Bashkëpunime me Shoqërinë Civile

KLSH dhe SHKÇAK nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Në datën 13 shtator 2013, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK).

marveshja klshshkÇak

Në zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet në realizimin e  aktiviteteve të ndryshme me SHKÇAK, të tilla si trajnime, takime konsultative, tryeza të rrumbullakëta, workshop-e, seminare etj, aktivitete këto që synojnë rritjen e cilësisë së punës së stafit të KLSH dhe pjesëmarrjen e SHKÇAK nëpërmjet ekspertizës së kualifikuar në trajnimet e ndryshme për auditimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë.
Drejtorja Ekzekutive e SHKÇAK, zj. Ardiana Bunjaku vlerësoi këtë bashkëpunim, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm për certifikim e Audituesve të KLSH në kuadër të programit për çertifikimin në Sektorin Publik, por edhe për vet zhvillimet cilësore e profesionale në SHKÇAK.   Zonja Bunjaku theksoi faktin që kjo Marrëveshje e këtij lloji, e lidhur sot me KLSH,  është e para që lidhet jashtë Republikës së Kosovës. Ky bashkëpunim do të shtrihet edhe në vendet e tjera të rajonit me qëllim rritjen e kontributit të këtyre institucioneve në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies në Sektorin Publik.
Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj theksoi gjatë takimit se për KLSH është e rëndësishme që vazhdon të konsolidoje linjat e strategjisë së tij të zhvillimit për periudhën 2013-2017, në përputhje me katër objektivat themelore të Strategjisë së Zhvillimit 2011-2017 të EUROSAI :

1.ngritja e kapaciteteve;
2.standardet profesionale;
3.shkëmbimi i njohurive e përvojës  profesionale; dhe
4.menaxhimi në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe efektive të komunikimit

Nëpërmjet realizimit të kësaj marrëveshje-vijoi z. Leskaj - jemi në përmbushje të detyrave për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e standardave profesionale në auditim, nëpërmjet trajnimeve, workshopeve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta.
Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje do ta ndihmojë KLSH të kalojë në një proces të ri, atë të vlerësimit dhe certifikimit të Audituesve, e cila do të vijojë pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin Nr.8270 datë 23.12.1997 "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i cili është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në fund të nëntorit të  vitit 2012.
Kjo marrëveshje është dëshmi konkrete e përvijimit të bashkëpunimit të KLSH me institucionet e Kosovës, ku vlen të përmendet bashkëpunimi shumë pozitiv me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.
KLSH vlerëson shumë bashkëpunimin me Shoqatat e Profesionisteve dhe kjo marrëveshje me SHKÇAK vjen pas nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit vitin e shkuar me institucione homologe në Shqipëri si me Institutin e Eksperteve Kontabël të Autorizuar  (IEKA) dhe Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit (KKK).

Në këtë takim morën pjesë edhe Prof.As.Dr.Hysen Çela, Kryetari IEKA dhe Prof.Dr. Jorgji Bollano, Kryetar i KKK.