Njoftime

Zhvillohet Analiza e Departamentit të Auditimit të Institucioneve Qendrore (DAIQ)për vitin 2018

29.01.2019

Në datën 25 janar 2019 u zhvillua analiza vjetore e Departamentit të Auditimit të Institucioneve Qendrore (DAIQ). Kjo analizë u hartua nën dritën e njohjes dhe vetëvlerësimit të Kornizës së Matjes së Performancës si dhe analizës SWOT me qëllim evidentimin e fuqive, dobësive, shanseve dhe kërcënimeve që prekin punën audituese brenda Departamentit në veçanti por edhe KLSH-së në përgjithësi. Korniza e Matjes së Performancës konsiderohet si një mjet i rëndësishëm për menaxhimin, matjen, identifikimin dhe raportimin e performancës së aktivitetit të vetë, me qëllim përmirësimet e mëtejshme, për arritjen e objektivave e synuara, si më poshtë vijon:

Për vitin 2018 DAIQ, sipas planit vjetor të auditimeve, (i ndryshuar) të miratuar nga Kryetari KLSH kishte të parashikuar për të kryer 29 auditime, të cilat janë realizuar 100%. Konkretisht: në 13 subjekte janë kryer auditime me objekt përputhshmërinë, në 4 subjekte  janë kryer auditime me objekte të  përzierë financiare dhe përputhshmërie, në 9 subjekte janë kryer auditime me objekt  financiare, në 2 subjekte janë kryer auditive tematike dhe në 2 raste është kryer zbatimit i rekomandimeve të lëna gjatë vitit 2017 dhe 4 mujorit të parë të vitit 2018.

harizaj1

DAIQ, ka pasur dhe ka aktualisht në organikë 21 auditues. Por, gjatë vitit 2018 ka funksionuar vetëm me 16 apo 17 auditues në organik dhe të 29 auditimet i ka realizuar me këta auditues.
Bazuar në metodologjinë e riskut dhe materialitetit, me këto 29 auditime janë audituar  fonde buxhetore në vlerën totale rreth 34,000,000 mijë lekë, kryesisht: fondet për “Pagat e personelit” zënë rreth 13,300,000 mijë lekë ose 40%; fondet për “Mallra dhe shërbime të tjera” zënë 11,900,000 mijë lekë ose 36%; “Fondet për investime” zënë rreth 4,000,000 mijë lekë ose 12% të totalit të fondeve të audituara; etj.

Në këto auditimi, në zbatim të standardeve të auditimit financiar dhe auditimit të përputhshmërisë, kemi audituar pasqyrat financiare dhe përputhshmërinë e përdorimit të fondeve publike për të cilat janë dhënë sipas rastit, veçmas opinione për auditimet financiare dhe veçmas opinione për auditimet e përputhshmërisë.

-Ndër problematikat e konstatuara nga auditimet e pasqyrave financiare vlen të përmendim disa veprime që janë bërë në kundërshtim me kërkesat e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit, SKK 1 (“Kuadri i Përgjithshëm për Përgatitjen e Pasqyrave Financiare”) dhe të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS 1, (paragrafi 128), si: mos zbatimin e parimit të kontabilitetit rrjedhës; moskryerjen e inventarizimit periodik dhe mos-rakordimin e këtyre inventarëve me kontabilitetin; mungesën e  relacioneve dhe shënimeve shpjegues; mos llogaritjen e saktë të amortizimit; etj.

Nisur nga këto shkelje, edhe pse ato nuk janë gabime materiale, në funksion të paraqitjes së një pamjeje të drejtë të zërave në pasqyrat financiare dhe riskun që këto zëra mund të mbartin në procesin e vendimmarrjes, kemi kërkuar sipas rastit, marrjen e masave për sistemin e tyre.

- Ndërsa, ndër problematikat e konstatuara në auditimet e përputhshmërisë do të veçonim: shkeljet në  procedurat prokurimit në kundërshtim me Rregullat e Prokurimit Publik, të cilat kanë ndikuar negativisht në: rritjen e konkurrencës;në përdorimin e fondeve publike me efiçencë, ekonomicitetit dhe efektivitet; në rishpërndarje fondesh të pa argumentuara dhe pa   pasur analiza specifike të detajuara; në llogaritjen dhe argumentimin e fondeve limite; në hartimi e kritereve të veçanta në lidhje me përmbushjen e operatorëve ekonomik të kapaciteteve ekonomike,  financiar dhe kapaciteteve teknike, etj,.
Për eliminimin e të metave dhe mangësive të konstatuara në të gjitha këto auditime të përfunduara gjatë këtij viti janë lënë gjithsej 457 rekomandime për tu zbatuar nga subjektet e audituara. Konkretisht:
a). Janë lënë 22 rekomandime për përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore;
b). Janë lënë 344 rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë së institucioneve me karakter organizativ, në të cilat përfshihen edhe të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit me vlerë të përgjithshme rreth 12,300,000 mijë lekë dhe përdorim të fondeve buxhetore pa efektivitet dhe ekonomicitet në vlerën e përgjithshme rreth 1,400,000 mijë lekë; 
c). Janë lënë në 49 raste rekomandime për shpërblim dëmi ekonomik në shumën totale rreth 410,000 mijë lekë.  Për të gjithë këtë vlerë dëmi është kërkuar nxjerrja e titujve ekzekutivë për kthimin e tij.

Gjithashtu, për punonjësit shkaktar të bërë përgjegjës për shkeljet e konstatuara në këto auditime janë rekomanduar:
- 25 masa disiplinore;
- 17 masa administrative
- Po kështu, nisur nga rëndësia, në disa raste masat administrative e disiplinore, janë lënë për tu dhënë në kompetencë të vetë subjekteve;
- Për 1 punonjës është  bërë kallëzim penal;
-Për 4 auditime janë bërë indice penale pranë organit të prokurorisë.

Vlen të theksojmë rëndësinë  e zbatimit të rekomandimeve, si faza e 4-t e procesit të auditimit. Zbatimi i rekomandimeve në tërësi dhe në veçanti i masave disiplinore e administrative pasi ato lidhen pikërisht me nxjerrjen e përgjegjësive individuale për shkeljet e konstatuara, konsiderohen si element i rëndësishëm dhe me ndikim në përmirësimin e sistemit të menaxhimit financiar. Por, për një sërë masash disiplinore të lëna gjatë vitit 2018, në referencë të shkeljeve të ndryshme,  subjektet që mbartin detyrimin për ti zbatuar  nuk kanë vepruar apo kanë vepruar shumë pak si për rastet ku masa është dhënë direkt nga KLSH, ashtu edhe kur i është lënë në kompetence të vetë titullarit të subjektit. 

Në këtë kontekst vlen të përmendim ISSAI 12, i cili trajton “auditimin e jashtëm publik” si një faktor të rëndësishëm që sjell ndryshimin në jetën e qytetareve dhe nënvizon se,  nisur nga rëndësia e ndjekjes së rekomandimeve SAI duhet të ketë mekanizma për ndjekjen e rekomandimeve. Ndërsa praktika të tjera të mira si ato të GAO-s na udhëzojnë se, kërkesa për zbatimin e rekomandimeve duhet të ngrihet në mënyrë progresive në nivele më të larta menaxheriale .

Objektivat për të vitin 2019:

1. Përmirësimin e proceseve që lidhen me planifikimin e auditimit deri në përgatitjen e Programit të Auditimit, si një dokument i rëndësishëm, që dikton edhe suksesin ose jo të auditimit. Identifikimi i risqeve, merr rëndësi të veçantë në këtë fazë të auditimit. Për sa më sipër të gjithë audituesit duhet të angazhohen në njohjen e standardeve, Manualeve të KLSH-së si dhe Rregullores së Procedurave të auditimit, jo vetëm për të plotësuar dhe ndjekur me kujdes gjithë dokumentet standarde, por gjithashtu për t’i zhvilluar e plotësuar më tej ato.

2. Vlerësimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe dokumentimi i tyre është thelbësor dhe duhet të na shërbejë të gjithëve si pikënisje për përzgjedhjen e llojit të procedurave të testimit. Jo vetëm njohja e ligjit dhe manualit “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” është e rëndësishme, por gjithashtu edhe mbështetja në praktika të mira si Libri Jeshil, i cili është përshtatur në shqip nga KLSH, pikërisht për të ndihmuar audituesit që të thellojnë njohuritë e tyre në drejtim të kontrolleve të brendshme. Audituesit duhet të dokumentojnë procesin e vlerësimit të kontrolleve, duke shmangur gjithmonë e më tepër aspektin teorik të çështjes dhe duke filluar që këtë element ta shohin si pjesë përbërëse të secilit prej drejtimeve të auditimit.

3. Do të monitorohet dhe ndiqet me kujdes procesi i inventarizimit të dosjeve, deri në arkivimin e tyre, në drejtim si të përmbajtjes së dosjes, ashtu edhe respektimit të afateve të parashikuara.

4. Kontrolli i cilësisë së dosjeve përgjatë këtij viti do të forcohet më tej, si një hallkë kjo e kontrolleve të brendshme të vetë KLSH-së, sa më sipër në funksion të arritjes së objektivave të Departamentit dhe vetë institucionit. Planifikimi i saktë i kohës për secilin auditues, si dhe objektivave specifike dhe të qarta për secilin prej funksioneve brenda Departamentit do të jetë një element kyç që do të mbahet në vëmendja gjatë çdo projekti auditimi, me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë individuale dhe si pasojë rritjen e cilësisë së auditimeve.

5. Në funksion të realizimit në kohë dhe më cilësi të auditimeve sipas planit të parashikuar, audituesit e rinj të departamentit do të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme nga auditues me eksperiencë, me qëllim zhvillimin e njohurive dhe aplikimin e tyre përgjatë punës audituese.

6. Bashkëpunimi me Departamentet e tjera dhe në veçanti me Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Shtetit, për përmirësimin e proceseve audituese dhe përgatitjen e manualit të auditimit Buxhetit të Shtetit do të jetë një objektiv tjetër mjaft i rëndësishëm në punën DAIQ.