Njoftime

Gjetjet e KLSH-së për vitin 2015 analizuar mbi bazën e Kornizës së Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit

28.06.2016

 

Fjala e Kryetarit të KLSH-së z.Bujar Leskaj në Komisjonin për Ekonominë dhe Financat.

Raportojmë për aktivitetin e KLSH gjatë vitit 2015, në bazë të strukturës së standardizuar të Kornizës së Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-t), dokument i cili përbën një projekt-pilot të INTOSAI-t, që do të miratohet si standard ISSAI në Kongresin INCOSAI XXII në dhjetor të këtij viti.
Korniza është e bazuar në ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet nga Institucionet Supreme të Auditimit – Të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve ", i cili thekson se “Të vepruarit në interes të publikut i vendos SAI-t me një përgjegjësi të mëtejshme për të demonstruar rëndësinë e aktivitetit të tyre përpara qytetarëve, Parlamentit dhe veprimtarëve të tjerë ”
Ky dokument përdoret nga shumica e SAI-ve të zhvilluara në matjen dhe interpretimin e rezultateve të tyre përpara Parlamenteve përkatëse dhe qytetarëve. 

I. Kolona e Parë e Kornizës është ”A. Performanca e SAI-t”. Brenda kësaj kolone janë rezultatet e Auditimit Financiar, të Përputhshmerisë, te Performancës dhe shërbimet që i japin vlerë të shtuar institucionit.
I.1 Auditimet

Për vitin 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar dhe evaduar 158 auditime, ose 8.8 % përqind më shumë nga viti 2014. Ne punën tonë audituese, ne po orientohemi gjithnjë e më fort drejt auditimeve të performancës, të cilat njohen një rritje me 25 përqind, në krahasim me 2014-ën, por ende kemi shumë për të bërë për të arritur 15 përqind të totalit të auditimeve të zhvilluara përgjate një viti, objektiv të cilin mendojmë ta arrijmë në vitin 2018. Sot jemi në 8 përqind auditime të performancës kundrejt totalit. 

Për periudhën 2012-2015, Auditimet e Performancës u shtuan si numër 3 herë në krahasim me periudhën 2008-2011 dhe afro 4 herë per nga numri i institucioneve të mbuluara me këtë lloj auditimi. Zhvillimi i tyre është në përputhje të plotë me objektivat e planit strategjik të KLSH  2013-2017, i rishikuar. Gjithnjë duke e mbajtur vëmendjen tek shtimi dhe rritja e cilësisë së auditimeve financiare dhe auditimeve të përputhshmërisë, auditimet e performancës po shndërrohen në një nga shtyllat e zhvillimit dhe modernizimit të institucionit. KLSH po përballet çdo ditë me një sfidë të fortë për ta përqëndruar punën tek auditimi i performancës, për arsye se ai i shërben vlerësimit të përgjegjshmërisë publike. Sfida më e madhe me këtë lloj auditimi është që ai mos të zbatohet thjesht si procedurë, por të konceptohet si një filozofi e të menduarit dhe vepruarit nga i gjithë stafi i KLSH-së. Një filozofi pune që konsideron se auditimi nuk është një qëllim në vetvete, por në rradhë të parë një instrument parandalimi, instrument korrigjimi dhe këshillimi për institucionin që auditohet, në mënyrë që ai të kuptojë ku i ka mangësitë kryesore dhe t’i  plotësojë ato, duke përmirësuar menaxhimin dhe shtuar performancën.

Gjatë vitit 2015, kemi realizuar 12 auditime performance në reformat qeveritare, në projektet dhe shërbimet social-ekonomike, në projektet infrastrukturore, projektet energjetike dhe mjedisore, si dhe projektet dhe shërbimet social-kulturore. Për këtë vit do t’i përqëndrojmë auditimet e performancës në marrëveshjet koncesionare, në partneritetet publik-privat, në performancën e borxhit publik, etj.

Auditimet e Përputhshmërisë (kemi evaduar 120 auditime te tilla gjatë vitit 2015) arritën të plotësonin kriteret metodologjike ndërkombëtare, duke garantuar siguri sipas standardeve ISSAI 400, 4000 dhe 4100 të INTOSAI-it.
Për herë të parë në vitin 2015, gjatë auditimeve financiare(u realizuan 12 të tilla), KLSH dha opinion për pasqyrat financiare të përgatitura nga institucionet publike, pavarësisht se opinioni u dha në disa njësi varësie dhe jo në Institucione qëndrore, per të minimizuar riskun operacional në realizimin e këtij lloj auditimi pilot. Ky opinion i shton besueshmërinë pozicionit financiar të raportuar nga institucionet buxhetore dhe shëndosh më tej financat e Shtetit.

Institucioni realizoi po per herë të parë dy Auditime të Teknologjisë së Informacionit (njerin auditim pilot me ndihmën e Institutit të Zhvillimit IDI të INTOSAI-t). Edhe pse në hapat e para në këtë fushë auditimi, KLSH ka ngritur Drejtorinë e Auditimit të T.I.  dhe investuar në përmirësimin e infrastrukturës së T.I. 

I.2 Dëmi ekonomik i zbuluar dhe dobishmëria

Institucioni ka zbuluar gjatë vitit 2015:

A. Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik të përgjithshëm në shumën totale prej 125,8 miliardë lekë ose 919.9 milionë euro.

B. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 35,3 miliardë lekë ose 257.7 milionë euro. Dëmi ekonomik i zbuluar për periudhën 2012-2015 është 8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar për periudhën e katër viteve 2008-2011.

Nje pasqyre të mirëfilltë të nivelit të performancës e përbën efiçienca në auditim, një nga treguesit kryesore të performancës së SAI-eve të zhvilluara sot në botë. Ky tregues i eficiences, dobisë së rezultateve të auditimit ve në raport sasinë e fondeve te kërkuara per zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit nga KLSH me shpenzimet buxhetore të vetë institucionit(pra sa ai u ka kushtuar taksapaguesve), paraqitet për vitin 2015: për çdo një lek të shpenzuar për institucionin,  kemi kërkuar për t’u zhdëmtuar në Buxhetin e Shtetit 180 Leke (këtu nuk është perfshire dëmi i konstatuar në Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë), ose në vlerë totale 58,7 miliardë lekë, apo 428.4 milionë euro. Kjo shifër dëshmon për eficiencën, dobinë e lartë të aktivitetit auditues dhe renditet në nivele të ngjashëm me treguesit e eficiencës së SAI-ve të zhvilluara.
Krahasuar në vite, mesatarja e treguesit të eficiencës (dobishmërisë) së institucionit për vitet 2012-2015 është 4.2 herë më e lartë se mesatarja e viteve 2008-2011. Dëmi mesatar i kërkuar për t’u zhdëmtuar në Buxhetin e Shtetit për dyvjeçarin 2010-2011 është 19.1 Lek, për dyvjeçarin 2012-2013 52.1 Lek dhe për 2014-2015 109.5 Lek (Shih grafikun në Raportin e Performancës KLSH 2015, faqe ____). Thënë ndryshe, në katër vitet e fundit, për çdo lek të takspaguesit shqiptar që harxhohet për KLSH kemi zbuluar dhe kërkuar për zhdëmtim dhe arkëtim në Buxhet mbi 4 herë më shumë fonde se sa në katër vitet 2008-2011.
Raporti vjetor i KLSH mbi Zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2014, përgatitur me 2015 dhe paraqitur përpara Komisionit Tuaj në tetor 2015, dha një sërë rekomandimesh me impakt të lartë.Një performancë institucioni nuk mund të kuptohet plotësisht pa impaktin e punës së tij. Shifrat mund të tregojnë shumë, por edhe pak ose asgjë, në rast se nuk lidhen me impaktin e rezultateve. Për këtë arsye, Kolona ”A. Performanca e SAI-t” është e bashkëngjitur në Kornizën e Matjes së Performancës së SAI-t, me nenkolonen e “Impaktit”, në formën e kontributeve të SAI-t në Disiplinën Fiskale, Ndarjen Efikase të Burimeve, Qeverisjen e Mirë, Përgjegjshmërinë dhe Luftën kundër Korrupsionit.     
Në Simpoziumin e 22-të të OKB-INTOSAI të vitit 2013, Dr. Jozef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAIT ka cilësuar se “SAI-t mund të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre për të kontribuar në qeverisjen e mirë publike vetëm nëse, duke u bazuar në punën e tyre të auditimit, ata gjithashtu angazhohen në veprimtari këshillimore dhe ofrojnë rekomandime specifike për subjektet e audituara dhe për vendim-marrësit”.
Për vitin 2015, përpjekja jonë për rekomandime konstruktive dhe me impakt të lartë ka rezultuar në:

a. Për të realizuar një qëndrueshmëri dhe kredibilitet të financave publike, për të përmirësuar planifikimin e treguesve makroekonomikë dhe të parashikimeve buxhetore, të ndërgjegjshëm për risqet fiskale që kalon vendi, kemi rekomanduar marrjen e nismës ligjore për ngritjen e një Këshilli Fiskal, i cili të gëzojë statusin e nje institucioni publik të pavarur dhe të ketë një pavarësi operacionale të qartë e rigoroze nga politika. Një rekomandim të tillë, i cili do tí sigurojë vendit atë oponence të pavarur dhe profesionale të munguar në politikat tona fiskale,  e dha në janar 2016 edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në Raportin e tij “Country Report” Nr. 16/5 per Vlerësimin e Transparencës Fiskale.

b. Për të disiplinuar financat publike dhe rritur kredibilietin financiar të vendit, kemi dhënë për të tretin vit në vijimësi rekomandimin që Ministria e Finances të paraqesë në Kuvend një nismë ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të treguesit të borxhit publik  në nivelin tavan 60 % ndaj PBB-së, si dhe arritjen e këtij niveli gradualisht, në përputhje me objektivat dhe fazat e reduktimit të borxhit të përcaktuara në Strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”. Ky rekomandim gjykojmë se ka shërbyer si presion pozitiv në këto tri vitet e fundit, duke nxitur ndryshimet e propozuara kohët e fundit nga Ministria e Financave në Ligjin organik të Buxhetit, me nenin që i detyron të gjitha qeveritë të ulin borxhin publik. Megjithë ndryshimin e propozuar, mendojmë se nuk është mjaftueshem dhe do të vazhdojme të insistojmë për këtë nisme që e konsiderojme thelbesore për të përmirësuar imazhin dhe seriozitetin e reformës në financat publike të vendit.  

c. Në kushtet e përgjegjesisë së ulet financiare të zyrtareve publike, i kemi rekomanduar Qeverisë dhe Kuvendit për të dytin vit në vijimesi hartimin e ligjit “Për Përgjegjësinë Materiale”, në të cilin të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me kryerjen e detyrave zyrtare. Mungesën e theksuar të përgjegjshmërise financiare në vend e kanë evidentuar edhe Progres Raportet e Bashkimit Evropian të viteve 2014 dhe 2015. Jemi të sigurtë se me hapat për realizimin e plotë të reformes në drejtesi, kjo përgjegjesi do të shtohet, pasi reforma duhet të vijoje edhe në këtë drejtim. Gjykojmë se ka ardhur koha që Komisioni i Ekonomise të marrë nismen për hartimin e këtij ligji kyç në rritjen e përgjegjësise, llogaridhënies dhe në disiplinimin e vendim-marrësve dhe menaxhereve kryesore të financave tona publike.

d. Me qëllim rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në përgatitjen dhe dhënien e informacionit financiar dhe fiskal, duke synuar uljen e risqeve fiskale, kemi kërkuar pranë Komisionit të Ekonomise në tetor 2015,  që të publikohen menjëherë nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të Shtetit. Kemi rekomanduar që të ngrihet një sektor i veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financave, i cili të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Ky sektor duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për ta vënë nën monitorim dhe kontroll profesional këtë proces të rëndësishëm, per mbarëvajtjen e të cilit ka ngritur shqetësim edhe FMN në Raportin e sipërpërmendur.

e. Kemi kërkuar që privatizimi i Albpetrol të realizohet, duke ftuar kompani me potenciale dhe kredenciale të larta profesionale nga aleatët strategjikë të vendit tonë (veçanërisht ato me traditë të konsoliduar në sektorin e naftës, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania).

g. Kemi rekomanduar po ashtu që të ringrihet Instituti i Kerkimeve të Naftës, si një institut shkencor, i cili të mbështesë të gjitha vendimmarrjet për zhvillimet e sektorit të hidrokarbureve në vendin tonë dhe të bashkëpunojë me Kuvendin dhe Qeverinë për hartimin e strategjive afatmesme dhe afatgjata në këtë sektor.

h. Kemi rekomanduar ngritjen e një komisioni ad-hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, i cili të mund të vlerësojë realisht dhe saktësisht dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s., si edhe mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të OSHEE-së mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve. Kemi kërkuar një disiplinë të fortë financiare dhe një kontroll të vazhdueshëm nga Kuvendi, për çdo investim dhe vendim-marrje strategjike për OSHEE-në.

i. Kemi kërkuar nga Avokatura e Shtetit të veproje me shpejtësi në drejtim të ndjekjes së arkëtimit të garancisë nga shoqëria “Vetro Energy PTE Ltd”, pas dështimit të procedurave të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol sha Patos”. Shtyrja e mëtejshme e koordinimit të institucioneve shteterore apo krijimi i vonesave artificiale rrezikon seriozisht dhe në mënyrë të pajustifikueshme tejkalimin e afateve përkatëse procedurale të kërkimit dhe arkëtimit të garancisë prej 85 milione Euro.

j. Kemi konstatuar se kompanitë hidrokarbure kanë hartuar e lidhur kontrata në vlera të konsiderueshme me nënkontraktorë të ndryshëm, vendas dhe të huaj, për shërbime për procese teknologjike hidrokarbure, shërbime konsulence teknike ose juridike, për shërbime pune ndërtime civile (rrugë për sheshe ose godina), etj., të cilat janë përfshirë më pas në Cost Recovery (Rekuperimin e Kostos) dhe duke e larguar Faktorin R nga vlera 1. Pas gjetjeve të përsëritura nga auditimet tona të vitit 2013 dhe 2014 që dëshmonin evazionin e qartë fiskal, përshëndesim vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme te Tatimeve që e konsideroi vitin 2011 me Faktorin R më të madh se 1 për koncesionarin kryesor në shfrytëzimin e naftës, duke e detyruar të paguante 57 milione USD detyrime ndaj Buxhetit të Shtetit dhe besojmë që puna do të vazhdoje për zbulimin e rasteve te tjera flagrante të evazionit në zbatimin e marrëveshjeve dhe licencave hidrokarbure.   

Pasojat e krizës ekonomike e financiare botërore të viteve 2008-2012 dhe rastet e dukurive abuzive deri në skandale në përdorimin e fondeve publike në institucione, kompani e korporata shteterore, të evidentuara dhe nga Samiti i Londrës i 12 majit 2016 për një Aleancë Ndërkombetare kundër Korrupsionit, kanë sjelle një rënie të ndjeshme të besimit të qytetareve ndaj qeverive. Si KLSH ndajmë shqetësimin e partnereve tane ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile se besimi i qytetarëve shqiptare në politikat qeveritare anti-korrupsion është shume i ulët. Nga shkeljet ligjore dhe abuzimet e konstatuara në auditimet tona për vitin 2015, kemi dërguar në Prokurori 51 kallëzime penale për 159 punonjës te administratës shtetërore (krahasuar me 41 kallëzime për 149 punonjës për vitin 2014), ose afërsisht një kallzim në çdo tre auditime dhe në çdo javë kalendarike, duke vazhduar me të njejtin trend dhe ritëm si institucion, në këto katër vite. Dëmi ekonomik për 51 kallëzimet penale të bëra gjatë vitit 2015 është 85,837,736.000 lekë.  Kemi kallëzuar zyrtare të rangut të lartë dhe të mesëm. Si KLSH kemi rritur cilesinë e përgatitjes së dosjes për kallëzim penal dhe shkurtuar kohën e përgatitjes se kallëzimit. Kjo është e rëndësishme për ne. Krahasuar me periudhën katërvjeçare 2008-2011, kur kemi patur 52 kallëzime penale, kallëzimet e katër viteve 2012-2015 janë 170, ose 3.2 herë më shumë.
Shqetësim kryesor për ne është niveli i ulët i zbatueshmërisë së masave të propozuara nga KLSH për largim nga detyra apo nga shërbimi civil për zyrtarë të lartë të Shtetit, të cilet janë kallëzuar në Prokurori.
Numri i tyre është i konsiderueshëm. Mbasi i kemi percjellë dhe ripërcjelle listat me emrat dhe pozicionet e këtyre zyrtarëve të lartë që ende mbahen në punë në Ministritë përkatëse dhe në Departamentin e Administratës Publike, do t’i paraqesim listat pranë Komisioneve të Kuvendit. Nisur nga moto e Kongresit INCOSAI XXI “Auditimi kombëtar në shërbim të Qeverisjes kombëtare” dhe obligimet ndaj mandatit tonë kushtetues e ligjor për kontributin që pritet prej nesh në  mirëqeverisjen e vendit dhe në forcimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës në qeverisje, do të punojmë fort që anti-kultura e pandëshkueshmërisë në vend të goditet dhe çrrenjoset. Në rekomandimet e tij në Progres Raportet e fundit për Shqiperinë, Komisioni Evropian i mëshon ndjekjes sistematike dhe zbatimit të rekomandimeve të institucionit më të lartë të auditimit. Mund të themi me keqardhje se ndjekja e rekomandimeve të KLSH vijon të mbetet një proces formal, i bazuar në përpilim urdhrash dhe planesh veprimi nga titullari, por pa konkretizim final, sidomos në largimin e drejtuesve të lartë të kapur në shkelje dhe abuzim. Ndjekja jo-efektive e derisotme e rekomandimeve sjell mbi të gjitha fatura financiare të pashlyera në Buxhetin e Shtetit në shuma të konsiderueshme. Ligji “Për Përgjegjësine Materiale të Nëpunësit Publik”, apo edhe një Urdhër i Ekzekutivit për largimin nga detyra të atyre që rezultojnë, pas auditimeve tona, me shkelje flagrante të ligjeve dhe dëmtim të ndjeshëm të interesave financiare të Shtetit, do të mund t’i kthenin efektivitetin rekomandimeve të KLSH.    
Kolona e Dytë e Kornizes së Performancës së SAI-t ”B. Pavaresia dhe Kuadri Ligjor”, e cila perceptohet si mjedisi ligjor, i krijuar nga Legjislativi dhe Ekzekutivi, ku vepron SAI dhe që perfshin 1. Pavaresinë e SAI-t, 2. Pavarësinë e Kreut dhe të punonjësve të SAI-t dhe 3. Mandatin e SAI-t, është sot më e plotë se kurrë ndonjëherë më parë, në sajë të mbështetjes së dhënë nga Kuvendi me miratimin e ligjit të ri organik të KLSH-së, në rradhë të parë në sajë të mirëkuptimit dhe ndihmës Suaj, të deputetëve të Komisionit të Ekonomise, gjë për të cilën Ju falenderojmë.
Menjëherë pas miratimit të ligjit, ngritëm  grupet e punës për përgatitjen dhe finalizimin e dokumenteve bazë të veprimtarisë së institucionit, per zbatimin në praktike të Ligjit organik. Në kuadër të zbatimit të Strategjisë së Menaxhimit institucional 2013-2017 (të ripunuar), të Strategjisë së Implementimit të ISSAI-ve dhe të aktiviteteve të parashikuara në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, Shtylla 6, si dhe në përmbushje të kërkesave të Programit Buxhetor “Triger Matrix”, hartuam Manualin e Auditimit të Përputhshmërisë dhe Manualin e Auditimit Financiar, Rregulloren e re të Brendshme të institucionit dhe Indikatoret e Performancës të Auditimit të Performancës. Draft-manualet iu dërguan Delegacionit Europian dhe SIGMA-s për dhënie mendimi. KLSH ka marrë vleresimin nga Delegacioni Europian dhe SIGMA qe keto manuale jane hartuar ne perputhje me kerkesat e Standarteve ISSAI dhe praktikat më të mira te fushës. Do të vijojme t’i përmirësojme këto manuale, duke i testuar në praktike nëpërmjet auditimeve pilot.
Mandatin me të gjere auditues që na ka garantuar ligji i ri, gjatë vitit 2015 jemi përpjekur ta konkretizojme, duke diversifikuar llojet e auditimeve, duke e zgjeruar aktivitetin edhe në çertifikimin e pasqyrave financiare të përgatitura nga institucionet publike, apo në auditimet e sistemeve të informacionit, që kanë marrë një shtrirje të gjërë në ofrimin e shërbimeve publike, si dhe duke minimizuar pengesat që hasim në auditim. Me këtë ligj të institucionit, pothuajse tërësisht në linje me standardet INTOSAI, fokusi i ri, që përbën dhe një nga sfidat tona kryesore në të ardhmen, është dhënia e një sigurie të arsyeshme mbi besueshmërinë dhe vërtetësinë e raportimeve financiare të qeverisë dhe dhënia e rekomandimeve të vlefshme në drejtim të vendosjes së rregullave të qarta të raportimit financiar publik.
Kryesore në punën tonë ka qenë dhe është profesionalizmi, mosqënia pjesë e politikës, sikurse e thekson edhe Gene L. Dodaro, Auditues i Përgjithshem i GAO-s Amerikane në pershendetjen e tij drejtuar KLSH me rastin e 90 vjetorit të institucionit, “Institucionet Supreme të auditimit sot janë pozicionuar si kurrë më parë, për të bërë diferencën... Ne nuk bëjmë politika. Ato i ka Kongresi. Ne auditojmë realizimin e politikave dhe programeve të Qeverisë”. 

Kolona e Tretë e Kornizes ka të bëjë me aftësine e SAI-t, me menaxhimin institucional të tij dhe përfshin “C. Strategjine për Menaxhim dhe Zhvillim”, “D. Standardet e Auditimit dhe Metodologjinë”, “E.Menaxhimin dhe Strukturat Ndihmëse”, “F. Burimet Njerëzore dhe Lidershipin”, si dhe “G. Komunikimin dhe Menaxhimin e Paleve të Interesuara” , të cilat konsiderohen nën kontrollin e SAI-t. 

C. Strategjia për Menaxhim dhe Zhvillim

Zgjerimi i fushës audituese me ligjin e ri organik të KLSH, lindi nevojën e rishikimit të Strategjisë së Zhvillimit Institucional 2013-2017 dhe Planit të Veprimit për periudhën 2015-2017. Rishikimi i Strategjisë, synoi vendosjen e prioriteteve dhe alokimin e drejtë e të përshtatshëm të burimeve, duke u fokusuar në arritjen e objektivave dhe menaxhimin e risqeve, në përputhje me detyrimet që burojne nga Ligji Organik. Objektivat strategjike si zhvillimi i kapacitetit institucional të KLSH-së, rritja  e kapaciteteve audituese dhe e cilësisë së auditimit, shtimi i numrit dhe i cilesisë së auditimeve të performancës, forcimi i rolit antikorrupsion të institucionit, zhvillimi i komunikimit dhe bashkëpunimit me veprimtarë të tjerë  brenda e jashtë vendit, etj. janë arritur në një nivel të kënaqshëm në këto tre vitet e para të zbatimit të Strategjisë. Gjatë viti 2015 kemi ecur më shumë me auditimet e përformances, si dhe me rritjen e kapaciteteve audituese dhe të cilësise së auditimit.
Në unison me Strategjine e Zhvillimit të institucionit, përgatitëm Strategjinë e Implementimit të Standardeve Ndërkombetare të Auditimit, ISSAI-ve, mbi bazën e Marrëveshjes së nënshkruar me vullnetin tonë me 12 mars 2013 me IDI-n, institutin e zhvillimit të INTOSAI-t. Përdorimi i teknikave “iCAT”( teknikave të vlerësimit të përputhshmërisë)  na mundësoi të identifikonim kërkesat e ISSAI-ve për çdo lloj auditimi, duke hapur kështu rrugën për një analize SËOT për secilin lloj auditimi që kryen KLSH. Në qershor të vitit 2015, raportuam pranë IDI-t mbi  përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes së angazhimit, pjesë e së cilës është zhvillimi i Strategjise dhe Planit të Veprimit të Implementimit te ISSAI-ve. Gjate viteve 2012-2015, institucioni ka fituar një filozofi të re pune. Standardet e organizatës INTOSAI janë futur në KLSH jo vetem si tema të trajnimeve profesionale të trupes audituese, por sherbejne si referime te qëndrueshme të përditshme në gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e secilit grup auditues dhe audituesi të veçantë.

D. Standardet e Auditimit dhe Metodologjia

Implementimi i ISSAI-ve është një proces i gjatë dhe ndërthuret dhe me veprimtaritë dhe aktivitetet e KLSH që po kryhen në kuadër të zbatimit të projektit IPA 2013 “Forcimi i Institucionit Suprem te Auditimit.
Një nga faktorët që ka ndikuar pozitivisht në sigurimin e cilësisë të punës audituese për vitin 2015, është edhe permiresimi i Metodologjisë, përgatitja e studiuar e programit vjetor të veprimtarisë së KLSH-së që lidhet me përcaktimin e prioriteteve të mundshme, argumentimin dhe përfshirjen në programin e auditimit të subjekteve të auditimit mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe përcaktimit të materialitetit, duke i kombinuar këto auditime edhe me detyrimet kushtetuese e ligjore që ka KLSH, për auditimin periodik të tyre.
Gjate vitit 2015, kërkuam nga SAI-t e zhvilluara të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t asistence në procesin e “Peer Revieë”(Rishikim mes kolegeve) të INTOSAI-t dhe Gjykata e Auditimit e Austrisë pranoi të na vlerësonte sipas këtij procesi mbi nivelin e pavarësisë sonë në vendim-marrje dhe në auditim. Bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar, një grup përfaqësuesish nga Gjykata Austriake e Auditimit ndërmori në shkurt 2016 një proces vlerësimi “Peer Revieë” dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve të këtij vleresimi.

Po në vitin 2015 “Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë » (QTIL), në bashkëpunim me USAID-in kanë realizura projektin « Forcimi i Ligjit përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së », i cili mund të konsiderohet pa dyshim një Mini Peer Revieë e mirëfilltë. Raporti Final i këtij projekti dhe rekomandimet e dhëna për KLSH-në në drejtim të përmirësimit të punës për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së janë profesionale dhe dobiprurëse për ne. Si institucion jemi duke hartuar një plan veprimi të detajuar për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga ana e QTIL.
Në zbatim të ISSAI-t 40 “Kontrolli i cilësisë”, grupi i shqyrtimit të dosjeve të auditimit, përzgjodhi në mënyrë rastësore 44 dosje auditimi (shqyrtimi “në të ftohtë” )  ose 27 % të auditimeve të kryera dhe të evaduara brenda muajit dhjetor 2015, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2014 ku u kontrolluan 32 dosje ose 20% e auditimeve. Ka një rritje të konsiderueshme të kontrolleve “ në të ftohtë”,  krahasuar me periudhën deri në vitin 2012 kur shqyrtoheshin deri në 10 % e auditimeve të evaduara brenda një viti.
Në Grupit të Shqyrtimit të Cilësisë u përfshinë auditues me përvojë nga çdo departament auditimi si dhe u angazhuan ekspertë të jashtëm, të drejtuar nga Prof. Dr. Jorgji Bollano, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit. Nga kontrollet e kryera, në disa dosje auditimi ka rezultuar se nuk ka dokumente për metodat dhe teknikat e auditimit si vlerësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, verifikimin e transaksioneve, informacione, pyetësorë etj, në përputhje me Rregulloren e Brendshme; në disa dosje të tjera auditimi janë konstatuar mangësi në procesin e planifikimit, që konsistojnë në faktin se në dosjen e auditimit nuk ka informacion paraprak, etj. Të gjitha mangësite, së bashku me rrugët për korrigjimin e tyre në të ardhmen, janë reflektuar në raportet e Grupit dhe nga KLSH po punohet për zbatimin e plotë të rekomandimeve të tij.   

E. Menaxhimi

Viti 2015 përkoi me 90 vjetorin e krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke ndërthurur më mire se në vitet e kaluara traditat dhe vlerat e përcjella në kohë të institucionit me qasjen moderne në auditim dhe zbatimin më efikas të standardeve ndërkombëtare të fushës ISSAI.
Filozofia e re menaxheriale e institucionit e shikon performancën e secilit auditues si të pandare nga niveli i njohurive mbi standardet ndërkombetare të auditimit, nivel i cili, krahas integritetit, aftësive profesionale dhe eksperiencës në punë, konsiderohet në institucion si përcaktues në cilësinë e gjetjeve që audituesi realizon dhe të rekomandimeve që jep.

F. Burimet Njerezore dhe Lidershipi

Duke u mbështetur në udhëzimet e standardeve ISSAI dhe në praktikat më të mira te SAI-ve te zhvilluara për ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve,  institucioni ka vijuar të investojë në zhvillimin e burimeve njerëzore, duke kryer zhvendosjen e strukturës së punonjësve ne dobi të trupës audituese. Punonjësit me arsim të lartë jo vetëm që zenë rreth 95% të numrit total të punonjësve, por po shikojmë te rekrutojme ata qe zoterojne gradën shkencore doktor i shkencave, që kane dy diploma në fusha dhe specialitete të ndryshme, auditues të brendshëm te çertifikuar, ekspertë kontabel, etj.

Trajnimi i stafit auditues brenda dhe jashtë vendit është parë nga institucioni si rruga me efektive për ngritjen e kapaciteteve. Treguesi i trajnimeve ka arritur në 27 ditë trajnimi për punonjës në vitin 2015. Për këtë vit u trajnuan jashtë vendit 136 persona, ose 83% e stafit auditues. Nëse në vitin 2011 treguesi i trajnimeve ishte 2.1. ditë trajnim në vit për punonjes, ne vitin 2012 ky tregues u rrit ne 19.4 dite trajnimi, ne vitin 2013 ne 22 dite, ne vitin 2014 26 ditë dhe në vitin 2015, 27 ditë trajnimi në vit. Për punonjesit e sapo-rekrutuar ky tregues është 30 ditë trajnimi në vit. Pjesëmarrja në trajnime e vendos KLSH-në në nivelet e SAI-ve të zhvilluara evropiane.

Janë realizuar tre forma të trajnimit profesional, 1-trajnimi përmes kurseve on-line, apo e - learning, 2- trajnimi “face-to face” me kontakt direkt me trajnuesin dhe trajnimi përmes shkëmbimit të eksperiencave të përbashkëta me eksperte te SAI-ve partnere dhe SIGMA-s, nëpërmjet pjesëmarrjes në seminare dhe ëorkshope.

G. Komunikimi dhe Menaxhimi i Palëve të Interesuara
Strategjia e Komunikimit dhe komunikimi i brendshëm

Strategjia e komunikimit na ndihmon të arrijmë objektivat tona të përgjithshme, duke u angazhuar në mënyrë efektive me palët e interesuara, duke demonstruar suksesin e punës tonë dhe duke u siguruar që partneret tanë strategjike dhe qytetaret të kuptojnë atë që ne bëjmë. Në kuadër të Projektit IPA, kishim planifikuar në Strategjine e përgjithshme të Zhvillimit të institucionit 2013-2015 qe te zhvillonim strategjine e komunikimit si produkt me vete, gjatë vitit 2015, por duke qenë se IPA startoi në mars 2016, kjo strategji do të zhvillohet gjatë këtij viti. Në zbatim të planit të Zhvillimit strategjik të institucionit dhe me mbështetjen e projektit IPA të BE-së, KLSH do të ripunojë strategjinë e tij të komunikimit për të qenë sa më pranë Kuvendit, publikut dhe medias, duke sjellë vazhdimisht ide të reja, të cilat janë  domosdoshmëri për të qenë  inovativë, atraktivë dhe në koherencë me ndryshimet e
Si institucion jemi të ndërgjegjshëm se komunikimi efektiv është nxitesi më i rëndësishëm ndaj përkushtimit të punonjësve. Jemi përpjekur që informacioni të rrjedhe lirisht në rrugët vertikale dhe horizontale të komunikimit, duke i krijuar mundesi secilit punonjës të KLSH të shprehet hapur për problemet që sheh në punën e tij dhe brenda institucionit.

Komunikimi me Palët Qeveritare

Gjatë vitit 2015, jemi përpjekur të bashkepunojme me Ministrinë e Financave, por megjithë përpjekjet tona, mbi bazën  e Standardit ISSAI 9150 “Koordinimi dhe bashkëpunimi mes SAI-t dhe audituesve të brendshem në Sektorin Publik”, nuk kemi arritur të dalim nga pozicionet klasike të audituesit dhe të të audituarit. Gjatë këtij viti shohim një rigjallërim te kontakteve mes të dyja institucioneve tona dhe shpresojme që marrëveshja e nënshkruar me 8 mars 2012 të zbatohet konkretisht në të ardhmen e afërt, si dhe ta zgjerojmë dhe ne një bashkëpunim me Drejtorinë e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave, sipas kërkesave të BE-së.

Komunikimi me Mediat, Qytetaret dhe Shoqërine Civile

Në bazë të Standardit ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e SAI-ve-te bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”,  Kontrolli i Lartë i Shtetit ka një qasje krejt të re ndaj komunikimit me publikun. Gjatë vitit 2015, kemi marrë 382 ankesa nga qytetarët. Nga këto, 252 kërkesa dhe ankesa kanë qenë në  kompetencë të KLSH. 143 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigja përkatëse, ndërsa 109 janë në procesin e verifikimit. Kujtojme që në vitin 2011trajtoheshin vetem 14 ankesa nga qytetaret.
Institucioni ka rritur gradualisht transparencën e veprimtarisë së tij, duke arritur në fund të vitit 2015 që të jetë i pranishëm 6.6 herë më shumë me informacione dhe mesazhe në median e shkruar, si dhe të pesëfishojë prezencën e tij në median audiovizive, krahasuar me vitin 2010.
Kemi vendosur vendimet e plota mbi auditimet në faqen tonë në internet klsh.org.al, që në thelb është raporti ekzekutiv dhe rekomandimet, të cilat janë vendosur në internet gjatë këtij viti.

Transparenca sjell besim te qytetari, sikurse e ka cilësuar edhe Standardi 12 “Për të qenë në gjendje që të përmbushin funksionet e tyre dhe për të siguruar vlerën e tyre të mundshme për qytetarët, SAI-t duhet të jenë krejtësisht transparente, qe të shihen si te besueshëm. SAI-t meritojnë besim vetëm nëse ata vetë janë gjykuar objektivisht si të besueshëm, kompetentë dhe të pavarur dhe që mund të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre ”

Gjatë vitit te kaluar, shtypi i shkruar ka pasqyruar  raportet dhe deklaratat për shtyp të KLSH me  922 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 867 të vitit 2014, ose 7% më shumë. Audituesit e KLSH kanë qenë të pranishëm pothuajse në të gjitha gazetat me qarkullim kombëtar, me 116 shkrime, të shkruara nga 50 auditues.  Falenderojme  të gjitha mediat, të cilat kanë qenë të hapura ndaj shkrimeve të audituesve tanë.
Per vitin 2015,  institucioni ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Komitetin Shqiptar të Helsinkit edhe me Organizatën “Integrimi Urban”, duke e çuar në 18 numrin e partnerëve të shoqërisë civile, me të cilët ka marrëveshje bashkëpunimi.
Kemi marrë pjesë në shumë grupe pune dhe aktivitete të organizuara nga INTOSAI dhe EUROSAI. Me shume vlerë ka qenë pjesëmarrja në Grupin e Punës për rishikimin e ISSAI 30 (Kodi i Etikës), ku institucioni ka qenë aktiv dhe ka paraqitur propozimet e tij ne 3 takimet e zhvilluara gjatë vitit 2015, si dhe në dy takime të grupit Task Force të EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën”,  temë ndër më aktualet për administratën publike, e lidhur direkt me integritetin dhe per parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Mbas nje shkëputjeje që nga viti 2004, riaktivizuam bashkëpunimin me Gjykatёn Europiane tё Audituesve (ECA), duke pёrfituar nga pёrvoja e mirё e njё prej institucioneve mё prestigjioze evropiane të auditimit. Pёr herё tё parё, katër auditues të KLSH kanë qenë pjesë e strukturave tё ECA-s për një periudhë 5 mujore internshipi.

KLSH ka rivendosur bashkëpunimin me GAO-n amerikane dhe në muajin Mars 2016 një audituese e KLSH-së nisi një felloëship 4 mujor pranë kësaj zyre, eksperiencë e cila do të jetë pozitive dhe dobiprurëse për ne.

Në vitin 2015, kolona e botimeve KLSH arriti në 51 tituj, duke i shtuar 16 tituj librash të 35 botimeve të publikuara në periudhën 2012-2014. Ndër titujt e 2015-es veçojmë Standartet e Auditimit të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (GAO), Manualin e Departamentit të Auditimit të Performancës “Indikatorët e Performancës”, Manualin e Auditimit të IT, Kodi i Etikës së INTOSAI-t (ISSAI 30), Kodin e Etikës së Gjykatës Evropiane të Audituesve(ECA) dhe Kodin e Etikës së KLSH, botimin “90 Vjet KLSH”, etj., si dhe tre numra të Revistës Shkencore “Auditimi  Publik”, e cila arriti në edicionin e 11-të të saj. Këtë vit kanë vijuar bashkëpunimin me ne për realizimin e Revistës personalitete të fushës së Ekonomisë nga vendi si dhe personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) nga vende të rajonit e më gjerë, si Prof.Ass.Dr.Recai Akyel, Zv/President i EUROSAI-t dhe President i Gjykatës Turke të Logarive; z. László DOMOKOS, President i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë, auditues nga SAI Kroat dhe nga Gjykata Gjermane e Auditimit.

Të nderuar deputete,

1. Materiali i Performancës së KLSH që Ju kemi percjelle në fund të Marsit 2016, hapet me një analize SËOT, që përfshin Fuqitë, Dobësite, Mundësitë dhe Kërcënimet ndaj institucionit, duke e vënë theksit tek Dobësitë dhe Kërcënimet.  Këtë analizë e kemi kryer me idene që të tregojme edhe mangësitë tona dhe bindjen që, bazuar në rekomandimet Tuaja në Rezolutë, do përmirësohemi, por, për arsye të kohës së kufizuar nuk po e paraqesim.
2. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet e Kuvendit me KLSH të institucionalizohen dhe zhvillohen më tej, sikurse eksperiencat e shumë SAI-ve evropiane e dëshmojnë, ndoshta duke krijuar një Nenkomision që mund të trajtojë problematiken e auditimit të jashtëm publik, në strukturat e Kuvendit ose dhe brenda në Komisionin e Ekonomisë.
3. Ka ardhur koha që ne të paraqitemi disa herë gjate vitit para Komisionit të Ekonomisë. Ne si KLSH do ta vlerësonim shumë që Komisioni të merrte në konsiderate mundësine e organizimit të një seance ku të raportonim për auditimet e performancës së KLSH gjatë këtyre katër viteve. Gjykojmë se periudha mars-prill 2017, pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit për KLSH, do te ishte më e përshtatshmja, që të kemi kohë të reagojme për Rezolutën  Tuaj. Një auditim të rëndësishëm performancë(ate mbi liberalizimin e shërbimit të kontrollit fizik të automjeteve) e realizuam pas sugjerimit të marrë nga deputetet e Komisionit dhe do të donim që raste të tilla të shpeshtoheshin në të ardhmen.
4. Kërkojmë të zbatohet Vendimi i Kuvendit iniciuar me kërkesën e KLSH dhe Komisionit të Ekonomise për auditimin e llogarive financiare të KLSH.