Njoftime

Vizita Studimore në Kuadër të Projektit IPA në Poloni

17.07.2018

Nga data 8-13 Korrik 2018, në kuadër të aktiviteteve 2.2.9 të Projektit të Binjakëzimit AL13 IBFI 01 mbi forcimin e kapaciteteve të auditimit të jashtëm shtetëror, një grup prej 16 audituesish të KLSH-së realizuan një vizitë studimore në Varshavë të Polonisë.  Kjo vizitë u zhvillua pranë Zyrës së Auditimit Shtetëror të Polonisë (NIK) dhe pjesë e saj ishin edhe disa institucione shtetërore si, Institucioni i Auditimit /Autoriteti i Auditimit në Ministrinë e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Investimeve.
Në takimin e hapjes, Zëvendës Presidenti i NIK z. Wojciech Kutyla nënvizoi midis të tjerash se, “projekti për fat të keq po mbaron gjatë kësaj jave, por siç e dini, ai ka ecur shumë mirë dhe finalizohet me vizitën tuaj dhe inaugurimin e sallës me emrin e ish-Presidentit Polak Lech Kaczyński në Tiranë në mjediset e KLSH. Do të keni një sërë takimesh me ekspertët më të mirë të financave publike dhe të administrimit të fondeve europiane”.

poloni ipa1

Gjatë dy ditëve të para, temat e trajnimit u prezantuan nga z. Augustin Kubik, Këshilltar i Presidentit të NIK dhe ish-anëtar i Gjykatës Evropiane të Auditimit (ECA) në periudhën 6 vjeçare, 2010-2016.
Fokusi kryesor i këtyre prezantimeve ishin aspekte dhe çështje të tilla si: detyrat funksionale dhe organizimi i institucioneve të administrimit, certifikimit dhe auditimit të fondeve të përfituara nga ana e Bashkimit Evropian në Poloni; dallimet midis Institucionit të Auditimit (si  strukturë e pavarur dhe që konsiderohet si auditim i jashtëm për agjencitë administruese dhe përfituesit e fondeve, që i raporton Komisionit Evropian) si dhe Zyrës së Auditimit Shtetëror NIK (si strukturë shtetërore e pavarur, që i raporton Parlamentit të vendit mbi zbatimin e buxhetit të shtetit, ku pjesë mjaftë e rëndësishme e tij janë dhe fondet me origjinë nga institucionet europiane). Nga ana e Institucionit të Auditimit realizohen tre lloje angazhimesh: auditimet e sistemeve, auditimet operacionale, si dhe auditimet  e paraqitjes së shpenzimeve, për të cilat lëshohet njëra nga katër tipologjitë e opinioneve të auditimit sipas INTOSAI-t.
Vend të rëndësishëm në prezantime iu rezervuan organizimit, përfaqësimit, detyrave dhe funksionimit të ECA. Lektorët nënvizuan se katër shtyllat ku mbështetet misioni i ECA-s janë: promovimi i përgjegjshmërisë dhe transparencës, kontributi në nxitjen e përgjegjshmërisë financiare, të shërbyerit si roja i pavarur i interesave të qytetarëve evropianë, si dhe ofrimi i udhëzimeve e këshillave për ligjvënësit dhe politikëbërësit e BE-së, bazuar në Traktatin e Mastrihtit (1992),  Traktatin e Amsterdamit (1997), Traktatin e Nicës (2001) dhe Traktatin e Lisbonës (2007). 28 vendet anëtare formojnë trupën gjyqësore të ECA-s, e cila është ngritur mbi 5 dhoma (chamber) dhe ku kreu i saj është një “primus interparius” – (i parë mes të barabartëve), gjë që nënkupton se vota e tij është e baras vlefshme me gjithë anëtarët e trupës së Gjykatës, (me përjashtim të rasteve kur votat e vendeve anëtare ndahen e janë të barazuara, ku dhe vota e tij bëhet përcaktuese).
Në mënyrë të posaçme, z.Augustin Kubik, u ndal në shpjegimet e mekanizmave se si Gjykata Evropiane Auditimit i ofron Parlamentit dhe Këshillit Evropian dokumentin e njohur si Deklarata Vjetore e Sigurimit/ Statement of Assurance (DAS), i konsideruar si dokumenti përfundimtar për besueshmërinë e llogarive dhe ligjshmërinë e rregullsinë e transaksioneve themelore të buxhetit evropian të shpenzuar nga Komisioni Evropian.
Përmes këtij dokumenti, (nganjëherë i cekur si regjistri 300 fletësh) ECA certifikon llogaritë e shpenzimeve dhe të ardhurave për gjithë buxhetin e BE. Kjo bazuar në rezultatet e auditimeve mbi bazë kampionimesh, rezultate që ekstrapolohen sipas softeve kompjuterike dhe bëhen të vlefshme për gjithë populacionin/ buxhetin e BE. Mbi këtë bazë arrihet në dhënien e konkluzionit dhe lëshimin e opinionit mbi sigurinë e deklaratave financiare të hartuara nga Komisioni. Opinioni DAS jepet për të ardhurat totale dhe shpenzimet totale dhe në rastin e shpenzimeve edhe për grupet individuale. Interesant është fakti, se për herë të parë, ECA për llogaritë vjetore të vitit 2016 lëshoi opinion të kualifikuar për buxhetin e përgjithshëm të BE përmes DAS, pasi që nga krijimi i Gjykatës opinioni kishte qenë negativ  Burimet kryesore për të hartuar DAS janë:
a) Sistemi i kontrollit dhe administrimit të Komisionit Evropian,
b) Raporti vjetor i aktivitetit të BE,
c) Përdorimi i punës së të tjerëve,
d) Testimet substanciale.
Ish-anëtari i Tribunalit Evropian të Auditimit, Z.Kubik shpjegoi raportet e speciale të auditimeve që hartohen në Gjykatë dhe bashkëpunimin e ECA-s me OLAF për rastet e investigimit të mashtrimeve të identifikuara. Numri i këtyre raporteve, sipas ekspertit të financave, arrin mesatarisht nga 8-10 në vit.
Metodikat dhe udhëzuesit që zbatohen në përditshmërinë e aktivitetit të auditimit të ECA-s, nevoja për metodologjinë dhe udhëzimet e standardizuara të përfshira në Piramidën Metodologjike të Kuadrit të ECA-s, (ku Standardet e Auditimit të Jashtëm janë shtylla kurrizore e metodologjisë); teknikat dhe mënyra e zgjedhjes së provës/ mostrës/ kampionit sipas Metodës së Njësisë Monetare (NUS); dallimet midis ISA dhe ISSAI-t; shpjegimet dhe udhëzimet se kur mund të përdoret puna e audituesve të tjerë, etj.; dallimet midis sigurisë së kufizuar dhe sigurisë së arsyeshme; dallimet midis termave “materialitet” dhe “persuasiveness”, etj., ishin disa nga çështjet që morën vëmendjen e audituesve te KLSH.

Përgjatë dy ditëve të fundit vizita u shtri rreth Institucionit të Auditimit (Audit Authority)/ IAP dhe mbi mekanizmat e metodologjitë e punës së tij. Moderatorë të këtij prezantimi ishin Z.Marius Fraczkowski, Doreta Kwiecinska-Zv/ Drejtues të Departamentit të IAP, si dhe dy ekspertë të financave publike. Ky institucion është pjesë e Ministrisë së Financave me 500 punonjës dhe është institucioni i vetëm atipik pasi ka auditues si në këtë bërthamë ashtu edhe pranë çdo njësie rajonale (në 16 rajonet) për të audituar në terren zbatimin  e kontratave të projekteve nga çdo përfitues i fondeve evropiane, qofshin këto agjenci, biznese, fermerë, agropërpunues etj. Ndonëse është pjesë e MF, IAP auditohet nga ana e Komisionit Evropian, nga ECA si dhe nga NIK. Në Poloni ka vetëm një autoritet që merret me auditimin e fondeve të BE për gjithë programet e BE, ndryshe nga disa shtete të tjera si Italia, Gjermania, etj., që kanë ngritur institucione auditimi për çdo program. Slogani që dëgjohet në IAP është se, “nga njëra anë ne jemi institucion që auditojmë të tjerët, nga ana tjetër, jemi institucion që auditohemi dhe të tjerë na auditojnë ne”...   
Tipologjitë kryesore të auditimeve që zbatohen nga IAP janë:
•Auditime të dizenjimit (këto kryhen vetëm njëherë në fillim të proceseve, kur nis krijimi dhe kompozimi i institucioneve që do menaxhojnë dhe administrojnë ndihmën financiare evropiane);
•Auditime të sistemeve, (njësoj siç realizohen nga ana jonë dhe mbështetur në udhëzuesit e INTOSAI-t)
•Auditime të operacioneve (që janë auditet e projekteve dhe kryhen pranë çdo përfituesi apo beneficiari);
•Auditime tematike mbi instrumentet e inxhinierisë financiare;
•Auditime specifike (audit mbi ujditë e mundshme të operatorëve konkurrues pjesëmarrës në tenderat me fondet publike).  

Në përfundim, në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Investimeve, ekipi i KLSH, i shoqëruar nga drejtuesja  e lartë Znj. Magdalena Czapska, u njoh me sistemin e menaxhimit të fondeve të BE, i titulluar “Sistemi i vënies në jetë të projekteve” si në infrastrukturë, në zhvillimin e rajoneve, në inovacion, në fushën e planifikimit hapësinor etj. Kjo ministri është përgjegjëse për hartimin dhe përditësimin e dokumenteve strategjike në nivel kombëtar e rajonal, ajo bën sinergjizimin mes operacioneve dhe proceseve në nivele të ndryshme (9 strategji për zhvillimin e 16 rajoneve). Ndër të tjera, u sqaruan mekanizmat e kontrollit dhe roli i NIK e ECA për të shpenzuar me efektivitet fondet evropiane.   

Vizita studimore ishte mjaftë e dobishme dhe u përmbush me sukses. Ajo u përcoll me interesim nga gjithë audituesit e KLSH-së, që përmes pyetjeve të ndryshme dhe qasjeve krahasimore për situata të ngjashme, demonstruan interesim dhe korrektësi lartë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeaudituesi Lolita Baholli, dhe Audituesit Qeram Cibaku,  Valentina Golemi, Erjola Meçaj,  Ibrahim Ndreu, Alfred Cako, Ilir Hilaj, Safete Pojani, Artan Mirashi, Brenton Kotorri, Erieta Kellici, Jovan Plaku, Bledi Dervishaj, Erjola Hoxha, Aurel Rexhaj, Xhuljana Kume.

poloni ipa2