Njoftime

KLSH nënshkruan në Ankara Marrëveshje Bashkëpunimi me TIKA për Teknologjinë e Informacionit.

13.02.2014

Sot më datën 12 shkurt 2014, në Ankara, Turqi, Bujar Leskaj, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit nënshkroi Marrëveshjen kuadër të Bashkëpunimit me Dr. Serdar Çam, President i TIKA, Agjensisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

marreveshja e klsh me tika

Marrëveshja parashikon mbështetjen e TIKA për zhvillimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit në KLSH, nëpërmjet sigurimit të versionit të përditësuar të Programit kompjuterik të auditimit IDEA dhe trajnimit të audituesve të KLSH për përdorimin e këtij programi, sigurimit të pajisjeve të TI dhe Zbatimit dixhital të sistemit të menaxhimit të auditimit. Për këtë komponent të fundit të marrëveshjes, është siguruar edhe ndihma e Gjykatës Turke të Llogarive, partner i KLSH.

KLSH theksoi se TIKA është një ndër donatorët kryesorë në vendin tonë, që ka ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, në dy dekadat e fundit. Agjencia Turke për Zhvillim dhe Bashkepunim vepron tek ne që në vitin 1992 dhe në vitin 1996 ka hapur zyrën e saj të koordinimit në Tiranë. Prej më shumë se 18 vite, TİKA kontribuon me projektet dhe ndihmën e saj në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve në Shqipëri. Projektet e realizuara nga TIKA janë me qindra dhe kanë prekur çdo fushë. Me fondet e TIKA-s janë rehabilituar ujësjellësa, kopshte e shkolla, janë ndërtuar spitale që janë pajisur me aparatura moderne, janë trajnuar mjekë, por edhe punonjës të policisë.
Sektorët ku TIKA ndihmon janë kryesisht shëndetësia, arsimi dhe turizmi, por agjencia mbështet dhe mbrojtjen e mjedisit, pyjeve, zhvillimin e T.I., kulturës, sportit, medias dhe projekte në ndihmë të personave invalide apo me aftësi të kufizuara fizike. Për KLSH, rëndësia e TI është vendimtare për realizimin e auditimeve cilësore dhe që të mbulojnë të gjitha fushat e veprimtarisë së institucioneve publike në vendin tonë.
Nga ana e tij, Presidenti i TIKA Dr. Serdar Çam theksoi se TIKA është gati të zgjeroje edhe me tej bashkepunimin dhe mbështetjen për KLSH, si dhe për te gjitha institucionet publike të shtetit shqiptar.
Kryetari i KLSH e falenderoi TIKA-n dhe për ndihmën e dhënë për KLSH në dy vitet e fundit, duke mundësuar qendrimin në Turqi për trajnim të mbi 60 audituesve, prane Gjykates se Llogarive te Turqise.
Marrëveshja me TIKA shënon një zhvillim të rëndësishëm të KLSH drejt përdorimit të plotë të teknologjisë së informacionit në auditim.

Programi IDEA, është një nga teknikat CAAT (Teknikat  e Auditimit të Asistuara nga Kompjuteri) që ka gjetur përdorim me sukses në mjaft institucione homologe të auditimit (SAI) në botë. Qëllimi i përditësimit të këtij programi në KLSH është arritja e 3E-ve në auditimin e të dhënave të regjistruara në mënyrë elektronike. Programi IDEA, lexon, shfaq, analizon dhe përpunon kampione nga çdo burim të dhënash, si Oracle, DB2, MySQL, SysBase, FoxPro, MS SQL Server, Microsoft Access. Sasia e informacionit që përpunon e analizon nuk njeh limit.

Domosdoshmëria e përditësimit të Programit IDEA vjen nga nevoja e zëvendësimit të amortizimit moral  të programit IDEA dhe përfitimi nga zhvillimet e reja të tij, si dhe nevoja për shtrirjen e auditimeve me teknikat e kohës në sistemet e informatizuara të Buxhetit të Shtetit, Thesarit të Shtetit dhe sistemit fiskal të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, zbatimi i një programimi kompjuterik të sistemi të menaxhimit të auditimit  përbën një domosdoshmëri për KLSH. Zhvillimi dhe implementimi i kompjuterizuar i sistemit të menaxhimit të auditimit ka disa module që menaxhojnë procesin e dokumentacionit shkresor të të gjithë proceseve audituese në KLSH, si dhe ka mjetet e nevojshme për gjenerimin e raporteve të auditimit.

Ky projekt përfshin :
  a.studimin dhe mbledhjen e informacionit;
  b.projektimin dhe  zbatimin e sistemit te kompjuterizuar te menaxhimit;
  c.trajnimin e stafit.

Përdorimi i  një numri shumë të madh rastesh auditimi nga KLSH çdo vit kërkon akses të pakufizuar të audituesve në informacion dhe në burimet e tij. Ky program që do të mbështetë nga TIKA, është i ngjashëm me ate të implementuar nga Gjykata e Llogarive e Turqisë.

Përfitimet e KLSH janë të shumta. Sistemi i Menaxhimit të kompjuterizuar të auditimit :
 • I jep përdoruesve kontrollin dhe thellimin e nevojshëm për të trajtuar rastet e auditimit në mënyrë sa më të efektshme.
 • Siguron akses thuajse të menjëhershëm të dokumentacionit, të të dhënave të strukturuara dhe analizave që kërkohen për marrjen e vendimeve komplekse ne auditim.
 • Mundëson aksesin dhe përditësimin e skedarëve të rasteve nga çdo vendodhje e audituesit, përmes lidhjes nga interneti;
 • Mbështet menaxhimin e plotë të përmbajtjes se auditimit, përfshirë menaxhimin e regjistrimeve, kërkimeve komplekse dhe analizimin e përmbajtjes.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes ishte i pranishëm edhe Prof. Dr. Recai Akyel, President i Gjykatës së Llogarive të Turqisë, me të cilën KLSH ka marreveshje bashkepunimi.

Marrëveshja e KLSH me TIKA do të zbatohet brenda këtij viti dhe do të rrisë kapacitetet e KLSH për kryerjen në një të ardhme të afërt edhe të auditimeve të teknologjisë së informacionit.