Njoftime

Zhvillohet Analiza e Departamentit të Kontrollit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit.

19.01.2012

Më datë 19.01.2012, u zhvillua analiza vjetore e Departamentit të Kontrollit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit me pjesëmarrjen e z.Bujar Leskaj, Kryetar i  Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe z.Robert Gjini, Drejtor i Përgjithshëm.
Zoti Leskaj, në fjalën e tij rievidentoi rolin dhe rëndësinë e patjetërsueshme që kanë organet mediatike dhe shoqëria civile në luftën ndaj fenomeneve të abuzimit dhe korrupsionit, dhe kur ky patneritet e aleancë e krijuar, i jep një ridimensionim misionit dhe përpjekjeve tona të përbashkëta, për të cilat interesimi i publikut mbetet tepër i lartë.
Gjithashtu, Kryetari Leskaj theksoi se nga ana e këtij departamenti duhet të ishte zhvilluar një punë më  voluminoze, pasi zbulimi i dëmeve dhe shkeljeve në fushat e sistemit fiskal është i konsiderueshëm dhe konstatohet një ulje e ndjeshme e kallëzimeve penale, praktikë kjo që duhet të ndryshojë në të ardhmen.
Nga ana e Drejtorit të këtij Departamenti, z. Kristaq Gjurgjaj, u vlerësua realizimi i numrit të kontrolleve, si në rritjen e cilësisë dhe efektueshmërisë së tyre. Kështu nga ana e këtij Departamenti janë kontrolluar 22 subjekte, nga të cilat 17 kontrolle janë evaduar dhe 5 kontrolle janë në fazën e tyre përfundimtare.
Nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar dhe evidentuar shkelje të natyrave të ndryshme nga ana e Degëve Doganore dhe Drejtorive Rajonale Tatimore.
Për subjektet me shkelje janë rekomanduar 139 masa organizative, 399 masa zhdëmtimi, si dhe 60 masa disiplinore për zyrtarë të ndryshëm.
Gjithashtu janë bërë dhe 2 kallëzime penale për Drejtorët e Drejtorive Rajonale Tatimore të Elbasanit dhe Durrësit.
Për vitin 2012, objektivat kryesore të veprimtarisë së këtij Departamenti do të jenë: Përgatitja e bazës metodologjike bashkohore, ku do të përcaktohen qartë procedurat standarte të punës së kontrollorit, duke u fokusuar tek auditimi i perfomancës, krahas atij financiar.
Një tjetër moment i rëndësishëm për kontrollorët  e këtij Departamenti do të jetë thellimi i misionit kushtetues të KLSH-së në luftën anti-korrupsion, nëpërmjet analizimit të proçedurave dhe praktikave të dokumentuara.