Njoftime

Dr. Vitor Caldeira, reformator i shquar i sistemit të llogaridhënies në BE nga Bujar Leskaj

21.11.2019

Shkrimi është botuar në gazetwn MAPO  të datës 20 nëntor 2019.

Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), struktura përgjegjëse për kontrollin dhe auditimin e fondeve dhe programeve të Bashkimit Evropian për Shtetet e tij Anëtare dhe për vendet kandidate e aspirante për t’u anëtarësuar në BE, konsiderohet një nga pesë institucionet themelore të Evropës së Bashkuar, së bashku me Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës, Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane. Nën drejtimin e një personaliteti si Dr. Vítor Manuel da Silva Caldeira, i zgjedhur për tre herë radhazi (2008-2017) si Kryetar i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), ky institucion ka vepruar si një ruajtës, gardian i pavarur i interesave financiare të qytetarëve të Bashkimit Evropian. Me kalimin e viteve, Gjykata provoi të jetë një gardiane tejet profesionale dhe thellësisht e bindur në misionin dhe vlerat e saj. Çdo vit, ECA kontrollon dhe auditon shpenzimin me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë të buxhetit të BE-së, në nivel të mbi 140 miliardë euro, ose rreth 285 euro për çdo qytetar të komunitetit, si fonde dhe programe të përbashkëta të Bashkimit Evropian.

xx

Kush është Dr. Vitor Caldeira

Dr. Caldeira është një personalitet i shquar në komunitetin e auditimit suprem publik evropian e më gjerë. Ai u diplomua në drejtësi nga Universidade Clássica (Universiteti Klasik) në  Lisbonë dhe kreu studimet pasuniversitare në Institutit e Studimeve Evropiane të Fakultetit të Drejtësisë, Universidade Clássica, në Lisbonë. Gjatë viteve 1983-1999, ai dha mësim në Fakultetin e Drejtësisë, Universidade Clássica, Lisbonë dhe në Institutin e Lartë të Profesioneve të Reja. Dr. Caldeira punoi në Inspektoratin e Përgjithshëm të Financave të Komisionit Evropian, ku shërbeu si Inspektor i Financave dhe Drejtor gjatë periudhës 1989-1995. Pastaj u bë Zëvendës-Inspektor i Përgjithshëm i Financave gjatë 1995-2000, duke mbuluar koordinimin e auditimeve të BE-së dhe sistemin e kontrollit të brendshëm të Administratës Financiare Shtetërore, me përgjegjësi për detyrat e mëposhtme:

• nxitjen dhe koordinimin e punës së Inspektoratit të Përgjithshëm të Financave për auditimin financiar të burimeve të BE-së, Fondin e Garancive EAGGF, Fondet Strukturore dhe Fondin e Kohezionit të BE;
• koordinimin e ekipit të projektit që prodhoi "Letrën e Bardhë mbi sistemin e kontrollit të brendshëm të administratës financiare të shtetit";
• kryesimin e Komitetit Ndërministror për Koordinimin dhe Kontrollin e Sistemit për Financimin e Fondit të Garancive EAGGF;
• pjesëmarrjen në grupe të ndryshme të punës të BE-së, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe masave për të luftuar mashtrimin financiar.

Dr. Caldeira ka qenë anëtar i delegacionit Portugez të Komitetit Këshillues për Koordinimin e Parandalimit të Mashtrimit Financiar(OLAF) dhe Grupit të Përfaqësuesve të Ministrave të Financave për menaxhim të shëndoshë financiar (SEM 2000).

xx