Njoftime

Prof. Dr. Skënder Osmani dhe Kryetari i KLSH-së Dr.Bujar Leskaj, zhvilluan leksionin me temë “Burimet, menaxhimi dhe stafi”

13.04.2017

Në ambientet e Fakultetit të Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Skënder Osmani dhe Kryetari i KLSH-së Dr.Bujar Leskaj zhvilluan një leksion me temë “Burimet, menaxhimi dhe stafi”. Të pranishëm në leksion ishin dekani i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave,  Prof. Dr. Vasil Jorgji, ish-dekani Prof. Dr. Përparim Hoxha, pedagogët Prof. Dr. Gafur Muka, Prof. Dr. Thoma Korini, Prof. Dr.Bashkim Çela, studentë si dhe auditues e drejtues të KLSH-së.

Leksioni trajtoi çështjet e mëposhtme:

•Burimet, Struktura, Sistemi, Risku, Menaxhimi;

•Optimizimi, Kërkimi Operacional, Menaxhimi;

•Optimizimi me shumë kritere, vendimmarrja, qeverisja;

•Nevoja për ngritjen e  Departamentit të Menaxhimit dhe Institutit të Menaxhimit;

•FGJM dhe KLSH-Operatorë të rëndësishëm zhvillimi;

•Përfundime-Menaxhimi, Prapambetja, Zhvillimi, Reformat.

 

sobl2 sobl3

Në prezantimin e leksionit, Prof. Dr. Skënder Osmani nënvizoi rëndësinë e menaxhimit, si një gur themeli për zhvillimin e vendit. Me një historik zhvillimi qysh prej vitit 1997, menaxhimi si disiplinë shkencore ende nuk është lëvruar në të gjithë morfologjinë e saj shkencore. “Menaxhimi është në rend dite si diplomë në vendet e zhvilluara dhe mjafton të përmendim se në Britaninë e Madhe ekzistojnë rreth 51 tekste për këtë disiplinë. Menaxhimi është sinonim i zhvillimit në çdo fushë, në mësim, punë, mjekësi, shkencë, politikë, kulturë, kontroll, etj., në çdo cep e sektor te vendit në energji, industri, financë, ekonomi, qeverisje, mjedis, mbrojtje etj. Kuptimet themelore te tij si burim, strukturë, sistem, proces, inteligjencë, funksion etj, të zbatuara në praktike janë universale për nga vlera, drejtimi , strategjia, studimi, kërkimi dhe zhvillimi. Jeta është projekt, jeta është risk, jeta është menaxhim, jeta është sistem, jeta është, jeta është efiçiencë, jeta është fazi”.

Po çfarë është menaxhimi? Për Prof. Dr. Skënder Osmani, përkufizimi që përmbledh të gjitha kuptimet që mund t’i jenë dhënë këtij nocioni është se menaxhimi përbën ndryshimin e një gjendje të caktuar. “Menaxhimi nuk është thjeshte burim, por çdo element përbërës i tij, duke filluar nga struktura e deri te risku që ndikon në zhvillim. Problemi i strukturave te zhvillimit të një vendi, është një problem po kaq i rëndësishëm sa ai i burimeve. Studenti i merr kuptimet e tij që në hyrje te Menaxhimit, p.sh. sa Universitete duhet te ketë vendi, sa qarqe, sa fshatra duhet të ketë një komunë, shkurt sa nensisteme duhet te kemi apo sa variante duhet te ketë një projekt X, sa kritere, sa struktura burimesh njerëzore, monetare, terminologji, burime informacioni, sa kafe duhet të kemi në një rrugë, pse jo të paktën ne mënyrë racionale apo intuitive edhe sa dikastere, sa variante buxheti, sa parti, sa reforma etj”.

Leksioni nxiti pyetje dhe diskutime mes pedagogëve, studentëve dhe lektorëve veçanërisht në atë se si klasifikohen njerëzit në këtë proces. Profesor Osmani bëri një ndarje në tre kategori të njerëzve. “ Të parët janë ata që bëjnë strategjinë, të dytën janë ata që përpunojnë alternativat e strategjisë dhe në kategorinë e tretë janë ata njerëz që zbatojnë strategjinë për realizimin e qëllimit”.
Ndërthurja e debatit filozofik mbi jetën dhe atij shkencor mbi menaxhimin si disiplinë duket se nuk shkaktoi përplasje konceptuale, siç rëndom ndodh mes filozofisë dhe shkencës. Përkundrazi, krijoi një “mirëkuptim” mes dy koncepteve reflektuar kjo në aksiomën se jeta është optimizim me shumë objektiva dhe kritere. Në të gjithë sipërmarrjet e tij, qofshin ekonomike apo jo, njeriu kërkon të përcaktojë maksimumin ose minimumin e asaj çka synon të arrijë. Në këtë gjykim, theksoi Prof. Dr. Skënder Osmani parimi i 3-ve, ekonomiciteti, eficienca dhe efektiviteti na përcaktojnë maksimumin ose minimumin më të afërt, por jo nivelin e saktë. Problemi bëhet edhe më kompleks kur një nga kriteret dominonin mbi të tjerët. Në këtë rast, theksoi Profesor Osmani, është efiçienca që na vjen në ndihmë për të dhënë gjykimin tonë se cilët nga kriteret prevalon mbi tjetrin. Optimizimi me shume kritere dhe plotësime është vazhdimi i punës së bërë nga përvoja e deritanishme në Universitet dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit si edhe i synimeve të zhvillimit të optimizimit dhe i zbatimit te tij për rritjen e performances në shumë fusha inxhinierike, ekonomike, financiare, mjedisore, infrastrukturore, shëndetësore, në fund por jo me më pak rendësi, ne auditimin dhe kontrollin”, theksoi Prof.Dr. Osmani.

Një komponent i rëndësishëm i menaxhimit është edhe teoria e lojës dhe në shtjellimin e kësaj teorie, leksioni i Prof. Dr. Skënder Osmanit dhe Dr. Bujar Leskaj solli idetë e ekonomistit të shquar, Lloyd Shapley, laurant i çmimit Nobel, si mjeshtër i lëvrimit të teorisë së lojës. “Në një sistem burimet bashkëveprojnë e procedohen neper strukturën dhe ose infrastrukturën përkatëse që i mban këto burime të bashkëveprojnë, komunikojnë. Kur këto burime janë njerëz, ky bashkëveprim ndërmjet tyre ne përgjithësi është reciprok, njeri thotë një gjykim, etj, tjetri e pret dhe thotë te tijen, i pari e dëgjon, i dyti e pret, pastaj mesazhi i pritur dërgohet tek origjina, e kështu me radhe vazhdon loja, ndërsa kur njeri nuk e vazhdon, apo e le sipas një marrëveshje para se të futet në lojë, atëherë kundërshtari shpallet fitues. Kjo është një loje siç quhet fito-humb, ose win-loose. Por, përfundimet e nobelistit , Lloyd Shapley kanë provuar që edhe në një konflikt apo keqkuptim, gjithmonë në bashkësinë e alternativave gjendet një variant win-win, d.m.th që te dy partneret ne loje mund të fitojnë, njeri me shumë e tjetri më pak, d.m.th jo i tillë që njeri të jetë humbës e tjetri fitues.

Leksioni i Prof. Dr. Skënder Osmani dhe Dr.Bujar Leskaj, përpos një analizimi teorik dhe praktik të menaxhimit si një disiplinë shkencore, përmban një propozim për ngritjen e një Institutit të Menaxhimit, për përgatitjen universitare të menaxherëve në Fakultetin e Gjeologjisë ose në përgjithësi në Universitetin Politeknik me kurrikula të ndara ose jo të ndara me pjesëmarrjen e një ose disa fakulteteve nga Universiteti Politeknik dhe jashtë tij. Sipas lektorëve, kjo është një domosdoshmëri kombëtare duke patur parasysh që vendi ynë ka një prapambetje relativisht të madhe, madje dhe rolin e projektizimin, të menaxhimit, modelimit, optimizmit, riskut për zhvillimin e vendit.

Leksioni ishte në shenjë homazhi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për rektorin e parë të Universitetit të Tiranës, Prof.Kahreman Ylli, për rektorët Prof. Petrit Radovicka dhe Prof. Osman Kraja si dhe për dekanët Prof.Eshref Pumo dhe Prof.Rexhep Reka.