Njoftime

Z. Leskaj takon z. Franklin de Vrieze, ekspert mbi Zhvillimin Parlamentar dhe Qeverisjen

14.07.2016

 

Në datën 12 korrik, 2016, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj takoi në zyrën e tij z. Franklin De Vrieze, ekspert mbi Zhvillimin Parlamentar dhe Qeverisjen i kontraktuar nga Ambasada Zvicerane për programin e saj të mbështetjes afatgjatë të zhvillimit institucional të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe z. Gledis Gjipali, Drejtor i Lëvizjes Evropiane të Shqipërisë, partner i KLSH.

takim_zvic_copy_1

Kryetari Leskaj falenderoi z. De Vrieze për projektin e Ambasadës Zvicerane që do të mbështesë zhvillimin institucional të Parlamentit me programe të asistencës teknike dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar me institucionet e pavarura kushtetuese të vendit. Zoti Leskaj prezantoi një panoramë të përgjithshme të raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë, duke i vlerësuar si shumë korrekte. Z. Leskaj theksoi kontributin e Parlamentit një vit e gjysëm më parë për miratimin e ligjit të Ri të KLSH-së, i cili është tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit), duke veçuar kontributin e Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe të deputetëve të këtij Komisioni. “Në tërësi, deputetët e Parlamentit janë të ndërgjegjësuar për rëndësinë e raporteve dhe të mbështetjes së tyre ndaj institucioneve të pavarura të vendit”, u shpreh z. Leskaj.
 
KLSH nga ana e tij zbaton me rigorozitet rekomandimet e Rezolutave të Parlamentit për KLSH, duke përgatitur Plane Veprimi të detajuara për këto rekomandime, me afate të caktuara, personat përgjegjës dhe fondet që kërkohen për zbatimin e rekomandimeve. Kryetari i KLSH cilësoi se më shumë vëmendje duhet nga ana e deputetëve të Kuvendit për ndjekjen parlamentare të rekomandimeve të KLSH-së, sikurse ka kërkuar edhe BE në Progres Raportin e tij të fundit të vitit 2015 për Shqipërinë. Ai u shpreh i hapur për çdo bashkëpunim dhe ndihmë që mund të kërkohet nga projekti që drejton z. De Vrieze, duke vlerësuar kontributin e z. Gledis Gjipal në këtë projekt, një prej partnerëve më të kualifikuar dhe më aktivë të KLSH-së nga Shoqëria Civile Shqiptare.

Z. De Vrieze e falenderoi z. Leskaj për informacionin e dhënë në lidhje me raportet e KLSH-së në Kuvend, si dhe për idetë për marrëdhëniet e Parlamentit me institucionet e tjera të pavarura të vendit dhe u shpreh se do të kishte gati në gusht raportin e tij për Ambasadën Zvicerane, me drejtimet strategjike të asistencës për Parlamentin e Shqipërisë për 10 vitet e ardhshme (2018-2028). Ai vlerësoi faktin që të gjitha raportet që KLSH i kalon Parlamentit janë të publikuara në faqen e internetit të institucionit (www.klsh.org.al).  
Zoti Leskaj ofroi mbështetjen e stafin të KLSH-së për çdo dokument ose material shtesë që mund t’u nevojitet ekspertëve për realizim  e raportit final.