Njoftime

Nderim dhe mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë të KLSH-së.

24.05.2013

Më 22 maj 2013, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u akordoi “Medaljen e Mirënjohjes” Presidentit të Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Dr. Igor Šoltes dhe Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Jacek Jezierski, me motivacionin: “Për kontributin dhe ndihmesën e çmuar në përparimin e Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj partnerëve të Shqipërisë dhe KLSH, duke nënvizuar se partneriteti dhe bashkëpunimi janë fondamentalë dhe të pazëvendësueshëm për forcimin e institucioneve kushtetuese. Ai theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve të auditimit në shërbim të transparencës dhe mirëadministrimit të pasurive publike të qytetarëve.
Presidenti i Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Dr. Igor Šoltes u shpreh se detyra e tyre është t’i shërbejnë qytetarëve sidomos për të administruar mënyrën sesi shpenzohen paratë publike dhe se kjo është provuar nga ky partneritet dhe bashkëpunim i frytshëm. Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, Jacek Jezierski nënvizoi se vlerësimi me “Medaljen e Mirënjohjes” është frut i bashkëpunimit midis institucioneve respektove të Polonisë dhe Shqipërisë.
Po më 22 maj 2013, në Universitetin “Aleksander Xhuvani” në Elbasan, Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Liman Varoshi, në emër të Senatit të Universitetit, i dha titullin “Honoris Causa” Presidentit të Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Dr. Igor Šoltes, për kontributin e tij të qenësishëm në zhvillimin e praktikave moderne të auditimit në nivel evropian, nëpërmjet bashkëpunimeve të frytshme me shumë institucione evropiane auditimi, ndërmjet tyre edhe me KLSH.
Më datën 23 maj, në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, rektori Prof. As. Dr. Albert Qarri i dha titullin “Honoris Causa” Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Jacek Jezierski. Ky titull akordohet nga universiteti shqiptar për kontributin e pazëvendësueshëm të z. Jezierski gjatë viteve 2008-2011 si Sekretar i Përgjithshëm i EUROSAI për interesat e komunitetit të institucioneve supreme të auditimit evropian dhe për asistencën domethënëse teknike të dhënë ndaj KLSH në rritjen e kapaciteteve të audituesve të tij.

Profili i z. Jacek Jezierski

Zoti Jacek Jezierski, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Polonisë (NIK), është pa dyshim ndër partnerët e huaj më efikasë dhe ndihmues për Kontrollin e Lartë të Shtetit në drejtim të rritjes së kapaciteteve profesionale të audituesve të tij dhe të modernizimit të Institucionit, në mënyrë që auditimi i jashtëm në Shqipëri të vijë në nivel me standardet e INTOSAI-it (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme te Auditimit ).

 

Zoti Jacek JEZIERSKI, që në fillimet e punës së tij në pozicionin e lartë të Presidentit të NIK, kishte dëshirën e promovimit të marrëdhënieve reciproke, të drejtpërdrejta dhe të hapura ndërmjet KLSH dhe NIK, bashkëpunim që u forcua shumë dhe mori forma konkrete gjatë vitit 2012 dhe u finalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy Institucioneve të auditimit suprem në maj të vitit 2012. Zoti Jezierski ka një eksperiencë të gjerë në shumë fusha të shkencës, si në biologji, ekologji, mbrojtjen e mjedisit, etj dhe padyshim eksperienca të shumta në pozicione të rëndësishme pune si specialist dhe si drejtues, veçanërisht në fushën e Auditimit të Jashtëm. Këto eksperienca dhe dëshira e tij e madhe për bashkëpunim midis SAI-ve (Institucioni Suprem i Auditimit) e kthyen atë në një personalitet te padiskutueshëm në këtë fushë.
Kontributi i tij gjatë viteve 2008-2011 si Sekretar i Përgjithshëm i EUROSAI ka qenë i pazëvendësueshëm për interesat e komunitetit të institucioneve supreme të auditimit të Evropës, nëpërmjet shumë grupeve të punës të organizuara për tematika të caktuara të auditimit, me rëndësi të madhe për shoqërinë dhe qytetarët, nëpërmjet konferencave dhe seminareve të përbashkëta ku këmbimi i eksperiencave u dha mundësi shumë SAI-ve evropiane të zhvillohen dhe të forcojnë pavarësinë dhe kapacitetet e tyre profesionale. Zoti Jezierski është shembulli më i mirë i zbatimit në praktikë të motos së INTOSAI-it “Experentia mutua omnibus prodest” (Eksperienca e përbashkët u shërben te gjithëve).
Zoti Jezierski ka mundësuar trajnimin e dhjetëra audituesve të KLSH-së në Poloni, të cilët nën përkujdesjen e tij dhe të stafit që ai drejton kanë kryer trajnime në fushën e Auditimit Financiar dhe të Auditimit të Performancës, duke përmirësuar dhe përforcuar ndjeshëm dijet e tyre në këto fusha dhe për rrjedhoje rritjen e cilësisë së punës audituese të KLSH-së.
Spikat kontributi i qenësishëm i z. Jezierski ne revistën shkencore të KLSH, me titull "Auditimi Publik", me shkrime dhe orientime cilësore për të ardhmen e revistës. Zoti Jezierski ka një aktivitet intensiv profesional edhe si drejtor i Revistës Shkencore të NIK-ut polak.
NIK është anëtar i INTOSAI-it që në vitin 1959 dhe është përfshirë në mënyrë aktive në veprimtarinë e kësaj organizate.
Nën drejtimin e z.Jezierski, NIK ka njohur shumë arritje, ndër të cilat mund të përmendim caktimin e NIK si Auditues i jashtëm i Organizatës Evropiane për Kërkimet Bërthamore për periudhën 2013-2015. Ky fakt është një vlerësim i veçantë për NIK dhe për drejtuesin e tij sepse është hera e parë qe ky funksion i caktohet një vendi të “ri” anëtar të BE. Me intuitën e tij, Z.Jezierski di të gjejë sensin e perspektivës duke u përqendruar në momentin e duhur tek sfidat e së ardhmes.
Z. Jezierski ka bërë shumë për modernizimin e KLSH-së. Mbështetja e tij dhe e NIK-ut polak ka qenë konkrete, e qartë, e drejtpërdrejtë dhe produktive.

Profili i Dr. Igor Šoltes

Dr. Igor Šoltes ka një eksperiencë të gjerë pune në fusha të ndryshme dhe ka dhënë kontributin e tij në Administratën Publike si në cilësinë e ekspertit te prokurimeve publike ashtu edhe të drejtuesit të disa Institucioneve të rëndësishme publike, ndërmjet të cilave mund të përmenden : Shef i Departamentit të Çështjeve ekonomike në Njësinë Administrative të Lubjanës, Kryetar i Bordit të Fondit të Strehimit të të gjitha komunave të Lubjanës etj.

Roli dhe kontributi më i madh i Dr. Šoltes është në fushën e prokurimeve publike. Në vitin 1997, ai u emërua anëtar i Komisionit Shqyrtues me detyrë dhënien e vendimeve në procedurat e prokurimit publik. Në këtë pozicion, z. Šoltes punoi kryesisht në fushën e administratës publike, ankesave dhe ligjit të Prokurimit.
Në vitin 1999, për shkak të ndryshimeve ligjore ne fushën e prokurimit publik në Slloveni, Komisioni Shqyrtues u quajt Komisioni Shqyrtues Kombëtar dhe Dr. Šoltes ishte anëtar i tij deri në vitin 2001. Zoti Šoltes u emërua ne vitin 2001 në detyrën e lartë të Drejtorit të Zyrës së Prokurimit Publik. Puna e tij në fushën e prokurimeve publike përvijoi me doktoraturën e mbrojtur në vitin 2008, me temë “Rëndësia dhe roli i sistemit të prokurimit publik në funksionimin e shtetit” dhe që prej këtij viti ka gradën shkencore Doktor i Shkencave.
Kontributi i Dr. Šoltes është i vlerësuar edhe ndërkombëtarisht si një nga njohësit më të mirë të prokurimeve publike; ai është anëtar i rrjetit Ndërkombëtar të Prokurimit Publik, një forum i specializuar në këtë drejtim, që përfshin të gjitha shtetet anëtare të BE.
Roli i tij ka qenë i rëndësishëm dhe në bashkëpunimin me SAI (Institucion Suprem i Auditimit) të tjera, sidomos në fushën e prokurimeve publike; këtu mund të përmendim dy programe binjakëzimi, një mes Republikës së Sllovenisë dhe Mbretërisë së Suedisë; i dyti mes Republikës së Sllovenisë dhe Mbretërisë së Holandës, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm për përmirësimin e njohurive të audituesve të shumë institucioneve supreme të auditimit, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave pozitive të punës midis tyre, duke qenë në këtë mënyrë, një nga promotorët e zbatimit në praktikë të motos së INTOSAI-it “Experentia mutua omnibus prodest” (Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve).
Dr. Šoltes drejton Gjykatën e Auditimit të Republikës së Sllovenisë që prej qershorit të vitit 2004 dhe nën drejtimin e tij, ky Institucion ka njohur shumë arritje.
Dr. Igor Šoltes, President i Gjykatës së Auditimit të Republikës së Sllovenisë, përfaqëson një nga bashkëpunëtorëve të huaj më me kontribute për Kontrollin e Lartë të Shtetit në drejtim të rritjes së kapaciteteve profesionale të audituesve të tij dhe të modernizimit të Institucionit.
Në cilësinë e Presidentit të Gjykatës së Auditimit të Republikës së Sllovenisë, ai ka dhënë një kontribut të spikatur në promovimin e marrëdhënieve reciproke, të drejtpërdrejta dhe të hapura ndërmjet KLSH dhe Gjykatës së Auditimit të Republikës së Sllovenisë, bashkëpunim që u konsolidua dhe mori forma konkrete në muajin prill të vitit 2012, me nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy Institucioneve. Dr. Šoltes ka mundësuar trajnimin e dhjetëra audituesve të KLSH-së në Slloveni, të cilët nën përkujdesjen e tij dhe të stafit që ai drejton kanë kryer trajnime në fushën e Auditimit të Performancës dhe kanë shkëmbyer eksperienca të auditimit në fusha të tjera, duke përmirësuar dhe përforcuar ndjeshëm dijet e tyre në këto fusha dhe për rrjedhoje rritjen e cilësisë së punës audituese të KLSH-së.