Njoftime

Kryetari i KLSH takon ambasadorin e ri të Italisë në Tiranë

11.02.2016

 

Ambasadori i ri i Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Alberto Cutillo takoi sot më dt. 10 shkurt 2016 Kryetarin e KLSH z. Bujar Leskaj në mjediset e KLSH.

foto_e_takimit_amb_italian_kryetari_i_klsh_2396_0

Kryetari i KLSH e falenderoi Ambasadorin Italian për ndihmën e dhënë gjatë gjithë këtyre dy dekadave e gjysëm nga ana e Shtetit, qeverisë dhe popullit italian për qeveritë dhe popullin shqiptar, sidomos në momente të vështira të ekzistencës së tij. Më tej, ai prezantoi performancën e KLSH gjatë viteve të fundit, duke theksuar miratimin e ligjit të ri të KLSH në nëndor 2014 nga Parlamenti, tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t,  arritjet në shtimin e ndjeshëm të treguesit të dobishmërisë të institucionit, të treguesit të zbulimit të dëmit ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit, që për vitin 2015 kapi shifrën e 919 milionë eurove, si dhe rritjen 3.5 herë të numrit të kallzimeve penale për vitet 2012-2015, në krahasim me katërvjeçarin 2008-2011.

Kryetari i KLSH theksoi përpara Ambasadorit italian sfidën e institucionit të KLSH, por edhe të gjithë shoqërisë shqiptare për luftën ndaj anti-kulturës së pandëshkueshmërisë që është instaluar në vend.

Nga ana e tij, Ambasadori Cutillo vlerësoi rolin e rëndësishëm që luan KLSH në luftën kundër korrupsionit në vend dhe për rritjen e përgjegjshmërisë së administratës publike. “Ju, -tha z. Cutillo keni tre role por edhe sfida të së ardhshmes që jam i bindur se do t’i përballoni me sukses. Së pari, mbajtjen e administratës publike të përgjegjshme. Së dyti, përmirësimin e performancës së administratës publike nëpërmjet rekomandimeve tuaja dhe së treti, kontributin në reformën ligjore me propozimet që ju bëni për ndryshimet në legjislacion”.

Në të ardhmen, si KLSH dhe Ambasada Italiane në Shqipëri do të shtojnë kontaktet dhe  shkëmbimin e informacioneve, me qëllim bashkëpunimin për përmirësimin e qeverisjes publike në vend.