Njoftime

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Revista “MONITOR” nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

12.02.2016

 

Në datën 10 shkurt 2016, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Revistës “MONITOR”.

Në zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet për shkëmbimin e të dhënave me interes reciprok, duke hapur edhe një dritare tjetër komunikimi me publikun me qëllim rritjen e transparencës dhe modernizimin e institucionit. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet mundësia e rritjes së prezencës së audituesve të KLSH-së me shkrime profesionale në Revistën “Monitor”, bashkë-përgatitje materialesh si buletine informative për mirëqeverisjen, trajnime, takime konsultative, tryeza të rrumbullakëta, workshop-e, seminare etj, aktivitete këto që synojnë rritjen e cilësisë së punës së stafit të KLSH-së dhe pjesëmarrjen e Revistës “Monitor” dhe ekspertizës së saj te kualifikuar, sipas një program të detajuar të miratuar nga palët.

Kryetari i KLSH-së nënvizoi hapjen e institucionit drejt organizatave te shoqërisë civile, me të cilat janë nënshkruar 19 marrëveshje bashkëpunimi në katër vitet e fundit si edhe vullnetin dhe seriozitetin e këtyre organizatave për të bashkëpunuar me KLSH, si dhe besimin e palëve se një bashkëpunim i sinqertë struktura publike-shoqëri civile jep rezultate konkrete në kufizimin dhe parandalimin e korrupsionit.

 

marrveshja_me_monitor_2399_0 marrveshja_me_monitor2_2400_0

 

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe nga zj.Ornela Liperi, Kryeredaktore e Revistës “MONITOR”.
Zonja Liperi, nga ana e saj, vlerësoi bashkëpunimin dhe qasjen e re që ka KLSH ndaj Shoqërisë Civile dhe veçanërisht rritjen e transparencës së institucionit ndaj Medias dhe publikut në përgjithësi, duke theksuar se ky bashkëpunim do te gjenerojë ide të reja dhe do të ndihmojë në informimin e taksapaguesve shqiptarë lidhur me gjetjet dhe auditimet e KLSH-se, duke rritur ndjeshmërinë qytetare dhe duke përmirësuar luftën kundër korrupsionit. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Revista “Monitor” shprehen së fundmi vendosmërinë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke bashkëpunuar për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, për t’i ofruar njëri tjetrit shërbime të ekspertizës dhe trajnimit për fushat respektive të bashkëpunimit, në dobi të rritjes së cilësisë së auditimit dhe të zgjerimit të ekspertizës së dhënë nga Revista “Monitor”, krahas të tjerave edhe në auditime të veçanta performance.