Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut

 

Në zbatim të Programit të veprimtarisë audituese për vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij kushtetues, sipas Programit të Auditimit nr.614/1, datë 15.06.2021, ushtroi auditimin e përputhshmërisë në Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, për veprimtarinë nga data 01.01.2019 deri në datën 30.06.2021.

 

Nga ky auditim rezultoi se veprimtaria e subjektit të audituar në drejtim të çështjeve që lidhen me vlerësimin e aktivitetit të institucionit për procedurat e inspektimit, administrimin e mallrave të sekuestruar, zbatimit të buxhetit të shtetit, nuk ka rezultuar efektive, si rrjedhojë e mangësive në zbatimin e procedurave në përputhje me kuadrin ligjor. Në përfundim të auditimit u konkludua me dhënien e “Opinionit të kundërt” mbi përputhshmërinë e aktivitetit të institucionit me kuadrin rregullator në fuqi.

 

Ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit janë:

 

-Në procedurën e marrjes me qira të ambjenteve për zyra është konstatuar se janë paguar me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 1,545,771 lekë, shpenzime qiraje, për pasurinë e llojit “Banim”datë 27.08.2020, me mangësi në dokumentacionin vërtetues, për garantimin e gëzimit të qetë të saj, në kushtet kur kjo pasuri ka qenë e bllokuar në favor të palëve të treta. Gjithashtu janë paguar 4,303,094 lekë paradhënie për 6 muaj, për rregullime/punime në objekt, në mungesë të miratimit paraprak të ministrit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;

-Nga auditimi i procedurave të prokurimit rezultoi se është shkaktuar dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 1,585,026 lekë, si pasojë e mosdorëzimit të mallrave sipas specifikimeve teknike të kërkuara, s’kualifikimit të padrejtë të operatorit ekonomik (OE) të renditur i pari etj;

-Në 4 raste për gjobat e vendosura në vlerën 700,000 lekë, të cilat janë kthyer në vendim të formës së prerë, nga ISHMT nuk janë marrë masa për ekzekutimin dhe arkëtimin e tyre;

-Në 14 raste (për produktet si instrumente karburanti, lodra, etj), në këtë procedurë nuk dokumentohet me foto vendosja shenjave dalluese të bllokimit/vendosja e masës “bllokim”, si dhe administrimi i produkteve të bllokuara në magazina të dedikuara për këtë qëllim;

-Në 32 raste nuk është zbatuar pjesërisht/plotësisht objekti i inspektimit përcaktuar në autorizimin e tij (moskryerja e inspektimit të instrumentave matës, markimit CE të produkteve, etj), ku theksojmë se në 11 raste (të subjekteve që tregtojnë detergjentë) nga 32 gjithsej, inspektimi nuk është kryer aspak, por është anuluar në mungesë të arsyetimit ligjor dhe të aktit të titullarit të institucionit për anullimin e tij, duke mos realizuar në këtë mënyrë, qëllimin e inspektimit pranë këtyre subjekteve;

-60 raste ndaj subjekteve që kanë qenë në shkelje të ligjit nuk është marrë masë administrative gjobë, si dhe në 22 raste nga 60 gjithsej veç masës administrative gjobë nuk është vendosur ndalimi i përdorimit të instrumentit matës të karburantit, matësave të ujit, tregtimit të produkteve të ndryshme elektrike, korrigjimit të shkeljeve, njoftimit të konsumatorit etj;

-7 raste masa administrative e marrë me vendim të ndërmjetëm është hequr në vendimin përfundimtar të inspektimit në mungesë të arsyetimit ligjor. Kjo për produkte të ndryshme si rezistenca, bolier, panel diellor, dekoder dixhital, kamera inteligjente, bateri për kompjuter PC, ngrohës të ndryshëm, hekur rrobash etj;

 

Në përfundim të auditimit janë dhënë: 19 masa organizative, 9 masa për shpërblim dëmi ekonomik, 1 masë për eleminimin e efekteve negative në administrimin e fondeve publike, masa administrative ndaj 9 punonjësve, si dhe masa disiplinore ndaj 28 punonjësve. 

 

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni Raportin Përfundimtar të Auditimit në linkun e mëposhtëm:

Raport përfundimtar i auditimit