e përfituar nga sipërmarrësi, për punime të pakryera dhe të mbivendosura, ku disa zëra punimesh mund të ishin korrigjuar në periudhën e garancisë së punimeve e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e njësisë vendore.

 

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Rikonstruksioni i kanalit fshati Iballë, Nj.A. Iballë” është kryer sipas kontratës për punë publike nr.2378 prot., datë 31.07.2019, të lidhur midis autoritetit të Bashkisë Fushë Arrëz dhe operatorit ekonomik ose sipërmarrësit “P. G.” shpk. Vlera e kontratës është 28,957,314 lekë me TVSH. Afati zbatimit të kontratës është përcaktuar 8 muaj nga data e fillimit të punimeve. Nga verifikimi i pagesës në situacionin përfundimtar dhe librezës së masave, u konstatua pasaktësi dhe në këtë investim rezultoi se nuk argumentohet apo justifikohet vlera prej 2,631,616 lekë pa TVSH, e përfituar nga sipërmarrësi, për llogaritje të gabuara e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e njësisë vendore.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion për kontratën me objekt “Shërbime projektimi për projekte të financuara nga Bashkia Fushë-Arrëz, për vitin 2019”, konstatohet se në bazë të procedurës së prokurimit zhvilluar në datë 04.12.2019, në bazë të urdhrit të prokurimit nr. 366/2, datë 15.11.2019 me fondin limit në shumën 7,034,166 lekë pa TVSH, është shpallur fitues i tenderit BOE “A.S.” shpk & HMK. shpk & T.H.C. shpk”, i përfaqësuar nga “A.S.” sh.p.k dhe ka lidhur kontratën me Autoritetin Kontraktor me nr. 4199, datë 26.12.2019 në shumën 6,401,091 lekë pa TVSH dhe në shumën 7,681,309 lekë me TVSH për shërbime projektimi për 6 projekte. Afati i projektimit dhe dorëzimi i projekteve është 25 ditë, duke filluar në datën e lidhjes së kontratës 26.12.2019 deri në datën 25.01.2020. Nga auditimi rezulton se projektet janë marrë në dorëzim tej afatit të përcaktuar në kontratë për të cilën nga Bashkia Fushë Arrëz duhej të aplikoheshin penalitete sipas kontratës në shumën 4,455,096 lekë, e cila përbën të ardhura të munguara për buxhetin e njësisë vendore.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi 9 masa organizative, 3 masa për shpërblim dëmi dhe masa disiplinore ndaj 5 punonjësve me Vendimin nr.221, datë 28.12.2021 të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport përfundimtar i auditimit