Muaj i hapur 2017

KLSH merr pjesë në panairin ndërkombëtar të Klik Expo Group dhe në aktivitete të tjera në kuadër të muajit të transparencës, 23-30 nëntor

06.12.2017

Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë këtë vit për herë të dytë në Panairin Ndërkombëtar të Klik Expo Group, që u organizua në Tiranë në datat 23 – 26 nëntor 2015.

Panairi i Klik Expo Group erdhi në edicionin e 24-të me një përmbajtje të re në temën Biznes -Kulturë-Bashkëjetesë.

Ky panair është një nga evenimentet që e ka kthyer kryeqytetin shqiptar, Tiranën, në pikë takimi mundësish dhe ndërveprimi.Kontrolli i Lartë i Shtetit u paraqit në këtë panair me kolanën e plotë të botimeve të tij për periudhën 2012- 2017, 77 botime gjithsej, nga të cilat 10 botime janë botuar gjatë periudhës janar - tetor 2017.

Gjithashtu KLSH mori pjesë dhe në Kongresin Shkencor Ndërkombëtar “Menaxhimi dhe trajtimi i integruar i mbetjeve në gjendje të lëngët, të ngurtë dhe të gaztë” në datat 24 – 25 nëntor. 

hap 2 hap 3

Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj në fjalën përshëndetëse në Kongres vlerësoi aktivitetin dhe bëri një pasqyrë të gjendjes në të cilën ndodhet vendi ynë lidhur me menaxhimin e pamenaxhuar dhe të patrajtuar të mbetjeve urbane. Gjithashtu në fjalën e tij Kryetari i KLSH theksoi punën e KLSH në drejtim të intensifikimit të auditimeve që lidhen me çështjet mjedisore dhe realizimin e disa auditimeve në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, duke synuar që me rekomandimet e tij në këto auditime të japë zgjidhje reale dhe të qëndrueshme.

KLSH u përfaqësua në Kongres me tre materiale të përgatitura nga:
•Dr.Aulent Guri ,“Ndikimi i ujrave të zeza në ndotjen e liqeneve të Prespës”;
•z.Bajram Lamaj, “Perfomanca mbi menaxhimin e mbetjeve urbane, Bashkia Tiranë”;
•Z.Artur Hasanbelliu, “Implementimi i politikave mjedisore parë nga këndvështrimi i audituesve të KLSH”.

Punimet u vlerësuan nga pjesëmarrësit.

Libri është ndër mjetet më efektive në komunikimin edhe të institucioneve publike me qytetarin dhe lexuesin. Kjo është arsyeja qe KLSH në këto pesë vitet e fundit i ka dhënë një rëndësi parësore botimit të librave të fushës së auditimit dhe më gjerë. Intensifikimi dhe rritja cilësore e komunikimit të KLSH-së, sidomos dhe në radhë të parë me anë të librit dhe publikimeve në media, ka sjellë rezultate, veçanërisht në shtimin e vëmendjes së opinionit tonë publik ndaj veprimtarisë së KLSH-së.

Stenda e KLSH-së në këtë panair u vizitua nga shumë studentë, studiues të fushës së auditimit dhe ekonomisë dhe qytetarë te interesuar për aktivitetin e KLSH-së në vite.

hap 41 hap 4

Në kuadër të aktiviteteve për Muajin e hapur në KLSH, në datën 24 nëntor 2017 në ambientet e Akademisë së Shkencave, Zv/Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Wojciech Kutyla zhvilloi një leksion të hapur me audituesit e KLSH me temë “Etika për Audituesit”.

hap 5

Në prezantimin e tij ai theksoi se në dekadat e fundit etika është bërë një çështje kryesore në debatet politike, institucionale dhe sociale. Në këtë kontekst  Institucionet Supreme të Auditimit të cilët auditojnë përdorimin e fondeve publike  dhe synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies duhet që në punën e tyre të përditshme të udhëhiqen nga parimet e etikës.
Për tu ardhur në ndihmë SAI-eve nga INTOSAI u vendos rishikimi i ISSAI 30- Kodi i Etikës. Anëtarë tepër aktivë të grupit të punës për rishikimin e këtij kodi kanë qenë dhe Shqipëria dhe Polonia. ISSAI 30 – Kodi i Etikës u miratua në Kongresin e XXII të INTOSAI-t në Abu D’habi. 

hap 6

Ndryshimi më i rëndësishëm i  Kodit aktual të Etikës konsiston në  zhvendosjen  e perspektivës nga audituesi  i thjeshtë  tek institucioni suprem i auditimit si organizatë,  e cila duhet të synojë ngritjen e strukturave dhe zhvillimin e një kulture etike.

Në Kodin e Etikës të rishikuar, barra kryesore për t'u marrë me këtë fushë delikate, por edhe kyçe, vihet në institucionin më të lartë të auditimit si një organizatë, e cila duhet të jetë përgjegjëse për ndërtimin e kulturës së saj etike.
Është e rëndësishme që kultura etike të jetë një nga shtyllat e drejtimit të drejtuesve të  SAI-t, pasi kjo  luan një rol themelor në nxitjen e sjelljes etike tek audituesit.

Mungesa e përkushtimit të drejtuesve të SAI-eve për krijimin e modeleve të suksesshme të sjelljes etike riskon që edhe audituesit të mos i kushtojnë vëmendjen e duhur kësaj çështje  tepër thelbësore.  Është e rëndësishme që si drejtuesit ashtu edhe audituesit në punën e tyre të përditshme të udhëhiqen nga integriteti, pavarësia, objektiviteti, kompetenca, konfidencialiteti dhe sjelljet profesionale, pasi vetëm kështu rritet besueshmëria e veprimtarisë së institucioneve supreme të auditimit.

Në vijim të këtij aktiviteti, Sekretari i Përgjithshëm i KLSH, znj. Luljeta Nano bëri prezantimin e botimit të KLSH “ISSAI 30; Auditimi i etikës në organizatat e sektorit publik”.

Në prezantimin e saj ajo theksoi se Kodi i Etikës i KLSH reflekton edhe objektivat e Strategjisë së Zhvillimit 2013-2017 të institucionit, e ripunuar për periudhën 2015-2017.

Ky dokument riafirmon dhe paraqet vlerat dhe parimet thelbësore në të cilat bazohet veprimtaria e KLSH. Këto vlera dhe parime përbëjnë nga njëra anë shtyllat e besueshmërisë institucionale  dhe, nga ana tjetër, janë të lidhura ngushtësisht me perceptimin e KLSH si një institucion kushtetues në shërbim të llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe mirëqeverisjes publike. KLSH ka ngritur  një sistem efektiv të etikës dhe integritetit, i cili bazohet në parimin e udhëheqjes nëpërmjet shembullit, duke i ofruar publikut, Kuvendit dhe Ekzekutivit një strukturë kushtetuese mbikëqyrëse dhe kontrolluese të financave publike, e cila synon nivelet më të larta të përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit, si dhe të qënit një institucion model i integritetit.

Në datën 30 nëntor 2017 në ambientet e KLSH-së,  Drejtori i Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm, z. Artur Hasanbelliu prezantoi Udhërrëfyesin ‘‘Për Sinjalizimin dhe sinjalizuesit në Shqipëri”.

Në prezantim u theksua se abuzimi me besimin e dhënë për të pasur përfitime personale përfshin persona që mbajnë poste publike, apo ata që punojnë në sektorin privat. Këto sjellje shfaqen në forma dhe mënyra të ndryshme, siç është rasti më flagrant korrupsioni, i cili  shkon përtej dhënies e marrjes së ryshfetit.
Përveç krimeve ekonomike forma të tjera të korrupsionit janë:
-Moszbatimi i ligjit;
-Keqmenaxhimi i burimeve publike;
-Shkatërrimi i mjedisit;
-Angazhimi në veprime që kërcënojnë/rrezikojnë sigurinë publike;
-Deformimi dhe prishja e drejtësisë.

Për të thyer rrethin vicioz të korrupsionit dhe për të inkurajuar punëmarrësit apo të gjithë ata që kanë marrëdhënie kontraktuale me një institucion publik ose privat, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin për Sinjalizimin dhe Sinjalizuesit.

Qëllimi i ligjit është  përmirësimi i aftësisë për të luftuar korrupsionin dhe forma të tjera të sjelljes së paligjshme që ndikojnë negativisht në zhvillimin e vendit.

Ligji parashikon tri elementë themelorë të një ligji gjithëpërfshirës mbi sinjalizimin:
1.Mekanizmat për sinjalizimin e veprave korruptive;
2.Mekanizmat për hetimin e sinjalizimeve të kryera;
3.Mekanizmat për mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrja.
Ligji përfshin disa nga praktikat më të mira ndërkombëtare për mbrojtjen e sinjalizuesve, si:
•Mbrojtje të besueshme të konfidencialitetit;
•Mbrojtje kundër ngacmimeve;
•Ndalimin e marrëveshjeve që kufizojnë të drejtat e sinjalizuesve;
•Mundësi transferimi për sinjalizuesin kur kthimi në vendin e punës rezulton mjedis armiqësor;
•Ngarkimi me përgjegjësi personale ndaj sinjalizuesit.

Prezantimi u ndoq me shumë interes dhe me debate e diskutime.