Njoftime

Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke, Ing. Miloslav Kala viziton KLSH-në në datat 2-3 gusht

31.07.2017

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar me Kontrollin e Lartë të Shtetit, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala do të vizitojë Shqipërinë në datat 2-3 gusht 2017. Presidenti Kala do të takohet me Kryetarin e KLSH-së, z.Bujar Leskaj, për të diskutuar mbi implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit. Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti Kala do të takohet me Presidentin e Republikës, z.Ilir Meta dhe do të zhvillojë edhe një leksion me audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Ing. Miloslav Kala është afirmuar si një personalitet i lartë në fushën ekonomike dhe politike të Republikës së Çekisë, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme si kryebashkiak dhe deputet. Veprimtaria e tij publike është vlerësuar nga figura të larta shtetërore. Më poshtë, janë dy vlerësime nga z. Bohuslav Sobotka, Kryeministër i Republikës Çeke, njëkohësisht Kryetar i Partisë Social Demokrate dhe z. Radko Martínek, Senator.

Nga: Bohuslav Sobotka,

(Kryeministër i Republikës Çeke dhe Kryetar i Partisë Social Demokrate të Çekisë)

Fati i jetës time është ndërthurur me fatin e Miloslav Kalës në disa momente që kanë qenë të lidhura me interesat e përbashkëta të menaxhimit financiar publik, por edhe nga fakti se ndajmë të njëjtat vlera njerëzore për solidaritet dhe drejtësi. Si një anëtar i Partisë Social Demokrate Çeke, Miloslavin e njoh si një kryebashkiak të spikatur të Blanskos, një qytet ku ka ditur të menaxhojë problemet, por në të njëjtën kohë të ecë përpara. Ai tregonte vëmendje dhe kujdes për këtë qytet edhe kur iu bashkua Dhomës së Deputeteve në 2002, në një kohë kur bashkë me të vizitova Blanska si Ministër i Financave të Qeverisë Social Demokrate. Kaluam një kohë të gjatë duke folur mbi projektet publike, shumicën e të cilave ia dolëm që t’i realizonim. Më i rëndësishmi ishte fillimi i ndërtimit të hekurudhës Express R43.

 

Më vonë, Miloslav Kala u bë anëtar dhe Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Çeke të Konsolidimit, e cila ishte problematike për nga natyra si pasojë e privatizimeve të egra dhe socializmit në 1990. Për mua, si ministër i Financave, ishte një lehtësim që kisha dikë të besueshëm dhe të aftë në Bordin Mbikëqyrës, opinionin e të cilit mund ta dëgjoja pa frikën se fshihej ndonjë interes tjetër. Kur Miloslav Kala vendosi të përfshihet në Institucionin Suprem të Auditimit, nuk më erdhi mirë për shkak se ishin të paktë ata deputetë që bëjnë politika të ndershme në interes të publikut. Megjithatë, isha një kënaqësi e madhe për mua kur u zgjodh President i SAO.

Nga: Radko Martínek, Senator

E njoh Miloslavin për një kohë të gjatë. E kam parë si kryetar të Bashkisë së Blanskos, qendrën e rajonit të rinisë sime. Shumicën e kohës e kam kaluar në Velka Opotibice dhe më duhet ta pranoj se nuk më pëlqente të vizitoja Blansko-n. E shihnim si qytet të harruar, të palumtur. Fakti është se Blansko ka ndryshuar shumë dhe padyshim kjo është meritë e Miloslavit, kryebashkiakut.

Personalisht e kam njohur Miloslavin në Dhomën e Deputetëve. Të gjithë ne jemi specializuar në diçka, unë në politikat rajonale ai në çështjet ekonomike. Në këtë dhomë ai do të spikaste me personalitetin e tij. Në këtë “kafaz të artë” me ndasi dhe tensione, të paktë janë ata që fokusohen në punë, dhe Miloslavi i përkiste këtij grupit të fundit.

Fakti që Miloslavi u fokusua në çështjet e kontrollit ishte surprizuese. Politikanët zakonisht nuk i pëlqejnë kontrollet. Eksperienca me institucionet audituese nuk është e mirë, duke qenë se askush nuk ka dëshirë të kontrollohet.

Miloslavi vendosi të përfshihej në Institucionin Suprem të Auditmit dhe besoj se ky ishte një vendim i mirë. Për shkak të një situatë të tensionuar qe parlamenti kishte me paraardhësin e tij, zgjedhja e Miloslavit ishte e duhur dhe u provua e duhura me ndryshimet që solli në SAO.

Miloslavi mund ta përballonte pozicionin e ri. SAO dhe e gjithë fusha e kontrollit duhet të ndryshonte rrënjësisht.