Njoftim për shtyp mbi auditimin e zhvilluar në Bashkinë Pukë

Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1111/1, datë 01.11.2021, të miratuar nga Kryetari i KLSH, ushtroi auditimin “Financiar në subjektin Bashkia Pukë, për veprimtarinë nga data 01.01.2020 deri më 31.12.2020.

Nga auditimi, u dha “Opinion i pamodifikuar” me “Theksim çështjeje” për pasqyrat financiare, si dhe u lanë rekomandimet dhe masat përkatëse, konkretisht: 10 masa organizative, 1 masë për shpërblim dëmi dhe 5 masa për eleminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve dhe për menaxhimin me ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet të fondeve publike. Disa nga konstatimet kryesore janë vendosur më poshtë:

-Nga auditimi u konstatuan diferenca midis treguesve të hartimit dhe zbatimit të buxhetit, përsa i përket pjesës së të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera. Niveli i realizimit të treguesve të buxhetit varion në masën 57% deri 99%.

-Nga auditimi u konstatua se niveli i realizimit të investimeve të planifikuara paraqitet i ulët, ku për vitin 2020 është realizuar në masën 72%, ku nga vlera e planifikuar prej 97,867 mijë lekë është realizuar vlera 70,591 lekë me një diferencë prej 27,277 mijë lekë.

-Për vitin 2019të ardhurat nga 44,031 mijë lekë të planifikuara janë realizuar 19,969 mijë lekë ose 45%, pra me një mosrealizim në shumën 24,062 mijë lekë. Kryesisht, ky mosrealizim përbëhet nga deficiti i krijuar nga pandemia Covid-19, ndërsa për vitin 2020, të ardhurat nga 42,408 mijë lekë të planifikuara janë realizuar në masën 96%, 40,787 mijë lekë.

-Bashkia Pukë, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, më 31.12.2020 paraqitet si aksionare me 100% të aksioneve të Ujësjellës Kanalizime Pukë SHA me NUIS “K79121308S”, e cila është shoqëri aksionare me objekt “Shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm i konsumatorëve dhe shitja e tij”. Numri i aksioneve është 1,000 me vlerë nominale 137,779 lekë/aksion dhe kapital në vlerë monetare prej 137,779,000 lekë. Kjo vlerë e kapitalit me 100% aksione në pjesëmarrje të Bashkisë Pukë në “Ujësjellës Kanalizime Pukë SHA”, në asnjë rast nuk paraqitet në aktivet afatgjata financiare të bilancit kontabël 2020.

-Në fund të vitit 2020, llogaria 466 “Kreditorë për mjete në ruajtje”, paraqitet në vlerën 11,346,594 lekë, të cilat përfaqësojnë detyrime të Bashkisë ndaj subjekteve të ndryshme për garanci punimesh në objekte të ndryshme. Nga analiza e kësaj llogarie, konstatohet se: gjatë vitit 2020 Drejtoria e Financës ka të dokumentuar ngurtësimet në vlerën 11,346,594lekë për 36 subjekte. Shtesat janë në vlerën 2,723,431 lekë dhe likuidimet e kryera në vlerën 2,110,116 lekë për 3 subjekte. Sipas akt rakordimeve midis Bashkisë Pukë dhe degës së Thesarit Pukë, konstatohet se për 29 objekte të përfunduara dhe të marra në dorëzim nga Bashkia, në vlerën 9,188,341 lekë, nuk është bërë zhbllokimi i tyre.

-Për vitet 2019-2020 janë lidhur dhe zbatuar 11 kontrata në vlerën 108,626,177 lekë për blerje aktivesh materiale dhe jo materiale, si mallra apo projekte investimesh, të financuara nga buxheti i Bashkisë, ministritë e linjës dhe FZHR. Për këto kontrata nuk është kryer kontabilizimi i veprimeve ekonomike as në momentin e çeljes së fondeve, as në momentin e mbërritjes së faturave. Efektet e veprimeve ekonomike dhe të ngjarjeve ekonomike të kryera nuk janë marrë në llogari në kohën e kryerjes së veprimit apo të ndodhjes së ngjarjes, por thjesht kur është bërë pagesa.

-Llogaria 231 “Për aktive afatgjata materiale” më 31.12.2019 paraqitet në vlerën 153,198,003 lekë, në 31.12.2020 paraqitet në vlerën 168,337,577 lekë, e cila përfaqëson, vlerën e investimeve në proces të cilat nuk kanë përfunduar brenda vitit ushtrimor dhe do të kenë financime të tjera deri në përfundimin e tyre, kur ato të bëhen aktive dhe të kalojnë te llogaritë e klasës 2 “Aktive afatgjata materiale”.

-Nga verifikimi i taksave vendore për subjektet që tregtojnë hidrokarbure dhe derivatet e tyre, u konstatua se aktualisht në Bashkinë Pukë ushtrojnë aktivitetin 3 subjekte të cilat tregtojnë hidrokarbure, karburante. Vlera e papaguar prej 2,300,000 lekë, përbën dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë Pukë.

-Nga auditimi i dokumentacionit të disponueshëm në zyrën e taksave dhe tarifave vendore të Bashkisë Pukë, u konstatua se për vitin 2020 ka pasur gjithsej 38 kontrata me persona fizikë për përdorim të hapësirave publike, për një vlerë totale prej 441,524 lekë, nga të cilat janë pa likuiduar 2 subjekte, në vlerën 19,008 lekë, konkretisht A. B. dhe N. M. në vlerën 9,504 lekë secili. Vlera 19,008 lekë përbën mungesë të ardhurash për buxhetin e Bashkisë Pukë. Krahas hapësirave publike, Bashkia Pukë ka lidhur 17 kontrata me subjekte juridike, me afat nga 1 deri në 35 vjet, nga të cilët është pa likuiduar vlera totale prej 7,448,956 lekë, e cila përbën mungesë të ardhurash për Bashkinë Pukë. Nga kjo vlerë, subjekti E.U.shpk ka shlyer detyrimin gjatë vitit 2021. Rrjedhimisht, vlera debitore në fund të vitit 2020 ngelet 6,351,472 lekë.

-Nga auditimi, u konstatua se për vitin 2019 janë dhënë 17 leje legalizimi për 2,670.6 m2 ndërtim, me vlerë investimi prej 87,782,622 lekë, në vlerën e taksës prej 438,913 lekë, nga e cila është likuiduar vlera 136,050 lekë, duke mbetur pa shlyer 10 posedues të lejeve të legalizimit të një sipërfaqeje prej 1,842.8 m2, me vlerë 302,863 lekë, e cila përbën të ardhur të munguar për buxhetin e Bashkisë Pukë. Për vitin 2020 janë dhënë 12 leje legalizimi për 1,042.7 m2 ndërtim, me vlerë investimi prej 34,273,549 lekë, në vlerën e taksës prej 171,368 lekë, nga e cila është likuiduar vlera 96,836 lekë, duke mbetur pa shlyer 4 posedues të lejeve të legalizimit të një sipërfaqeje prej 453.5 m2 me vlerë 74,532 lekë, e cila përbën të ardhur të munguar për buxhetin e Bashkisë Pukë.

-Në bazë të përpunimit të të dhënave të regjistrit të taksave dhe tarifave si dhe të informacionit të vënë në dispozicion nga zyra e tatim-taksave vendore në Bashkinë Pukë, rezultoi se janë 90 subjekte debitorë nga biznesi. Numri dhe vlera e debitorëve nga biznesi (për taksat dhe tarifat vendore), krahasuar me vitin 2019 është ulur, nga 106 në 90 biznese, ndërsa vlera debitorë ka ardhur duke u rritur, nga 10,080,960 lekë që ishte në fund të vitit 2019 ka shkuar në 14,909,764 lekë në fund të vitit 2020. Vlera prej 14,909,764 lekë përbën mungesë të ardhurash për buxhetin e bashkisë Pukë.

-Për vitin 2019 nuk kanë paguar 397 familje, ndërsa për vitin 2020 nuk kanë paguar 490 familje, për një vlerë totale prej 1,001,460 lekë. Vlera prej 211,860 lekë, e cila vjen nga diferenca e familjeve që nuk paguajnë me familjet e përjashtuara me VKB nga pagesa e detyrimeve, përbën të ardhura të munguara për bashkinë Pukë, nga mosarkëtimi i taksave të familjarëve nëpërmjet agjentit tatimor Ujësjellës Kanalizime Puka Sh.A. Vlera prej 673,946 lekë, nga shuma e të ardhurave të planifikuara por të pa arkëtuara nga Njësitë Administrative Gjegjan, Qerret, Rrapë dhe Qelëz, për vitin 2020, përbën të ardhura të munguara për buxhetin e Bashkisë Pukë. Nga auditimi, u konstatua se me ligjin 7501 “Për tokën”, janë trajtuar me tokë bujqësore gjithsej 5,313 familje. Për periudhën 2015-2020, nga auditimi rezultoi vlera debitorë 4,597,864 lekë, e cila përbën të ardhura të munguara për buxhetin e Bashkisë Pukë. Kjo vlerë debitorë është e pakontabilizuar.

-Për periudhën objekt auditimi, nga subjektet që kanë zhvilluar aktivitet në fushën e ndërtimit, të pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Pukë, 8 prej tyre nuk kanë paguar detyrimet vendore në vlerën totale 260,000 lekë, e cila përbën të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë Pukë, ndërsa për 4 subjekte nuk ka informacion.

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport përfundimtar i auditimit