Njoftime

Vizita studimore në Prishtinë "Sigurimi i Cilësisë në Auditim"

10.12.2019

Në datën 02.12.2019, në kuadrin e muajit të hapur një grup audituesish nga Kontolli i Lartë i Shtetit vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë, me fokus në „ Sigurimin e Cilësisë në Auditim“. Grupi i KLSH u prit edhe nga Auditori i Përgjithshëm i ZKA Z. Besnik OSMANI.  

kosova viz

Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes të bashkëpunimit midis Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosove dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit u mbajtën dy kumtesa mbi sigurimin e silësisë në auditim, nga Drejtoria Metodologjisë dhe Cilësisë së Auditimit të ZKAsë. Pjesmarrësit e dy institucioneve tona diskutuan mbi zhvillimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave midis dy institucioneve. Ata ishin të një mendimi me idenë që cilësia në auditim është përparësi dhe se kjo duhet të arrihet përmes një menaxhimi të vazhdueshëm dhe standarti të lartë të procesit të auditimit.

Korniza ligjore e cilësisë së auditimit në ZKA përfshinte tre komponente kryesore:
Së pari, kontrolli i cilësisë, i cili ka lidhje me bërjen e punës mirë, që në fillim, duke siguruar që procedurat e cilësisë janë të përfshira në punën operative të auditimit. Gjithashtu, kontrolli i cilësisë zbatohet në të gjitha fazat e procesit të auditimit siç janë: planifikimi, zbatimi, raportimi dhe përcjellja, dhe kjo realizohej nëpërmjet listave të hollësishme verifikuese për secilën fazë të auditimit.

Së dyti, monitorimi i cilësisë përfshinte rishikimin në të „ nxehtë“ për të siguruar që procedurat e kontrollit të cilësisë, janë duke vepruar në mënyrë efektive. Drejtoria Metodologjisë dhe Cilësisë së Auditimit kryen rishikimin në të „ nxehtë“  sipas referencës në listat verifikuese standarde.
Sipas praktikës në ZKA diagrama e rishikimit të cilësisë së auditimit tregohet si më poshtë:
 

krakow

Së treti, sigurimi i cilësisë, ‘rishikimi në të ftohtë’, përfshin një vlerësim të jashtëm të pavarur të procedurave të kontrollit të cilësisë. Qëllimi i rishikimit të jashtëm është sigurimi i plotë i një vlerësimi të pavarur të standardeve të përmbushura. Në praktikën e ZKA, ky rishikim i jashtëm kryhet në kuadër të një projekti të përbashkët me Zyrën Kombëtare të Auditimit Suedez, nëpërmjet një procesi me zgjedhje. Ekipi i rishikimit të jashtëm do ta paraqesë raportin tek Auditori i Përgjithshëm duke i shtjelluar gjetjet kryesore, fushat për përmirësim dhe masat e marra për arritjen e tyre.

Në funksion të zbatimit të qëllimeve strategjike, u pa me shumë interes fokusimi i ZKA  në fushat si më poshtë:
-Rritja dhe forcimi i mëtejshëm i pamvarësisë institucionale nëpërmjet: Inicimit të ndryshimeve të nevojshme ligjore; Përditësimit të dokumenteve të metodologjisë së auditimit; Pilotimit të  auditimeve të pajtueshmërisë dhe atyre të rregullsisë së proceseve të prokurimit të projekteve të donatorëve; Zhvillimit të mëtejshëm i metodologjisë për përzgjedhjen e auditimeve bazuar në  risk; Përdorimit të platformave elektronike për menaxhimin e auditimit.

-Forcimi i kapacitetit institucional nëpërmjet: Ngritjes dhe forcimit të mëtejmë të kapaciteteve profesionale të personelit për zbatimin e planit strategjik; Forcimit të mëtejshëm i kontrolleve të brendshme institucionale;

Gjithashtu, në funksion të zbatimit të qëllimeve strategjike të përbashkëta, si edhe me përkrahjen e Auditorit të Përgjithshëm Z.Besnik OSMANI, pjesëmarrësit shprehën idenë mbi nevojën e organizimit të auditimeve të përbashkëta mbi menaxhimin e emergjencave si edhe sigurinë në industrinë e ndërtimit.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) është themeluar më 4 tetor të vitit 2002 me Rregulloren 2002/18. Ky ishte hapi i parë i shpallur nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-u) për krijimin e auditimit suprem në Kosovë. Gjithashtu, në qershor të vitit 2016, Kuvendi Kosovës shpalli Ligjin e ri nr. 05/L-055 për Auditorin e Pëgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, duke zëvendësuar kështu ligjin e vjetër. ZKA kryen kryesisht auditime të rregullsisë, përfshirë edhe atë të Buxhetit të Kosovës. Ajo, duke filluar nga viti 2016 kryen auditime të performancës dhe të ITsë. Çdo vit, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA) harton dhe dorëzon në Kuvend mbi 100 raporte të auditimit të rregullsisë dhe të performancës. Vetëm gjatë vitit të fundit ajo ka kryer 116 auditime të rregullsisë dhe 15 auditime të performancës Mbi 1000 rekomandime jepen çdo vit për organizatat buxhetore. Të gjitha raportet e auditimit bëhen publike. Aktualisht, ZKA ka të punësuar rreth 160 punonjës, 130 prej të cilëve janë staf auditues.