Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e personave të kontakti (liaison officers) të komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të BE-së.

03.05.2016

 

Në datat 6-7 prill 2015 u zhvillua në Riga, Letoni, takimi i personave të kontaktit  të Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të BE-së.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Audituesve, përfaqësues të 28 SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues të SIGMA-s, si dhe delegacione të SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate për në BE si Turqia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

takimi_riga

Në ditën e parë u zhvillua takimi i personave të kontaktit të vendeve kandidate dhe parakandidate të BE.
Në këtë takim u diskutua rreth aktiviteteve që ky rrjet do të organizojë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016 dhe përgjatë vitit 2017.
Kështu,  u rikonfirmua që në datat  13-14 prill 2016 nga SAI i Serbisë do të organizohet  tavolina e rrumbullakët me temë “Opinioni i Auditimit”, në të cilën  SAI-et pjesëmarrëse do të shkëmbejnë eksperiencat për hartimin e një opinioni bazuar ne ISSAI-t për auditimet financiare dhe ato të përputhshmërisë. Institucioni ynë në këtë event do të përfaqësohet nga një grup audituesish me përvojë të cilët do të prezantojnë eksperiencën e KLSH-së në Auditimet Financiare.
 Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të rrjetit të vendeve kandidate të BE, nga SAI i Bosnje dhe Hercegovinës do të organizohet në Shtator të vitit 2016  tavolina e rrumbullakët mbi pavarësinë e SAI-eve.  Synimi i aktivitetit është krijimi i një platforme  për diskutimin e sfidave me të cilat ndeshen SAI për të ruajtur pavarësinë e tyre institucionale dhe financiare. Target grupi i cili do të marrë pjesë në këtë aktivitet do të jenë Presidentët e SAI-ve.
Një temë mjaft e rëndësishme është marrëdhënia e SAI me parlamentin. Në këtë kuadër nga SAI Turk do të organizohet në nëntor  Konferenca  me temë “Kuadri i marrëdhënieve  midis SAI-eve dhe Parlamenteve”. Konferenca synon  zhvillimin dhe prezantimin  e një udhëzuesi,  i cili do të përdoret nga SAI-et për të forcuar marrëdhënien me Parlamentet.  Kjo konferencë do të jetë e një niveli të lartë përfaqësimi në të cilët do të marrin pjesë Presidentët e SAI-ve dhe përfaqësues të parlamenteve  të vendeve pjesëmarrëse.
Marrëdhënia midis SAI-t dhe Parlamentit konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të mbikëqyrjes parlamentare në kuadrin e rritjes së llogaridhënies publike dhe transparencës.
Auditimi i performancës është një fushë e re auditimi për shumë nga vendet kandidate të BE dhe   ekspertiza dhe praktikat e vendeve të BE dhe e Gjykatës Evropiane të Auditimit  është e mirëpritur nga këto vende. Me iniciativën Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë  dhe me mbështetjen e Gjykatës Evropiane të Auditimit, disa nga vendet e Ballkanit si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia do të kryejnë auditime paralele të performancës  me temë “Prokurimi Publik” . Në kuadër të këtij auditimi, u vendos që përgjatë vitit 2016 të kryhen disa workshop-e në të cilat ekspertë të SNAO dhe ECA do të prezantojnë praktikat më të mira për të gjitha fazat e kryerje së auditimit, duke filluar që nga faza e planifikimit e deri në hartimin e raportit përfundimtar.
Korrupsioni dhe mashtrimi janë dy fenomene të cilat audituesit i ndeshin shpesh në punën e tyre audituese. Në këtë kuadër Kontrolli i Lartë i Shtetit mori përsipër për të qene vendi pritës dhe organizator i workshop-it “Për luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit”. Ky event u parashikua të kryhet gjatë gjysmës së parë të vitit 2017.
Në takim u theksua organizimi i suksesshëm nga ana e KLSH i workshop-it “Për materialitetin dhe auditimin bazuar në kampione”, i organizuar në Vlorë në nentor 2015.
SAI-et e rrjetit të vendeve kandidate të BE vendosën të organizojnë  gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016 një seri  workshop-esh, në të cilat do të trajtohen aspektet teknike të fazave e auditimit financiar dhe atij të përputhshmërisë.

Në ditën e dytë të aktivitetit personat e kontaktit të vendeve anëtare të BE diskutuan rreth aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vitit 2016 dhe raportuan për ecurinë e grupeve të punës të cilat kryejnë auditime në fusha të ndryshme.
Kështu nga SAI Sllovak u raportua rreth përgatitjeve për takimin e Drejtuesve të SAI-eve, anëtarë të Konitetit të Kontaktit i cili  do të organizohet  në datat 21-22 tetor 2016 bë Bratislavë.
Nga SAI i Holandës, Gjykata Evropiane e Audituesve dhe  SAI i Letonisë u raportua ecuria e punës së Task Forcës për Bashkimin Bankar Evropian dhe përkatësisht takimet e grupeve audituese të SAI-eve pjesëmarrëse, përditësimi  i ecurisë së auditimit të ECA mbi mekanizmin e vetëm mbikëqyrës dhe  përgjigjet e palëve të interesuara  mbi këtë bashkim. 
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht propozimi i SAI të Polonisë për hartimin e një deklarate të përbashkët për të ftuar në aktivitete të dakortësuara më parë të SAI-eve të Ukrainës,m Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Përfaqësues të SAI-t Gjerman,  raportuan rreth zhvillimeve në procesin për hartimin dhe miratimin e standardeve EPSAS dhe  rreth deklaratës së SAI të landit të Baden Wuerttenberg për  sistemet e kontrollit dhe kostot administrative  në fondet e EU  per agrikulturën.
SAI i Italisë raportoi  mbi aktivitetin e Grupit të Punës për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si kryesues i grupit të vendeve që po kryejnë auditimin mbi TVSH-ne në vendet e BE raportoi mbi ecurinë e auditimit dhe disa nga rezultatet e pritshme te këtij auditimi.
Në axhendën e këtij aktiviteti u prezantuan dhe aktivitetet e ardhshme të planifikuara të rrjetit të vendeve kandidate dhe para kandidate ku nëpërmjet të tjerave iu bë prezent të pranishmëve propozimi i përfaqësuesve të KLSH-së për marrjen përsipër dhe organizimin e Workshopit “Mbi luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit”.
Në këtë aktivitet Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga Kryetari KLSH-së, z. Bujar Leskaj, Sekretari i Përgjithshëm, znj. Luljeta Nano, dhe Audituesja e parë, znj. Alma Shehu.
Takimi i ardhshëm i personave të kontaktit të Komitetit të Kontaktit do të zhvillohet në Stokholm, Suedi gjatë vitit 2017.