Muaj i hapur 2017

Vazhdojnë aktivitetet e Muajit të Hapur në KLSH

15.11.2017

Në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Hapur në KLSH, që synojnë rritjen e transparencës së aktivitetit të institucionit për qytetarët, në datat  10 dhe 11 nëntor 2017 u zhvilluan një sërë aktivitete.

Për të bërë prezent mënyrën se si auditohet nga KLSH menaxhimi dhe administrimi i aseteve nga institucionet e qeverisjes vendore,  nga Drejtori i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, z. Bajram Lamaj  u prezantua në datën 10 nëntor, në ambientet e institucionit botimi “Guida e Planifikimit të Menaxhimit dhe Administrimit të Aseteve në Vetëqeverisjen Vendore”.

Ky botim i KLSH-së vjen për lexuesin shqiptar në një moment kyç për reformën administrative dhe territoriale, ku njësitë vendore përballen me sfida përcaktuese për të ardhmen e tyre.
Opinioni publik kërkon që kjo reformë të ofrojnë shërbime publike më efiçiente për qytetarët, që institucionet vendore të mbledhin në mënyrë më efektive taksat dhe tarifat vendore, duke krijuar mundësi më të mira për të promovuar zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm.

Ky libër përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm për dy kategori:
- Drejtuesit dhe punonjësit e njësive të qeverisjes vendore. Guida u vlen atyre për administrimin modern të aseteve të bashkive, në klasifikimin, mirë regjistrimin, ruajtjen dhe mirë përdorimin e tyre.
- Audituesve të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe studentëve që diplomohen në fushat e menaxhimit, inxhinierisë, administrim-biznesit, etj., të cilët nesër mund të jenë drejtues e specialistë të qeverisjes.

Në botim gjendet të shtjelluara në mënyrë të detajuara konceptet e menaxhimit të aseteve vendore dhe publike, koncepte mbi klasifikimin e llojeve të aseteve vendore, përfitimet nga Menaxhimi i Aseteve,  qasja fitimprurëse ndaj menaxhimit të aseteve vendore,  niveli i dobishmërisë si udhëzues për administrimin dhe për përdorimin nga stafi menaxhues i NJVQV-ve,  opsionet për trajtimin e aseteve me kalimin e kohës,  përdorimi dhe mirëmbajtja e aseteve kritike (AK) dhe shqyrtimi vjetor i kostove për zëvendësimin e aseteve.

Aktiviteti u ndoq me interes nga auditues, ekspertë të jashtëm dhe studentë të Universitetit Bujqësor Tiranë.
Në kuadër të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe ekspertë të jashtëm në datën 10 nëntor 2017, në ambientet e KLSH u prezantuan tre botimet e fundit të Prof. Dr. Sazan Guri: “Misioni i shqipes dhe Shqiptarëve”,  “Si të rrokim greqishten, latinishten, anglishten....me gegërishten...” dhe “Visaret e shqiptarëve ndër shekuj të mijëvjeçarëve”.

Botimet janë rezultat i një punë të gjatë e të palodhshme studimore për të konsoliduar përpjekjet e studiuesve shqiptare për të dokumentuar gjuhën shqipe si gjenezë e disa prej  gjuhëve evropiane dhe kontributin e shqiptarëve në historinë evropiane.

Aktivitetet e datës 10 nëntor vazhduan me prezantimin e dy botimeve të tjera të KLSH-së” dhe “Audituesit e KLSH në shtypin e përditshëm, Volumi VI”,   si dhe prezantimin “Teknikat e auditimit”.

Audituesja Melina Kabo prezantoi më pas botimin  “4 vjet Auditim Publik 2012-2015”, i cili e projekton KLSH-në përpara lexuesit shqiptar në të gjitha përmasat e transformimeve drejt një organizate model të auditimit suprem, e cila udhëheq nëpërmjet shembullit që jep, në përputhje me orientimin Strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.

Botim kërkon të shpalosë përpara publikut, përmes dokumenteve të Kryetarit të KLSH-së, ndryshimin dhe evoluimin e kësaj strukture, në radhë të parë në mendësinë e punës audituese dhe në rritjen e cilësisë së gjetjeve dhe rekomandimeve të saj.

Audituesja Eni Kabashi prezantoi dhe bëri një përmbledhje të botimit “Audituesit e KLSH në shtypin e përditshëm, Volumi VI”.

Prezenca e audituesve të KLSH-së në shtypin e përditshëm nuk është më një risi për KLSH-në, por është rrjedhë normale e punës për audituesit, që gjetjet dhe rekomandimet e tyre kryesore të mund t’i shtjellojnë me shkrime dhe analiza në shtypin e përditshëm.

Kjo është arsyeja që vëllimi i VI-të (janar –qershor 2016) prezantuar  lexuesit përmban gjithnjë e më shumë shkrime konkrete për problematikat që hasen më shpesh në jetën e përditshme të qytetarit që merr shërbime publike, por dhe që janë më të mprehtat, të cilat janë evidentuar në auditivet e kësaj periudhe.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, audituesit e KLSH kanë qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 61 shkrime, te shkruara nga 53 auditues të KLSH-së.

Aktiviteti vijoi më pas me “Analizat e praktikave të Auditimit” me Departamentin e Auditimit të Institucioneve Qendrore.

Teknikat e përdorura në Auditim,  të cilat konkludojnë me hartimin e raportit të auditimit dhe rekomandimeve për përmirësimin e punës dhe performancës së institucioneve që auditohen ishte tema tjerër e prezantuar nga Kryeaudituesje, Aulona Jonuzi. Prezantimi i tyre tek publiku i jep mundësinë atij të kuptojë qasjen, standardet dhe kriteret e përdorura nga audituesit e KLSH për auditimin e veprimtarisë së subjekteve që përdorin paranë publike.  

Në prezantim u theksua se KLSH kryen auditime përputhshmërie, financiare, performance dhe të sistemeve të TI.

Procedurat dhe teknikat e auditimit në KLSH bazohen në ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014, ISSAI-t, manualet e auditimit financiar dhe te përputhshmërisë  si dhe në Rregulloren  e procedurave të auditimit të KLSH-së, e cila ka për qëllim të  përcaktojë hapat dhe procedurat që duhet të ndjekin audituesit për kryerjen e auditimit si dhe dokumentat standarde, qasjet, metodat dhe teknikat që audituesit duhet të përdorin gjatë veprimtarisë së tyre audituese.

Kështu auditimet e përputhshmërisë në KLSH kryhen duke u bazuar në ISSAI 4200 dhe përfshijnë:

-Verifikimin e përgjegjësisë financiare të subjekteve përgjegjës, nëpërmjet ekzaminimit të të dhënave financiare;
-Auditimin e sistemeve financiare dhe transaksionet, duke përfshirë dhe vlerësimin e përputhshmërisë me ligjet dhe rregulloret;
-Auditimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik; dhe
-Auditimin e integritetit dhe përputhshmërisë së vendimeve administrative të marra nga subjekti i audituar .
Lidhur me auditimet  financiare u theksua se ato duhet:
-Të japin siguri të arsyeshme nëse pasqyrat financiare në tërësi nuk përmbajnë gabime materiale qoftë nga mashtrimi dhe gabimet;
-I mundësojnë audituesit dhënien e një opinioni nëse pasqyrat janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kornizën e zbatueshme të raportimit financiar.

Në vazhdën e aktiviteteve të planifikuara për Muajin e Hapur në KLSH në datën 11 nëntor  2017 u zhvillua takimi i audituesve të Departamentit  të  Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit me Prof. Dr. Sazan Guri në studion e “G&G”Group.

Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj theksoi se për çështje të tilla sensitive si auditimi i mjedisit, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve audituesit kanë nevojë për mbështetjen dhe ekspertizën e ekspertëve më të mirë të fushës. KLSH e ka kuptuar që vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë  me ekspertët e fushës mund të realizojë auditime cilësore, të cilat do të evidentojnë qartë problemet mjedisore dhe mund të hartojë rekomandime cilësore të cilat do tu vijnë në ndihmë subjekteve të audituara.

Z. Guri i njohur për eksperiencën dhe ekspertizën e shkëlqyer në çështjet që lidhen me mjedisin dhe problematikat e tij, bëri në prezantim të hollësishëm të aktivitetit të studios së tij, e cila është krijuar prej vitit 2004.

Në takim u theksua se disa nga çështjet që KLSH mund të marrë për bazë në fazën e hartimit të planit vjetor mund të jenë: zonat e mbrojtura detare, strategjitë institucionale për shtimin e numrit të HEC-eve në Shqipëri, menaxhimi i mbetjeve bujqësore dhe rikompostimi i tyre, etj.