Bashkëpunime me Institucionet Homologe

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së dhe Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi.

Më datë 12 korrik 2013, në Podgoricë, z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij malazez të Institucionit Shtetëror të Auditimit, z.Milan Dabović.

malizi         marveshja mali zi

Kryetari i KLSH-së, në këtë takim shoqërohej nga z.Robert Gjini, Drejtor i Përgjithshëm dhe zj.Dëshira Huqi, përgjegjëse e sektorit të marrëdhënieve me jashtë, ndërsa z.Dabović shoqërohej nga anëtari i senatit z. Branislav Radulović dhe nga pjesëtarë të tjerë të stafit auditues dhe të marrëdhënieve me jashtë.
Institucioni Shtetëror i Auditimit i Malit të Zi, është krijuar në 2004, si një institucion i jashtëm, i pavarur, profesional dhe kontrollues i paanshëm i shpenzimeve buxhetore dhe i menaxhimit të pronës shtetërore. Institucioni ka një Senat dhe Bordin e Auditimit. Ai drejtohet nga Presidenti i zgjedhur nga pësë anëtarët e Senatit, i cili qëndron në detyrë për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Secili nga pesë anëtarët e Senatit duhet të drejtojë njërin prej pesë sektorëve në të cilët është strukturuar institucioni.
Marrëveshja e Bashkëpunimit, e cilësuar nga të dy drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit si mjaft pozitive dhe frytdhënëse, u përgatit jo vetëm në respekt të parimeve të shkëmbimit të eksperiencave më të mira dhe njohurive ndërmjet palëve, nën moton e INTOSAI-t, “Eksperienca e përbashkët ju shërben të gjithëve”, por edhe në kuadrin e një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal për dy vende fqinje.
Në këtë kuadër, z.Leskaj dhe z.Dabović, shkëmbyen informacione të vlefshme lidhur me aktivitetin auditues institucional, duke pasqyruar llojet e ndryshme të auditimeve, fushat strategjike ku ato zhvillohen, rekomandimet e lëna, etj.
Një pikë e konsideruar me shumë rëndësi nga dy drejtuesit e lartë, ishte rritja e cilësisë në kryerjen e auditimeve, ku veçanërisht në KLSH duke patur parasysh edhe rritjen domethënëse të numrit të trajnimeve të audituesve, kjo veçori është rritur ndjeshëm. Z.Leskaj dhe z. Dabović, ranë dakort se kjo rritje e cilësisë, sjell rritjen e besueshmërisë ndaj punës së institucioneve supreme të auditimit. Ata u shprehën gjithashtu se do të ishte me mjaft përfitim dhe organizimi i kryerjes së një auditimit të përbashkët në të ardhmen.
Marrëveshja dypalëshe, do të ketë në qendër të vëmendjes gjithashtu, shpërndarjen e njohurive dhe metodave të auditimit duke përftuar nga eksperiencat e veçanta institucionale, por edhe nga eksperiencat më të mira të partnerëve ndërkombëtarë, që do të shërbejnë në rritjen më tej të kapaciteteve dhe profesionalizmit në kryerjen e auditimeve.
Për të patur një kuadër më të plotë dhe një pasqyrim edhe më të gjerë të aktivitetit të KLSH-së përgjatë vitit të fundit, z.Leskaj i dhuroi z.Dabović, një set të plotë të botimeve të KLSH-së, ku u veçuan Historiku i KLSH-së, botimi mbi EUROSAI-n, dy publikimet e fundit, Performanca e KLSH-së për vitin 2012 dhe Auditimi Publik 4, si dhe e ftoi z. Dabović, të ishte prezent në botimin e radhës së kësaj reviste nëpërmjet një editoriali. Kjo dhuratë si dhe ftesa e bërë, u vlerësuan dhe u pritën me shumë interes nga homologu malazez.
Impakti pozitiv i kësaj marrëveshje të përbashkët, pritet të materializohet shumë shpejt, nëpërmjet veprimeve të përbashkëta institucionale.