Njoftime

KLSH merr pjesë në tryezën e rrumbullakët për Pavarësinë e SAI-ve, organizuar në Sarajevë

20.09.2016

 

Në datën 8 shtator 2016, me iniciativë të Zyrës së Auditimit të Institucioneve të Bosnje dhe Herzegovinës (SAIBiH), rrjeti i Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe para-kandidate për në BE dhe Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA) u takuan në Sarajevë dhe diskutuan lidhur me Pavarësinë e SAI-ve.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesit e tetë SAI-ve nga : Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Serbia, Rumania dhe Turqia. Morën pjesë gjithashtu përfaqësues të ECA dhe të SIGMA, të cilët ishin pjesë e realizimit dhe e mbështetjes së aktivitetit. Në këtë tryezë kishte 45 pjesëmarrës.

sarajeva_2848_0

Delegacioni Shqiptar u përfaqësua në këtë aktivitet nga zj.Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme, z.Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik, zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe z.Flavjo Xhuveli, jurist.

Punimet e takimit u hapën me rezultatet e një sondazhi për pavarësinë e SAI-ve, në të cilin kanë marrë pjesë SAI-t e vendeve kandidate dhe para-kandidate për në BE, si edhe  Gjykata Evropiane e Audituesve.
Nga përgjigjet e sondazhit rezulton se disa SAI gëzojnë një nivel dukshëm më të lartë të pavarësisë se të tjerët. Sipas përgjigjeve të paraqitura nga dhjetë SAI-t, mund të konkludohet se SAI-t e Shqipërisë, Kosovës, Turqisë, Maqedonisë dhe Republikës së Bosnje Hercegovinës janë në pozita më të favorshme në lidhje me nivelin e tyre të përgjithshëm të pavarësisë. Nga ana tjetër, SAI-t e Malit të Zi, Serbisë dhe Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës përballen me sfida më të mëdha të shkaktuara kryesisht nga devijimet apo boshllëqet në mes të asaj që është përcaktuar zyrtarisht nga ligjet dhe asaj që ndodh në realitet.

Gjatë takimit pati diskutime nga të gjitha SAI-t pjesëmarrëse lidhur me :

  • Pavarësia statutore dhe impakti i ligjeve dhe rregulloreve të tjera në  veprimtarinë e SAI-ve;

  • Ndikimi i auditimeve të detyrueshme me ligj në punën e SAI-t, përfshirë edhe auditimin e partive politike;

  • Sfidat e pavarësisë financiare dhe liria në përdorimin e burimeve të alokuara.

Gjatë shqyrtimit të  sfidave të pavarësisë  së SAI-ve  dhe të çështjeve që lidhen me të, është e rëndësishme që të merret në konsideratë konteksti ku operon SAI. U theksua që pavarësia është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për SAI-et, sipas deklaratës së Limës dhe të Meksikos. Kjo çështje është reflektuar gjithashtu në Mars të vitit 2012 në Rezolutën 66/209 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke promovuar llogaridhënien, efektivitetin dhe transparencën e administrimit publik , duke forcuar SAI-t, të cilat mund të përmbushin detyrat e tyre me objektivitet dhe efektivitet vetëm nëqoftëse ato janë të pavarura nga entiteti që auditohet dhe janë të mbrojtura nga ndërhyrjet e jashtme.

Gjatë diskutimeve iu kushtua rëndësi edhe faktit që pavarësia e SAI-ve është shumë e rëndësishme edhe në kuadër të detyrave që kanë vendet kandidate dhe para-kandidate për integrimin në BE.
Tryeza ia arriti qëllimi, duke u dhënë mundësinë të gjithë pjesëmarrësve që të diskutojnë dhe të evidentojnë sfidat me të cilat ballafaqohen SAI-t, në lidhje me pavarësinë e tyre ligjore, organizative dhe financiare. Gjithashtu, në këtë takim u zhvillua një analizë e plotë e çështjeve kyçe dhe u identifikuan dhe diskutuan shembuj të praktikave të mira të SAI-ve, mbi të cilat mund të mbështeten për të gjetur zgjidhje potencialisht të zbatueshme.
Të gjitha analizat dhe diskutimet do të shërbejnë për të marrë masa për të përmirësuar pavarësinë e SAI-ve. Së shpejti lidhur me këtë aktivitet do të ketë edhe një deklaratë.

Në fund të takimit  u theksua që SAI-t mund të përmirësojnë dhe të mbrojnë pavarësinë e tyre duke treguar në mënyrë të vazhdueshme vlerat dhe dobitë e punës së tyre.

Takimi i radhës i network-ut do të jetë në muajin nëntor 2016 në Ankara dhe takimi i vitit 2017 do të organizohet në Shqipëri.