Njoftime

KLSH kallëzon në prokurori ish Drejtor, dy ish Përgjegjës legalizimi dhe një specialist të Drejtorisë Rurale Tiranë

21.02.2020

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr.578/1, datë 13.08.2019, i ndryshuar nr.578/2, datë 24.09.2019  dhe nr.578/3, datë 24.10.2019, ka përfunduar auditimin në ish Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Tirana Rurale, me objekt: “Auditimi përputhshmërie për periudhën 01.05.2016 -31.10.2019”.

Me Vendimin nr.150, datë 21.12.2019 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr.578/10 datë  23.12.2019, i janë rekomanduar masat Drejtorisë Rajonale të ASHK Tirana Rurale nr.1 e nr.2, për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundraligjshme në legalizime, për shkeljet:

Në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal”, në të gjitha rastet e audituara, ish Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Tirana Rurale  ka vepruar në kundërshtim me ligjin Ka proceduar me vendim kualifikimi pa marrë konfirmim mbi pagesën e saj duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 290,761mijë lekë për 5585 objekt në total;

- Nga 5585 leje legalizimi të lëshuara, 2750 leje legalizimi ose rreth 49 % e këtyre lejeve të legalizimit, janë lëshuar vetëm për objektin me shënimin në lejen e legalizimit “Kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore do miratohet me VKM”, nisur nga çmimet e tokës truall për këto zona,”, dhe për sipërfaqet e parcelave ndërtimore, rezulton një shumë që duhej paguar prej subjekteve informale.;
- Në 49 raste me sipërfaqe prej 18315.1 m2, sipas dokumentacionit të pronësisë lëshuar nga ZVRPP, parcela ndërtimore e zënë ndodhet e regjistruar në pasurinë e llojit “Arë, Pyll, Tokë pa fryt”. Pra legalizimi është kryer në zona “Territore të tjera”, duke ndryshuar zërin kadastral, regjimin e tokës në llojin e pasurisë “Truall”;
- Në 15 raste, është kryer legalizimi i objektit informal të ndërtuar në buzë të lumit, përroi, kanal pa respektuar distancat nga brigjet dhe në këtë rast procesi i legalizimit duhej të ishte kushtëzuar prej autoriteteve të ujit;
- Në 8 raste, sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si  genplani, harta dixhitale e paraqitur dhe pamjes grafike të ASIG rezulton se objektit ndodhet në afërsi të kabinës elektrike ose nën linjat e  transmetimit të energjisë elektrike;
- Në 7 raste, konstatohet se objektet informale të vetëdeklaruara janë ndërtuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar;
- Në 2 raste, rezulton  se objekti është i ndërtuar me objekte jo të qëndrueshme (llamarinë etj.) dhe pa lidhur pazgjidhshmërisht me tokën, pra jashtë fushës së zbatimit së ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 i ndryshuar,
- Në 2 raste, është kryer legalizim i objektit të ndërtuar në një distancë shumë afër hekurudhës më pak 25 m dhe në dosje nuk ka asnjë dokumentacion që vërteton marrjen e konfirmimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave për legalizimin e objektit;
- Në 23 raste, janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga rrugët, madje është cënuar trupi i rrugës, ndërkohë që në dosje nuk ka korrespodencë shkresore me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të përcaktuar nëse parcela ndërtimore bie në rrugë apo mbi projektin infrastrukturor;
- Në 5 raste, janë kryer legalizime për objekte shërbimi dhe banimi, në kushtet  ku parcelat ndërtimore ndodhen ne zona me zëra kadastralë “Tokë pa fryt(TPF)” dhe “Pyll”, duke  ndryshuar automatikisht edhe zërin kadastral dhe regjimin e  tokës në “Truall”, ose në zona ku PPV parashikon zona të pyllëzuara.
- Në 1 rast, objekti i legalizuar ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Ekosistemit Natyror të Malit me Gropa-Bizë-Martanesh.
- Në 7 raste kanë pranuar Deklarata për përfshirjen në procesin e legalizimit, pa u shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar.

KLSH duke i konsideruar  të paligjshme veprimet e kryera për shkeljet e konstatuara dhe pasqyruara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, në kuptim të referencave të Kodit Penal, është dërguar për indicie i gjithë materiali i përgatitur konkretisht për drejtuesit dhe specialistët e ish Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Tirana Rurale, konkretisht për A.I ish Drejtor, O.S ish përgjegjës legalizimi, S.I ish- përgjegjës Hartografisë dhe A.M. ish- specialist 

KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën  nr.578/12, datë 17.02.2019, indicje për kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shkelje të ligjit të legalizimeve, etj., duke  dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
   
V.O. Në Web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 150, datë 21.12.2019 në lidhje me këtë auditim.