Njoftime

Shkrimi i Kryetarit të KLSH-së, z.Bujar Leskaj "Polonia-ky aleat i çmuar për integrimin" **

26.06.2019

Me popullin dhe kombin e madh polak na lidhin shumë gjëra. Njëlloj si ne, polaket janë një komb liridashës dhe kanë zhvilluar beteja pa fund përgjatë shekujve, për të fituar pavarësinë e tyre. Njëlloj si ne, në identitetin e të qenit polak,dashuria për atdheun dhe krenaria kombëtare janë virtyte bazë.

Polonia, ky vend i madh evropian dhe mik i Shqipërisë, e ka mbështetur fuqimisht integrimin tonë në familjen e përbashkët evropiane. Në të gjitha marrëveshjet për pranimin  e vendit tonë në strukturat euroatlantike, të cilat kanë pasur nevojë për ratifikim nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, Polonia ka qenë gjithmonë në grupin e parë të vendeve që i ka ratifikuar.

Polonia është atdheu i personaliteteve të kalibrit botëror si Papa Gjon Pali i Dyte, si Leh Valesa, udhëheqësi i Lëvizjes Solidarnosht që solli pranverën evropiane të vendeve të Evropës Lindore, si Presidenti Leh Kaçinski, ideatori i integrimit polak në BE. Sot 10 përqind e deputetëve të rinj të Parlamentit Evropian vijnë nga Polonia dhe Donald Tusk, ish-Kryeministër i Polonisë në kohën e Presidentit Kaçinski dhe dikur bashkëpunëtor i ngushtë i tij e më tej ndarë politikisht, sot mban detyrën e Presidentit të Këshillit të Evropës.

Në vijimësi, prej gati më shumë se dy dekadash, personalitete të këtij shteti mik kanë lobuar për Shqipërinë pranë strukturave të Bashkimit Evropian. Ata nuk kanë ngurruar të kërkojnë edhe mbështetjen e vendeve të tjera të Nismës dhe Grupit të Vishegradit(ku Polonia është lider), si Republika Çeke dhe Sllovakia në rradhë të parë, si dhe të vendeve të tjera të BE-së.

Shtetarët polakë e dinë mirë se çfarë do të thotë për një vend në zhvillim të Evropës Qendrore ose Jugperëndimore(Ballkani) hapja e bisedimeve të anëtarësimit për në familjen e madhe evropiane. Që nga viti 1998, kohë kur Polonia i nisi bisedimet e anëtarësimit dhe deri më sot, prodhimi i përgjithshëm bruto i vendit (GDP) është dyfishuar. Po kështu janë dyfishuar si mesatare dhe të ardhurat e qytetarit polak. Ekonomia e Polonisë sot përfaqëson ekonominë e gjashtë më të madhe të Bashkimit Evropian, me rritjen më të shpejtë ekonomike me 3 përqind në vit. Vendi është shtylla kryesore e NATO-s në Evropën Lindore.

Ndihma polake ndaj integrimit tonë në BE është shpeshtuar dhe intensifikuar muajt e fundit, në prag të vendimit të Këshillit të Evropës për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë. Deklarimet e fundit të vendeve të Vishegradit e dëshmojnë këtë. Në këtë inisiativë që ka ndërmarrë shteti polak, mendoj se duhet të vlerësojmë dhe respektojmë veçanërisht dy vizita të rëndësishme politike, siç  janë vizita e Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, i ftuar nderi në samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë më 8-9 maj të këtij viti në Tiranë dhe ajo e delegacionit të Parlamentit të Polonisë në 6 qershor 2019.

xx

I. Presidenti Duda: pasardhës i denjë i Presidentit Leh Kaçinski dhe mik i madh i Shqipërisë

Vizita e Presidentit polak përbënte pa dyshim një moment të rëndësishëm për integrimin tonë. Polonia, me zërin e personalitetit më të fuqishëm të sotëm të saj në arenën ndërkombëtare, dha kumte domethënës nga Tirana: “Politika e Bashkimit Evropian duhet të jetë gjithmonë politika e dyerve të hapura,”, theksoi Duda,-” Arsyeja e parë është se në të kaluarën ne aplikuam si komb të ishim pjesë e BE-së, bëmë mjaft përpjekje për reformat për të përshtatur funksionimin e vendit tonë ndaj pritshmërive të Komisionit Evropian. Ne jemi prej 15 vitesh anëtarë të BE-së, mbështetja e polakëve është mjaft e madhe sepse gëzojnë lirinë që solli ky anëtarësim, për shkak të fondeve nga BE”.

Potencën e Presidentit polak, i cili erdhi në maj tek ne, e shpreh një fakt sinjifikativ i ditëve të fundit. Më 12 qershor 2019, Presidenti amerikan Donald Tramp priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Polonisë Andrzej Duda dhe, në shenjë nderimi lejoi fluturimin e avionëve luftarakë F-35 mbi Shtëpinë e Bardhë, duke cilësuar se Polonia po ndërton me shpenzimet e veta një bazë ushtarake të NATO-s për rreth 1 mijë ushtarë amerikanë, të cilët do t’u shtohen pranisë së mbi 4 mijë e pesëqind trupave amerikane në këtë vend.  

Në CV-në e Presidentit Andrzej Duda, në  rreshtin e parë shkruhet: "Në vitin 1984, iu bashkua bojskautëve në Krakov dhe pas disa vitesh u bë udhëheqës grupi". Duda shpesh i referohet viteve të tij me bojskautët me krenari të dukshme. Në Poloni dhe jo vetëm në qarqet konservatore të vendit, termi "bojskaut" është i lidhur me një madhështi historike, gati mitike. Është sinonim i karakteristikave të tilla si patriotizmi, ndershmëria dhe vetëflijimi. Shumë bojskautë ishin ende fëmijë kur luftuan dhe dhanë jetën gjatë Kryengritjes së Varshavës në vitin 1944 - një moment përcaktues për patriotizmin polak. Aurora e heroizmit jeton edhe sot në këtë vend të madh evropian, mik të shqiptarëve, me shumë karakteristika të ngjashme me ne, si përshembull krenaria për historinë kombëtare dhe patriotizmi. Për Andrzej Dudën këto vlera ishin kuajt e tij të betejës politike ne fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Poloni në vitin 2015, të cilat i fitoi me dinjitet, integritet dhe ndershmëri. Votuesit donin një patriot që të kujdesej për ta dhe e gjetën këtë figurë tek Duda.

Dhe Andrzej Duda gjate gjithë jetës se tij nuk e ka zhgënjyer këtë imazh. Në vitin 1997 u diplomua për jurisprudencë në Universitetin e njohur polak Jagellonian(ndër më të vjetrit në Evropë), në qytetin e tij te lindjes në Krakov. Hapi firmën e tij ligjore dhe u bë ekspert ligjor i Partisë “Ligj dhe Drejtësi”, të themeluar nga dy vëllezërit Kaçinski. Me fitoren nga kjo parti të zgjedhjeve parlamentare në shtator 2005, Duda merr postin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe pastaj bëhet ndihmës i Lech Kaczynskit gjatë presidencës së tij. Ishte një karrierë e spikatur dhe premtuese politike nën drejtimin e Kaczynskit dhe e frymëzuar nga idetë reformatore dhe paneuropiane të tij.

Kjo karrierë vazhdoi kështu deri në prill të vitit 2010, kur Presidenti Lech Kaczynski, figura prej së cilës ishte frymezuar që i ri Duda, vdiq në një aksident misterioz avioni pranë Smolenskut, duke shkuar në ceremoninë e përkujtimit të tragjedisë së vrasjes së 28 mijë oficerëve polakë në Katin. Andrzei Duda u kthye në Krakov, por e vazhdoi jetën politike.

Në shtator 2013, revista e lajmeve “Polityka” e cilësoi Dudën një nga anëtarët më aktivë të Parlamentit, duke e përshkruar atë si të hapur ndaj argumentave të opozitës dhe që nuk përdorte sulme personale në ligjeratën e tij politike. Andrzei Duda mbeti anëtar i Parlamentit polak Sejm derisa u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian në vitin 2014

Në fund të vitit 2014, vëllai binjak i ish-Presidentit Leh Kaçinski, Kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi, personaliteti më i spikatur në jetën politike polake në këto vite, lider i padiskutueshëm i së djathtës, z.  Jaroslav Kaçinski, bëri njoftimin befasues se Duda do të kandidonte si kandidati presidencial për partinë e tij. Vetë Andrzei Duda njoftoi se donte të vazhdonte si "trashëgimtar shpirtëror" i Lech Kaczynskit.

Partia Ligj dhe Drejtësi, e cila ka qenë partia më e fuqishme e opozitës në Poloni që nga viti 2007, u themelua nga vëllezërit Kaczynski në vitin 2001. Partia e pozicionoi veten si mbrojtëse e Polonisë dhe përfaqësuese e qytetarit të thjeshtë polak në luftën kundër klaneve dhe ndikimit të kompanive të mëdha, si mbrojtëse e vlerave të krishtera demokratike, të tilla si ndershmëria, dashuria për vendin, por edhe internacionalizmi dhe hapja për botën, përderisa dhe aty ku kjo hapje nuk e dëmton atdheun. Partia qëndron fort për "tri shtyllat e shoqërisë së shëndetshme" - familja, vendet e punës dhe siguria. Ato janë pikërisht edhe vlerat bazuar tek të cilat Duda bëri fushatën e tij zgjedhore si kandidat për President. "Ne nuk mund t'i ndajmë polakët në të pasur e të varfër", deklaroi ai në fushatë. Dhe bëri premtime të mëdha: ri-industrializimin e vendit, forcimin e bujqësisë dhe mbështetjen e drejtësisë shoqërore. Ai tha se nën udhëheqjen e tij, ai "do t’u kthejë njerëzve vetëvlerësimin dhe vetëbesimin".

  duda
Presidenti Duda gjatë festimeve për zgjedhjen e tij President, maj 2015

Garancia e vetme e Presidentit Duda është imazhi i tij si një njeri që e mban fjalën. "Fjala ime është gjithçka", deklaroi ai, ndërsa mbyllte fushatën e tij. Ai premtoi po ashtu çerdhe falas për fëmijët dhe heqjen e tarifave për programet e radios dhe televizionit publik. Në planin e integrimit ekonomik në Evropën e Bashkuar, deklaroi se euro do të bëhet monedha e vendit " vetëm kur të gjithë polakët do të fitojnë po aq sa njerëzit në Perëndim". I përkushtuar ndaj prosperitetit ekonomik, kulturor dhe shpirtëror të popullit të tij, Presidenti polak Andrzei Duda është udhëheqës evropian dhe shmang me kujdes çdo sulm të drejtpërdrejtë në BE. Ai nuk ka asgjë kundër bashkimit, për sa kohë që ky bashkim nuk dëmton interesat kombëtare të Polonisë. Kjo do të thotë se  Polonia është një përkrahëse e zellshme e zgjerimit të Bashkimit Evropian, një "vend i fortë dhe i fuqishëm në zemër të Evropës së bashkuar". Për Dudën, politika është një shërbim për njerëzit në vendin e tij.

Në Tiranë, gjatë samitit të Brdo-Brijunit, Presidenti Duda konfirmoi fuqishëm vizionin e tij për Evropën e Bashkuar dhe i shërbeu interesave integruese të vendit tonë, kur deklaroi se “Parlamenti i ri Evropian, Komisioni i ri Evropian që do të ngrihet së shpejti, nuk do të shqetësohen vetëm nga fakti që britanikët i thanë jo BE-së. Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian”.

xx

II. Vizita më 6 qershor 2019 në Shqipëri e një delegacioni të Parlamentit të Polonisë, i kryesuar nga Nënkryetari i Parlamentit, Ryszard Terlecki. Terlecki deklaroi në Tiranë se vendi i tij do të nxisë Këshillin Evropian që të hapë menjëherë negociatat me Shqipërinë. Sipas tij, “Të 27 deputetët polakë të shumicës në Parlamentin Evropian janë shprehur pro negociatave në mbledhjen e parë të Parlamentit Evropian dhe do te kërkojnë që Shqipëria të nisë procesin e negociatave për t’u bërë më pas pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian. Zgjerimi i Europës është prioritet para forcimit të BE-së”, theksoi Terlecki.

Kontributi i parlamentarëve polakë është cilësuar edhe nga dy gazetarë me emër të publicistikës sonë, me integritet të spikatur europian. Në shkrimin e tij “Argumentet e BE-së kundër Shqipërisë, pretekste”, të datës 10 qershor 2019, krye-editorialisti për diplomacinë në të përditshmen në gjuhën angleze “Albania Daily News”, gazetari i mirënjohur Genc Mlloja, në një intervistë të gjatë me Terlecki-n, thekson: "Sipas z. Terlecki, pritshmëritë e establishmentit politik shqiptar në lidhje me çeljen nga Bashkimi Evropian të bisedimeve te pranimit janë plotësisht të justifikuara. Argumentet kundër hapjes së negociatave janë thjesht pretekste, sepse këto të fundit përdoren në luftën e tyre të brendshme politike nga disa vende anëtare të BE-së”. (https://www.albaniandailynews.com/index.php?idm=32317&mod=2)      

terlecki

Nënkryetari i Parlamentit të Polonisë, z. Ryszard Terlecki

Më poshtë, në intervistën e tij dhënë gazetarit Mlloja, Terlecki vazhdon: “Samiti i “Procesit të Berlinit” do të zhvillohet në Poznan të Polonisë në fillim të korrikut të këtij viti. Ky event nuk ka një rëndësi formale, por përfaqëson një pjesë të rëndësishme të procesit të lobimit për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Nuk është e rastësishme që Polonia iu bashkua këtij procesi dhe që samiti zhvillohet pikërisht në Poloni.

Ne sapo dolëm nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Kemi marrë një fitore të madhe. Kjo do të thotë se eurodeputetët tanë do të marrin udhëzime të punojnë fort në përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Tani, Polonia ka 51 eurodeputetë (nga 571 gjithsejt) në Parlamentin Evropian. Edhe pse nuk e dimë “gjeografinë” e grupeve parlamentare që do të formohen, pse bisedimet vazhdojnë, në çdo rast një gjë është e rëndësishme: Si eurodeputetët e shumicës sonë parlamentare dhe ata të pakicës do të japin mbështetjen e tyre të fuqishme për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kjo është një nga pikat e pakta ku si pozita dhe opozita kanë një gjuhë të përbashkët” (po aty, fq. 10, kolona e pestë në fund (https://www.albaniandailynews.com/index.php?idm=32317&mod=2 ).

Në shkrimin e tij “BE i ndryshon rregullat gjatë lojës”, botuar në “Gazeta Shqiptare” më dt. 13 qershor 2019, gazetari Ben Andoni i referohet parlamentarit polak Terlecki :“Ne do t’ju mbështesim me të gjitha mundësitë tona, sepse ne e dimë realisht, për shkak të historisë sonë të gjatë, se çfarë është të përballesh me situata të tilla...”... Kjo është arësyeja që një grup vendesh, ku Polonia po luan rolin kryesor, janë të vendosura që menjëherë të avokojnë për Shqipërinë”, (http://www.gsh.al/2019/06/13/ja-ndryshon-rregullat-gjate-lojes/). Më tej në artikull, ai shprehet: “Polonia e ka një zgjidhje, sipas Terleckit: “Mendimi evropian do të gjejë zgjidhje, porse familja e madhe e Bashkimit Evropian duhet të ketë edhe Ballkanin. Ato janë pjesë integrale e saj dhe koha do të tregojë më së miri vërtetësinë e këtij konstatimi. Poloninë do ta keni gjithnjë në krah, për çfarëdo gjëje që të mendoni”. Shqipëria shikohet prej kohësh brenda familjes evropiane dhe kjo është një nga mirënjohjet më të mëdha për këtë popull. Terlecki e kupton, por falënderimin e shpreh modestisht me vetëm një tundje koke”, e përfundon artikullin opinionisti Andoni.

xxx

Duke pritur samitin në Poznan të Polonisë të “Procesit të Berlinit” në korrik 2019, ku mbështetja polake do të vijojë, i shkruaj këto rrjeshta për personalitetet e Shtetit dhe kombit Polak që po na ndihmojnë, në respekt dhe mirënjohje të kontributit që ky vend i madh mik i joni ka dhënë dhe po jep për procesin e integrimit dhe të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por edhe të marrëdhënies së ngushtë të bashkëpunimit që institucioni i auditimit suprem publik të Polonisë, NIK-u polak ka me KLSH gjatë këtyre viteve 2012-2019, si dy SAI(institucione supreme të auditimit publik) partnere të dy vendeve evropiane miq me njeri-tjetrin. Në fund të qershorit 2019, në Varshavë do të shkojmë në takimin e Komitetit të Kontaktit të SAI-ve anëtare të Bashkimit Evropian, ku si vëzhgues marrim pjesë edhe ne, vendet kandidate dhe aspirante për në BE, për të thënë fjalën tonë në një proces të natyrshëm dhe intensiv integrimi, ku NIK-u polak na mbështet njëlloj si Polonia mbështet Shqipërinë në sprovat e saj integruese. 

**  Botuar në gazetën "Mapo", në datën 20 qershor 2019.