Njoftime

Një frymë e re në marrëdhëniet mes audituesve jo-publike dhe audtuesve më të lartë publike

04.11.2013

Fjala e Kryetarit të KLSH, z. Bujar Leskaj në Konferencën e Federatës së Audituesve Publikë të Çertifikuar të Mesdheut (Federation of Mediterranean Certified Public Accountants), të zhvilluar në Tiranë me 04 nëntor 2013.

I nderuar z. Agoumi Presidenti FCM, i nderuar ambasador Sequi, i nderuar z. Çela President i IEKA-s,
Të nderuar të ftuar dhe anëtarë të IEKA,

Me lejoni t’Ju përshëndes dhe t’Ju uroj për këtë konferencë të XII të FCM, shumë të rëndësishme për Ju dhe zhvillimin e auditimit profesional jo-publik në Shqipëri dhe në rajonin e Mesdheut.
Me shumë mirënjohje, do të doja te nderonim të gjithë së bashku kontributin e vyer të dhënë që në fillesat e IEKA-s nga Prof. Baki Berberi dhe Prof. Kosta Nika, personalitetet e shquara të auditimit e kontabilitetit në vend. Puna e tyre dhe ajo e Prof. Jorgji Bollanos etj, solli lindjen dhe konsolidimin e IEKA-s, duke siguruar një bazë të mirë për zhvillimin e sotëm të tij dhe sfidat që i ka adresuar vetes, për kontributin në mbikëqyrjen publike përmes auditimit dhe kontrollin e cilësisë. Dëshiroj të theksoj dhe të vlerësoj po ashtu nivelin e lartë profesional të sotëm të anëtarëve të IEKA dhe në veçanti të Kryetarit të tij, z. Hysen Çela, i shquar për integritetin, etikën dhe standardet e larta.

Mbi bazën e Nenit 12 të Deklaratës së Limës, Kushtetutës së institucioneve supreme të auditimit dhe të standardit ISSAI 1620 “Përdorimi i Punës së një Eksperti të Audituesit” të organizatës INTOSAI, Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhi vitin e kaluar një marrëveshje bashkëpunimi me IEKA-n, duke i hapur rrugën një fryme të re në marrëdhëniet mes armatës së audituesve jo-publikë me audituesit më të lartë publikë, nëpërmjet trajnimeve, workshopeve, seminareve dhe konferencave, si dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta që kemi zhvilluar dhe do të zhvillojmë në të ardhmen.

Në vijim të nismës sonë të zbatimit të paketës më të fundit të INTOSAI-t, të quajtur “INTO-SAINT”, ose auditimi i integritetit të institucionit, nëpërmjet një mekanizmi vetë-vlerësues, duke patur parasysh historinë tashmë 16 vjeçare të IEKA-s, faktin që ky institucion shumë vite më parë e ka audituar KLSH dhe ekspertizën e pasur të mbledhur gjatë këtyre viteve nga anëtarët e tij, si dhe integritetin e lartë të drejtuesit të tij të sotëm, në cilësinë e Kryetarit të KLSH- së ftoj zyrtarisht IEKA-n të auditojë llogaritë e Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën dyvjeçare që drejtohet prej meje. Auditimi i IEKA-s , duke përmbushur detyrimin tonë ligjor dhe profesional për t’u audituar nga një institucion i pavarur i fushës, do të përbëntë një vlerë të shtuar të pazëvendësueshme për KLSH-në, duke qenë se në 10 vitet e fundit institucioni nuk është audituar nga audituesi të jashtëm.

I nderuar z. Çela dhe anëtarë të IEKA-s,
Anëtarësimi dhe kontributi juaj në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilisteve(IFAC), aktivitetet e shumta të zhvilluara prej jush, si dhe kjo Konferencë, po kontribuojnë në rritjen e imazhit të institucionit dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të tij me institucionet simotra në Evropë e më gjerë.
Realiteti i sotëm i parë edhe nën këndvështrimin e Konferencës suaj për rritjen e rolit të audituesit në mbrojtjen e interesit publik, kërkon prej institucioneve tona, prej audituesve dhe ekspertëve tanë të bëhen përpjekje maksimale për të ngritur profesionalizmin përgjegjësinë dhe llogaridhënien në nivele të reja, duke zbatuar standardet e duhura të mbikëqyrjes publike dhe të kontrollit të cilësisë, të shprehura në standardet ISA te IFAC dhe ISSAI të INTOSAI dhe të theksojmë bashkëpunimin mes nesh nën moton e INTOSAI-t “Experentia mutua omibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë)”. Dhe në përfundim dua t’Ju kujtoj misionin e organizatës IFAC e cila është  krijuar në vitin 1977; çka Ju duhet të keni në qendër të vëmendjes: 

“T’i shërbejë interesit publik, të vazhdojë të forcojë profesionin kontabël në mbarë botën dhe të kontribuojë për zhvillimin e ekonomive të forta ndërkombëtare përmes hartimit dhe nxitjes së zbatimit të standardeve profesionale të një cilësie të lartë, shtytjes më tej të konvergjencës së këtyre standardeve dhe duke u shprehur qartë për çdo çështje me interes publik ku ekspertiza e profesionistit është më se e nevojshme.”