Njoftime

KLSH merr pjesë në forumin me temë “30 Vjet Qeverisje dhe Reforma Antikorrupsion në Evropën Qendrore dhe Lindore”

19.12.2019

Në datën 13 dhjetor 2019, Iniciativa Antikorrupsion e SELDI-t në bashkëpunim me Platformën Antikorrupsion të Maqedonisë së Veriut organizuan në Shkup forumin “30 Vjet Qeverisje dhe Reforma Antikorrupsion në Evropën Qendrore dhe Lindore”. Në këtë forum morën pjesë zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut, të Ambasadës Amerikanë në Maqedoninë e Veriut, të OECD-së, përfaqësues të Transparency International, si dhe përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile. Për rëndësinë që kishte tema e takimit, vendet e rajonit u përfaqësuan nga njësi të ndryshme qeverisëse si: organi i Prokurorit në Malin e Zi, Shoqata e Gjyqtarëve të Serbisë, Shërbimi i Hetimit të Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rumanisë, Agjencia Antikorrupsion e Kosovës dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsioni dhe Koordinimin e Luftës kundër Korrupsionit në Bosnje Hercegovinë. Në këtë takim Shqipëria u përfaqësua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nga drejtori i Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm Artur Hasanbelliu, dhe audituesit Besmir Pajaj dhe Megi Kurushi.

Ndër prezantimet dhe të dhënat që u paraqitën, SELDI konfirmoi përparimin e rajonit, gjatë dy dekadave të fundit, lidhur me presionin e vlerësuar të korrupsionit që nga viti 2001. Rezultatet për vitin 2019 tregojnë se në krahasim me vitin 2016, presioni i korrupsionit është rritur në katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnja dhe Hercegovina, e ndjekur nga Mali i Zi, Kosova, dhe Serbia. Ndërsa, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë parë një ulje margjinale të presionit të korrupsionit.

Në fjalën e Tij, Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut u shpreh se korrupsioni është një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë për të ardhmen e vendit dhe të rajonit. Sipas Tij, për një luftë efektive kundër korrupsionit është i nevojshëm një ligj i ri për ndjekjet penale sipas standardeve më të larta Evropiane, një sistem që merret me korrupsionin, si dhe vendosja e vlerave të reja të sistemit.

Drejtori i Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm në KLSH u shpreh se korrupsioni është një sëmundje të cilën e vuajnë të gjithë vendet e rajonit dhe se, lufta kundër tij duhet të jetë e përbashkët. Gjatë fjalës së Tij, Z. Hasanbelliu prezantoi punën e KLSH përgjatë viteve 2012-2018, si dhe paraqiti gjetjet dhe rekomandimet kryesore të dala nga auditimi i performancës “Strategjia Antikorrupsion”.

Mesazhi i auditimit “Strategjia Antikorrupsion”:

SNKK dhe PV janë krijuar për të qenë në linjë me një nga 5 rekomandimet e BE-së dhe rezultati final i tyre duhet të reduktonte ndjeshëm korrupsionin në vend me anë të përfshirjes së të gjitha  palëve të interesit. Pavarësisht këtij synimi, SNKK dhe rrjedhimisht PV që e detajon atë vuajnë planifikimin e dobët të objektivave të saj, specifikisht të objektivit A11 audituar nga KLSH. Ky planifikim i dobët shprehet në formulimin e nënobjektivave jo-SMART, moskonsultimin apo konsultimin fiktiv të palëve të interesit në hartimin e këtyre dokumenteve, mungesën e metodologjisë që përkthen objektivat operacionalë në strategjikë, mungesën e koherencës midis PV dhe SNKK, si edhe miratimit të kësaj Strategjie me akt nënligjor (VKM), ndërkohë që ajo parashtron detyra edhe për institucionet e pavarura nga ekzekutivi. Në drejtim të implementimit, Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit (prej Shtatorit 2017 Ministria e Drejtësisë dhe më parë Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore), me rol kyç në hartimin, implementimin dhe monitorimin e SNKK dhe Planit të Veprimit, nuk ka zotëruar asnjë hallkë të detyrave dhe përgjegjësive të veta, duke rezultuar në një Strategji të pazbatuar, pamonitoruar dhe rrjedhimisht të paraportuar për arritjet dhe mosarritjet. Prefekturat, si një nga palët kryesore në zbatimin e Strategjisë janë joaktive si në afatet, ashtu edhe cilësinë e raportimit dhe rezultojnë të mos kenë realizuar produktet finale të parashikuara. Nga ana tjetër, edhe pse shoqërisë civile i janë lëvruar fonde nga buxheti i shtetit lidhur me çështjen antikorrupsion dhe specifikisht këtë Strategji, roli i saj pothuajse nuk ekziston. Ajo rezulton të mos jetë e përfshirë në procesin e hartimit të SNKK dhe atë të luftimit të këtij fenomeni dhe për rrjedhojë nuk ka kontribuar si vlerë e shtuar e kësaj Strategjie.

Duke e konsideruar të dështuar në masën më të madhe Strategjinë Antikorrupsion dhe Planin e Veprimit për ta vënë në jetë atë, si edhe për të siguruar implementimin e një nisme kaq jetike për vendin e për të eleminuar në vijimësi riskun e transferimit të KKK nga njëri institucion në tjetrin, KLSH rekomandon krijimin e një Agjencie Kombëtare Antikorrupsion. Kjo agjenci sugjerohet të jetë nën varësinë e Kryeministrit dhe përgjegjëse për rihartimin, rizbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të SNKK dhe PV, duke marrë fillimisht dakordësinë e Kuvendit për dokumentet strategjikë në formën e një Ligji të posaçëm.

 

 

 

 

Në përfundim, pjesëmarrësit në forum u dakortësuan që korrupsioni dhe kapja e shtetit mund dhe duhet të trajtohen përmes një kombinimi të zbatimit të ligjit dhe masave parandaluese, të zhvilluara dhe zbatuara në bashkëpunim midis krijuesve të politikave, shoqërisë civile, komunitetit ndërkombëtar, sektorit të biznesit dhe mediave.

Këto përpjekje duhet të zbatohen në mënyrë sistematike duke synuar krijimin e një sistemi të ri të vlerave, të nevojshme jo vetëm për të përmbushur parakushtet e pranimit në BE, por edhe për të rifituar besimin e qytetarëve.