Njoftime

Njoftim mbi auditimin e përbashkët me temë “Menaxhimi i Zonave të Mbrojtura Detare”

30.07.2019

Duke patur parasysh rëndësinë e që Zonat e Mbrojtura Detare kanë për vendet e tyre, Institucionet Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Qipros, Greqisë, Maltës dhe Portugalisë, në cilësinë e anëtarëve të EUROSAI-t dhe Grupit të Punës për Auditimin e Mjedisit (EUROSAI WGEA), vendosën të ndërmarrin një auditim të përbashkët me qëllim shqyrtimin e mekanizmave të aplikuar nga këto vende për të siguruar menaxhimin adekuat dhe efektiv të Zonave të Mbrojtura Detare brenda juridiksionit të tyre. Auditimi është zhvilluar përgjatë vitit 2018 dhe është koordinuar nga SAI-t e Qipros dhe Maltës. Pjesëmarrja në këtë auditim konfirmoi edhe një herë angazhimin dhe rëndësinë që i kushton secili vend mbrojtjes së mjedisit detar në Mesdhe.

Me këtë synim, vendet pjesëmarrëse realizuan auditimin e përbashkët të performancës nën pyetjen kryesore “A janë aplikuar mekanizmat e duhur për përcaktimin dhe menaxhimin efektiv të Zonave të Mbrojtura Detare në Detin Mesdhe? Në mënyrë të përmbledhur, SAI-t pjesëmarrëse raportuan se mungojnë strategjitë specifike që orientojnë menaxhimin e ZMD dhe si pasojë ka vështirësi në përkufizimin e qartë të kritereve të përbashkëta që përcaktojnë një zonë të mbrojtur detare. Po kështu, në shumicën e rasteve raportohet për mbivendosje apo konflikt mes dispozitave që aplikohen në këtë lloj menaxhimi.

Konkretisht në këtë auditim të përbashkët, KLSH u angazhua nëpërmjet auditimit të Zonës së Mbrojtur Detare Karaburun-Sazan, e cila është edhe e vetmja Zonë e Mbrojtur Detare në vendin tonë. Organet që kryesisht ushtrojnë funksionet e tyre administrative në parkun detar dhe përreth tij janë Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me degën e saj rajonale AdZM Vlorë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Agjencia Kombëtare e Turizmit, Inspektorati i Peshkimit, dhe Inspektorati Rajonal Mjedisor. Të gjithë këto organe, sipas përkatësisë juridike, në thelb kanë si qëllim ruajtjen e ZM. Megjithëse qëllimi është i përbashkët, këto njësi më së shumti punojnë më vete, pa u koordinuar mes tyre dhe vihet re se ka një mungesë shkëmbimi informacioni duke cënuar kështu nivelin e eficiencës së procesit administrues të parkut. Gjithashtu, konstatohet se ka një mungesë bashkëpunimi më së shumti nga ana e inspektorateve të cilët duke qenë se ligji u jep kompetenca ndëshkuese ndaj shkelësve, konsiderohen si hallkë më “autoritare” duke e kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e AdZM, por jo anasjelltas, kryesisht në shkëmbimin e informacioneve. Ky kaos në administrimin e Parkut Kombëtar Detar dhe mbivendosjeve apo mos bashkëpunimit mes aktorëve të përfshirë, ka ardhur si pasojë e mungesës së një kuadri rregullator të mirëfilltë për zonat e mbrojtura prej vitesh. Në mungesë të një administrate të posaçme përgjegjëse për zonat e mbrojtura, administrimi i tyre është bërë në copëza, sipas kuadrit ligjor të aktorëve të përfshirë.

Është fakt se që prej vitit 2010, vendi ynë edhe pse me potencial të konsiderueshëm, ka mbetur vetëm me një zonë të mbrojtur detare, pra nuk i është kushtuar vëmendja e duhur kësaj kategorie. Plani i menaxhimit është hartuar me objektiva të qarta, të grupuara në kategori sipas interesit dhe vlerave që mbart kjo zonë, si dhe të përcaktuara në afate kohore, por nuk shoqërohet me një plan veprimi, pra nuk janë të pasqyruara masat dhe veprimet konkrete që do ndërmarrë kjo administratë për arritjen e këtyre objektivave. Hartimi i planit të menaxhimit është bërë në kuadër të projektit “Përmirësimi i Mbulimit dhe Efektivitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Detare dhe Bregdetare” të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF) dhe bashkë-financuar nga Ministria e Mjedisit dhe UNDP, pra është hartuar duke u bazuar në planet e investimeve që kjo organizatë ka parashikuar.

Mirë administrimi i këtij parku nuk rezulton të ketë qenë në fokusin e qeverisë dhe në rast se ky plan menaxhimi nuk do të mbështetej nga projekti, këto objektiva do të ishin tepër ambicioze për tu realizuar vetëm nga AdZM Vlorë. Duke marrë parasysh kapacitetet tepër të limituara të AdZM Vlorë, si në burime njerëzore ashtu edhe financiare, nuk ka patur një studim SMART gjatë përpilimit të objektivave nëse ato mund të përmbushen me kushtet që kjo administratë ka, krahas mbështetjes së projektit. Për shkak të kompetencave dhe burimeve të kufizuara që kjo administratë ka, ajo nuk arrin të realizojë një monitorim dhe kontroll efektiv të zonës nën juridiksion. Konkretisht AdZM Vlorë nuk ka të dhëna dhe statistika të sakta dhe zyrtare mbi numrin e vizitorëve dhe zhytësve që përdorin parkun, specieve të peshkuara,etj, pasi:

- së pari mungon një mekanizëm financiar i cili përveç se do të sillte të ardhura nga shitja e biletave do të bënte të mundur edhe kontrollin e flukseve të përdoruesve në park. Lidhur me këtë, përmendim edhe faktin se që në fillim të hartimit të planit të menaxhimit, nuk janë marrë masa për realizimin e një studimi mbi kapacitetet mbajtëse për përdoruesit. 

- së dyti, kuadri rregullator i deri tanishëm për këtë administratë, nuk parashikon marrjen e lejeve paraprake nga individë apo operatorë të ndryshëm të cilët duan të ushtrojnë veprimtari të çdo lloji në park.

- së treti, ka një mungesë bashkëpunimi me aktorët e tjerë të përfshirë në këtë zonë.

Në përfundim të këtij auditimi të përbashkët, SAI-t pranuan se mjedisi detar është një faktor potencial për rritje ekonomike dhe zhvillim. Në këtë kontekst rekomandohet që autoritetet kombëtare të rrisin përpjekjet për të siguruar balancën e duhur mes konservimit dhe përdorimit të këtyre zonave për qëllime ekonomike.