Bashkëpunime me Shoqërinë Civile

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Në datën 19 shkurt 2015, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përfaqësuar nga zj.Vjollca Meçaj, Drejtore Ekzekutive dhe z.Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së.

Në zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet të bashkëpunojë me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, si një prej OJF-ve më me eksperiencë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe më gjerë. Kryetari i KLSH-së theksoi faktin që bashkëpunimi do të jetë me veprimtari dhe projekte konkrete. KLSH ka qenë në vazhdimësi i hapur për bashkëpunime të tilla dhe ka eksperienca të mira në këtë drejtim dhe me OJF të tjera, kryesisht në tre vitet e fundit. Nënshkrimi i marrëveshjes me Komitetin Shqiptar të Helsinkit e plotëson këtë kuadër dhe është një vlerë më tepër në këtë drejtim sepse fusha e aktivitetit te këtyre organizatave është e ndryshme dhe plotësojnë në mënyrë të natyrshme njëra tjetrën.

klsh hels1

Zonja Vjollca Meçaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit vlerësoi bashkëpunimin me KLSH-në si një institucion shumë i rëndësishëm kushtetues dhe në këtë kuadër u angazhua se organizata  e saj do të kontribuoje për gjithçka që është në shërbim të vendit dhe të qytetarëve. Etapa e dytë do të jetë hartimi i programeve konkrete për tematika të veçanta, në funksion të nevojave dhe të mundësive të të dy palëve.

Nëpërmjet realizimit të kësaj marrëveshje, KLSH është në përmbushje të detyrave për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e standardave profesionale në auditim, nëpërmjet trajnimeve, workshop-eve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta.

klsh hels 2

Të dyja palët shprehën së fundmi vendosmërinë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Zoti Leskaj, shprehu bindjen që sfidat e institucionit që ai drejton nuk mund të përmbushen pa bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe me organizatat e profesionistëve të fushës.