Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e IX-të për Auditimin e Etikës, organizuar nga grupi Task Force (EUROSAI) për Auditimin e Etikës

26.10.2018

Në datat 22-23 tetor 2018, u zhvillua në Lisbonë, takimi i IX-të i grupit Task Force të EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën” (TFA&E). Në cilësinë e anëtarit të këtij grupi, KLSH mori pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm të EUROSAI-t, i cili trajtoi një prej çështjeve më aktuale për administratën publike, Etikën, e cila është e lidhur me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Trajtimi i kësaj teme është me rëndësi prioritare për institucionet supreme të Auditimit, të ngarkuara me mbikëqyrjen e menaxhimit të shëndoshë të financave publike.

Në këtë  takim morën pjesë përfaqësuesit e 20 SAI-ve: Gjykata Austriake e Auditimit, Gjykata Franceze e Llogarive, Gjykata Evropiane e Audituesve, Polonia, Hollanda, Shqipëria Maqedonia, Izraeli, Italia, Malta, Çekia, Hungaria,Finlanda,Rumania, Qipro,Serbia, Spanja, Turqia dhe Greqia.

portugali1

Gjykata e Audituesve e Portugalisë, e cila kryeson grupin Task Force te EUROSAI-t ishte SAI mikpritës. Fjala përshëndetëse u mbajt nga Presidenti i Gjykatës Portugeze të Llogarive z. Vitor Caldeira. Gjatë fjalës së tij zoti Caldeira theksoi se EUROSAI beson se Task Forca për Auditim & Etikën po studion dhe punon  fort për të arritur qëllimin kryesor  atë të promovimit të  sjelljes etike si në Institucionet Supreme të Auditimit dhe në organizatat publike. Ne do të përpiqemi që të jemi të dobishëm, të udhëheqim përmes shembullit, për të rritur vlerat e   SAI-ve, lidershipin dhe stafin e tyre, si dhe për qytetarët të cilëve u shërbejnë-vijoi z.Caldeira.

Gjatë ditës së parë të takimit në aktivitet morën pjesë edhe rreth 30 auditues të Gjykatës Portugeze të Llogarive, të cilët ndërhynë disa herë gjatë prezantimeve, duke sjellë shembuj nga puna e tyre e përditshme.
Gjatë ditëve të takimit u trajtuan dhe u diskutuan çështje me interes si:

•Promovimi i Etikës në Organizatat e Sektorit Publik;
•Auditimi i Etikës në Organizatat e Sektorit Publik;
•Roli i SAI-ve në shpërndarjen e kulturës së integritetit;
•Implementimi i ISSAI 30 dhe ide të reja në këtë drejtim;
•Direktivat evropiane për mbrojtjen e bilbil-fryrësve;
•Sistemi i menaxhimit të anti-korrupsionit, etj;

Gjatë ditës së dytë, takimi u fokusua në referime dhe diskutime lidhur me inkurajimin e SAI-ve drejt promovimit të integritetit në sektorin publik. Në këtë pjesë u përfshi edhe prezantimi i zj.Irena Islami, lidhur me rezultatet e Auditimit të Performancës mbi Strategjinë Antikorrupsion të Qeverisë shqiptare, realizuar edhe me mbështetjen e Inisiativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI). Zonja Islami paraqiti objektivat e auditimit, kontekstin në të cilin u zhvillua auditimi, periudhën e auditimit, subjektet e audituara dhe veçanërisht mesazhet e auditimit, konkluzionet dhe rekomandimet.

Auditimi është fokusuar në një nga objektivat e Strategjisë Antikorrupsion të Qeverisë Shqiptare “ Miratimi i politikave anti korrupsion nga pushteti vendor”. Një nga rekomandimet kryesore të KLSH-së ishte krijimi i Agjencisë Kombëtare kundër korrupsionit, me qëllim që të sigurohet implementimi i strategjisë me eficiencë dhe efektivitet.
Zonja Islami falënderoi organizatorët dhe veçanërisht IDI-n për mbështetjen që i ka dhënë audituesve të KLSH-së gjatë këtyre viteve, në drejtim të rritjes së kapaciteteve audituese dhe modernizimit të institucionit.

portugali2

KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami dhe znj. Amantja Patozi, specialiste pranë kësaj Drejtorie.