Njoftime

KLSH merr pjesë në takimit të III-të të Grupit të Punës të EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat.

05.04.2017

Në datat 30-31 mars 2017 u zhvillua në Romë, takimi i III-të i Grupit të Punës të EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat. Takimi ishte konceptuar në formën e seminarit dhe prezantimit të raporteve të auditimit të kryera në këtë fushë nga vendet anëtare të grupit.
Në fjalën e çeljes së aktivitetit, Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Italisë, z. Arturo Martucci di Scarfizzi theksoi se Italia është një nga vendet evropiane, e cila vitet e fundit është prekur nga katastrofat natyrore, çka e ka bërë të domosdoshme ngritjen e mekanizmave për minimizimin e pasojave nga këto katastrofa. Auditimi i masave dhe programeve të hartuara nga qeveria i ka shërbyer dhënies së rekomandimeve për përmirësimin e programeve të emergjencave  dhe minimizimin e rasteve korruptive, të cilat evidentohen në situata të tilla kur qeverive dhe strukturave të tyre iu duhet të marrin vendime të shpejta për ti ardhur në ndihmë popullatës së prekur nga këto katastrofa.
Presidenti në detyrë i SAI të Ukrainës, z. Aleksandr Yaremenko, SAI drejtues i Grupit të Punës, bëri prezantimin e aktivitetit tre- vjeçar  duke vënë theksin tek implementimi i suksesshëm i strategjisë së grupit të punës, kryerjen në bashkëpunim ose më mënyrë paralele të 3 auditimeve nga SAI-t anëtare, zhvillimin e 3 seminareve dhe workshop-eve të cilat synonin shkëmbimin dhe përfitimin e eksperiencave më të mira në fushën e auditimit të fondeve të alokuara për rastet e katastrofave. 
Në takim u prezantua edhe strategjia e tre viteve të ardhshme,  e cila do të fokusohet në implementimin e Axhendës 2030 të  Kombeve të Bashkuara për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, parandalimin e katastrofave të shkaktuara nga njeriu dhe ngritja e kapaciteteve e shkëmbimin i eksperiencave mes SAI-eve.
Të takim u prezantua edhe draft rezoluta e Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat që do të prezantohet edhe në Kongresin e EUROSAI-t që do të zhvillohet  në maj të vitit 2017 në Stamboll, në të cilin do të kërkohet  gjithashtu edhe zgjatja e mandatit të këtij grupi pune.

roma alma

Në seminarin me temë “Mundësitë e auditimeve të performancës për vlerësimin e aktiviteteve për parandalimin e eliminimin e pasojave të katastrofave” SAI-et e Ukrainës Bullgarisë, Federatës Ruse, Polonisë, Turqisë, Italisë dhe Gjykatës Evropiane të Audituesve referuan mbi praktikat e tyre për planifikimin, kryerjen dhe raportimin për auditimet e performancës të kryera në fushën e fundeve të alokuara për fatkeqësitë dhe katastrofat.
SAI i Ukrainës i cili ka kryer një sërë auditimesh për fundet e alokuara për katastrofat në prezantimin me temë “Identifikimi i çështjeve të mundshme në auditimet e performancës në fushën e parandalimit  dhe ndihmës në rastet e katastrofave në përudhje me standardet e INTOSAI-t” u ndal në veçanti në qasjen që duhet të kenë SAI-t për auditime të tilla, të cilat janë sensitive për publikun dhe parlamentin, standardet ndërkombëtare mbi të cilat duhet të mbështetet puna audituese, në dizenjimin e piramidës së pyetjeve dhe  korrelacionin midis risqeve, kritereve dhe rekomandimeve. 
Në sesionin e ditës së dytë “ Praktikat më të mira të institucioneve supreme të auditimit” u prezantuan rezultatet e auditimit ndërkombëtar mbrojtjen nga ndotja e lumit Bug, raporti  për koordiminin e përgjegjësive për t’ju përgjigjur fatkeqësive jashtë BE  të kryer nga Gjykata Evropiane e Auditimit, rezultatet e auditimit të performancës mbi përdorimin e fondeve shtetërore  për minimizimin e pasojave të katastrofës së Chernobil-it dhe rezultatet e auditimit për sistemin e kontrollit për menaxhimin e përmbytjeve të kryer nga SAI i Polonisë.
Të takimin e III të Grupit të Punës të EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat,  në të cilin morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të SAI-eve të Ukrainës, Bullgarisë, Gjykatës Evropiane të Audituesve, Federatës Ruse, Polonisë, Rumanisë, Serbisë, Turqisë, Moldavisë, Italisë dhe Letonisë dhe Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm, znj. Manjola Naço dhe Audituese e Parë, znj. Alma Shehu.