Njoftime

KLSH merr pjesë në Trajnimin e 7-të Ndërkombëtar mbi Auditimin Mjedisor në Jaipur, Indi

13.12.2019

Në datat 25 nëntor - 7 dhjetor 2019 u zhvillua në  "Qendrën Ndërkombëtare Të Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm" (iCED) në Jaipur, Indi, Trajnimi i 7-të Ndërkombëtar mbi Auditimin Mjedisor. Në këtë takim morën pjesë auditues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga 16 vende të ndryshme të botës, konkretisht, Shqipëria, Rumania, Finlanda, Zambia, Gana, Sudani, Fixhi, Egjipti, Maldivet, Vietnami, Kuvajti, Vanuatu, Butani, Tanzania, India si dhe Gjykata Evropiane e Llogarive. Fjalën përshëndetëse të hapjes së Trajnimit e mbajtën z. A.W.K Langstieh zv. President i SAI-t të Indisë, z. Manish Kumar, Drejtor i Përgjithshëm i iCED dhe z. Pushkar Kumar, Drejtor i Trajnimeve dhe Kërkimit në SAI-n e Indisë.  Në këtë event KLSH u përfaqësua nga z. Aulent Guri, Kryeauditues në Departamentin e Performancës.

Trajnimi u zhvillua duke kombinuar konceptet thelbësore teorike në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm me ushtrime praktike duke shkëmbyer eksperiencën e secilit auditues pjesëmarrës. Trajnues (auditues) me eksperiencë dhjetëra vjeçare nga SAI të ndryshme të botës referuan duke prezantuar auditimet më pikante dhe më të rëndësishme të zhvilluar në vendet e tyre duke prekur problemet kryesore mjedisore të cilat ata hasin. Trajnimi ishte projektuar për të garantuar njohuri për pjesëmarrësit për çështje mjedisore, duke përfshirë përzgjedhjen e tematikave të përshtatshme për auditim, zhvillimin e metodologjisë së auditimit, kritereve të duhura të auditimit dhe dhënien e rekomandimeve kuptimplotë.

Dita e parë e trajnimit u fokusua në përkufizimin e “Auditimit Mjedisor”, Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e SAI-ve me INTOSAI WGEA (Working Group on Environment Auditing). Qëllimi i INTOSAI WGEA është të asistojë Institucionet Supreme të Auditimit në përvetësimin e çështjeve specifike lidhur me auditimin mjedisor, të lehtësojë shkëmbimin e eksperiencave midis SAI-ve duke publikuar “Përmbledhje” të raporteve të auditimit që të gjithë SAI-t realizojnë si dhe të hartojnë udhëzime dhe materiale informuese të ndryshme.

indi

Studimi mbi “Kontabilitetin e Burimeve Natyrore” më 1998 dhe “Si mund të bashkëpunojnë SAI-t” kanë qenë dy publikimet e para të INTOSAI WGEA. Trajnuesit indonezianë, SAI i të cilëve ka udhëhequr INTOSAI WGEA në vitet e fundit, theksuan disa prej auditimeve të performancës me tematikë mjedisore që janë publikuar nga INTOSAI WGEA pjesë e të cilëve është edhe auditimi i realizuar nga KLSH me temë “Ruajtja e Ekosistemit të Parkut Kombëtar të Prespës”.  Ditët pasuese vazhduan me tematika të ndryshme mjedisore si ndryshimet klimatike, përdorimi i energjive të rinovueshme, eficienca e energjisë, biodiversiteti, menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave të ndotura, si dhe rëndësia e Raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis në projektet infrastrukturore. E veçanta e këtij Programi Trajnimi ishte se në çdo sesion “trajnuesit” aplikonin ushtrime duke kërkuar nga të gjithë pjesëmarësit jo vetëm të vinin në praktikë dijet e marra, por të ndërtonin pjesë të ndryshme të një raporti auditimi performance me perspektivë mjedisore.

2 indi

Një tjetër çështje me mjaft interes të cilët pothuajse të gjithë trajnuesit e prekën gjatë referimeve të tyre ishte dhe ajo e auditimeve bashkëpunese. Tre llojet kryesore të auditimeve bashkëpunuese janë “Joint Audit”, Co-ordinated Audit” dhe “Parallel Audit”. Përgjatë diskutimeve të ndryshme z. Guri solli në vëmëndjen e të gjithë pjesëmarrësve eksperiencën pozitive të KLSH-së në auditimet paralele të cilat ka zhvilluar vitet e fundit e veçanërisht në auditimet e performancës me tematikë mjedisore. Nën moton “Experentia mutua omnibus prodest” të gjithë audituesit pjesëmarrës ishin në sinkron për rëndësinë që auditimet bashkëpunese janë vlerë e shtuar për auditimin e jashtëm publik. Përgjatë diskutimeve u hodhën ide të shumta për bashkëpunimin dhe organizimin e auditimeve të përbashkëta për ato çështje mjedisore që kanë ngjashmëri midis vendeve pjesëmarrëse në këtë trajnim. Trajnimi u mbyll më datën 7 nëntor me fjalën përshëndetëse dhe falenderuese të z. Venkatesh Mohan zv. Presidentit i SAI-t të Indisë i cili bërë edhe dorëzimin e çertifikatave për të gjithë pjesëmarrësit.