KLSH merr pjesë në takimin e XIV të Grupit të Punës së IT pranë Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Në datat 9-10 nëntor, u zhvillua takimi i XIV i grupit të punës së IT pranë EUROSAI-t në Tallin, Estoni.
Ky takim, i organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Estonisë, u zhvillua në një format hibrid duke kombinuar pjesëmarrjen fizike me atë online, të rreth 200 përfaqësuesve të 80 Institucioneve Supreme të Auditimit nga e gjithë bota.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga z. Aldo Kita, Drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe z. Benard Haka, Kryeauditues në Departamentin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit.

Në ditën e parë të takimit, më 9 nëntor, tema kryesore ishte: “Përgatitja për ndikim-SAI-et përcaktojnë rreziqet kibernetike”.
Siguria kibernetike ishte zgjedhur të ishte tema kryesore e seminarit, temë e cila ishte përcaktuar si një çështje me interes të veçantë nga të gjithë SAI-et anëtare të ITWG (Grupi i Punës së IT) nisur edhe nga fakti se shumë aspekte të jetës dhe proceseve të punës së qytetarëve po aplikohen gjithnjë e më tepër në të ashtuquajturën hapësirë kibernetike.
Seminari i ditës së parë dhe i gjithë takimi i XIV i ITWG u hap me fjalën përshëndetëse të Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Estonisë, z. Janar Holm.
Në vijim të seminarit të ditës së parë të takimit, përfaqësuesit e SAI-ve të Gjermanisë, Sllovenisë dhe Zvicrës prezantuan pranë grupit të punës eksperiencat e institucioneve të tyre në lidhje me auditimin e aspekteve të ndryshme të sigurisë kibernetike.
Pjesëmarrësit ndoqën gjithashtu me shumë interes pikëpamjet dhe eksperiencat që u referuan nga ekspertë të fushës së sigurisë së informacionit dhe auditimit të saj, z. Juhan Lepassaar nga Agjencia Evropiane për Sigurinë Kibernetike, z. Tõnu Tammer nga Autoriteti i Sistemeve të Informacionit të Estonisë si dhe Dr. Harald Niggemann nga Zyra Federale Gjermane për Sigurinë e Informacionit.
Pjesëmarrësit në panel në ditën e parë të takimit, patën mundësinë për zhvillimin e një workshop-i interaktiv, të moderuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Grupit të Punës së IT, z. Alvar Nõuakas në bashkëpunim me një kompani estoneze të specializuar në sigurinë kibernetike. Ky workshop u përcoll me tepër interes nga pjesëmarrësit pasi ai u ofroi atyre një mundësi praktike për të reflektuar mbi reagimin që institucionet duhet të kenë ndaj kërcënimeve kibernetike.
Në ditën e dytë të takimit, më 10 nëntor, seminari u konceptua dhe u zhvillua në formatin e një takimi pune, ku u prezantua dhe u diskutua mbi progresin dhe zhvillimin e projekteve të Grupit të Punës së IT pranë EUROSAI-t. Gjatë këtij takimi pune, u paraqiten edhe prezantime nga partnerë të ndryshëm të ITWG pranë INTOSAI-t, në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit mbi auditimin e teknologjisë së informacionit.
Grupi i punës së Teknologjisë së Informacionit pranë EUROSAI-t është krijuar në vitin 2002 me qëllim ofrimin e mundësisë për Institucionet Supreme të Auditimit të ndajnë eksperiencat në lidhje me auditimin IT dhe rritjen e bashkëpunimit në këtë fushë. Grupi i punës së IT ka mbledhur SAI-et e 41 vendeve të ndryshme dhe fushat kryesore të aktivitetit të tij janë qeverisja IT, standardizimi i Auditimit IT, vetëvlerësimi në fushën e IT dhe promovimi i auditimeve paralele. Që prej qershorit të vitit 2020 kryesimi i këtij grupi pune mbahet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Estonisë.