Njoftime

Struktura e implementimit të projektit IPA të KLSH-së merr pjesë në takimin e katërt të këshilltarëve rezidentë

06.07.2016

 

Për një implementim sa më të suksesshëm të projekteve të Instrumentit të Paraasociimit (IPA) nga Drejtoria e Përgjithshme e Negociatave për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Komisionit Evropian (DG NEAR) u organizua në datat 23-24 qershor 2016, në Bruksel, Belgjikë, trajnimi i  katërt i përbashkët  për këshilltarët rezidentë  të projekteve IPA dhe homologët e tyre përfaqësues të vendeve kandidate dhe fqinje të BE.

Ky trajnim kishte si qëllim t’u mundësonte pjesëmarrësve të njihnin më nga afër politikat e BE për zgjerimin dhe fqinjësinë si dhe me procedurat konkrete për implementimin e projekteve të binjakëzimit.
Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues  nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Ukraina Algjeria, Azerbajxhani, Maroku, Tunizia dhe Turqia.

Drejtuesja e Njësisë  për Ngritjen e Institucioneve e TAIEX  dhe Twinning në DG NEAR, znj. Heike Berstbrein bëri një prezantim të politikave  të BE për zgjerimin dhe fqinjësinë duke u përqendruar në çështjet specifike për çdo rajon.
Specialisti i njësisë së DG NEAR, z. Christophe Casillas në prezantimin e tij i njohu pjesëmarrësit me metodat e punës dhe çështjet e menaxhimit në terren të projekteve të binjakëzimit.
Një rëndësi e veçantë gjatë trajnimit ju kushtua gjithashtu edhe çështjes së vizibilitetit të projekteve për ti bërë prezent institucioneve dhe publikut ecurinë e implementimit të projekteve të binjakëzimit.

Një nga instrumentet e tjerë mjaft frytdhënës të prezantuar gjatë këtij trajnimi ishte edhe instrumenti i asistencës teknike dhe shkëmbimit të informacionit të komisionit Evropian  (TAIEX). TAIEX mbështet administratat publike me lidhje me përafrimin, aplikimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së, si dhe lehtësimin e shkëmbimit të praktikave më të mira të BE-së. Vendet kandidate mund të aplikojnë për përfitimin e financimit për organizimin e workshop-eve, ekspertiza e thelluar e ekspertëve në një fushë të caktuar për përafrimin e legjislacionit vendas me atë të BE dhe vizitat studimore  në administratën e një shteti anëtar të BE.

KSH në këtë trajnim u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm dhe njëkohësisht drejtuese e projektit në KLSH, Znj. Luljeta Nano, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe marrëdhënieve me Jashtë, si dhe RTA Couterpart, znj. Irena Islami dhe Specialiste e implementimit të projektit, znj. Alma Shehu.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është përfitues i financimit nga fondet IPA 2013 të Bashkimit Evropian, me vlerë 2.1 milionë euro të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të jashtëm në  Shqipëri”. Institucionet e vendeve anëtare të BE që do të implementojnë këtë Projekt në KLSH janë Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë dhe Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë. Objektivi i përgjithshëm i Projektit është përmirësimi i llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike në administratën publike shqiptare. Nëpërmjet Projektit, ekspertët evropianë do të kontribuojnë në forcimin e drejtimit dhe kapaciteteve teknike të KLSH-së për planifikimin dhe kryerjen e auditimeve në përputhje me standardet dhe metodologjitë e BE-së dhe ato ndërkombëtare. 
Projekti  i binjakëzimit ka filluar të implementohet në KLSH prej 16 marsit 2016.