Njoftime

KLSH kallëzon në prokurori 2 ish regjistrues dhe 4 specialistë të ish -ZVRPP Bulqizë

21.02.2020

Janë përfituar në mënyrë abuzive në kushtet e mungesës së AMTP-ve në favor të subjekteve private dhe në kushtet e mungesës së dokumentacionit ligjor të truallit dhe objekteve, duke kryer transaksione, tjetërsuar pasuri në mungesë të dokumentacionit që shërben si titull pronësie, si dhe janë bërë ndryshim hartografike dhe në sipërfaqe, kryer korrigjimi, përfshirë sipërfaqe të pasurisë “rrugë”, për të cilën mungon dokumentacioni i  fitimit të pronësisë, etj.

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr.207/1, datë 01.04.2019, me objekt “Auditimi përputhshmërie për vitin 2016 -2018”.
Me Vendimin nr.36, datë 04.08.2019 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe i janë rekomanduar masat Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Bulqizë, për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundraligjshme në transaksionet me pronat.

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi, duke cënuar interesin publik  e që konsistojnë në regjistrime e tjetërsime të pronave nga shteti në persona privat në mënyrë të paligjshme, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Bulqizë, për: A.R, S.B ish-Regjistrues dhe, A.H, T.H, N.L, G.H me detyrë Specialist, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për shkeljet:

-Janë përfituar në mënyrë abuzive në kushtet e mungesës së AMTP në favor të subjektit privat N.L dhe në kushtet e mungesës së dokumentacionit ligjor të truallit dhe objekteve, duke kryer transaksione e regjistruar kontratë shitje nr. 428/176, datë 23.03.1999 në shkelje të dispozitave ligjore përcaktuar .
-  Në 2 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme arë me sipërfaqe 16768 m2(e tjetërsuar), në shkelje të dispozitave ligjore, pasi regjistrimi i pasurive është kryer në mungesë të dokumentacionit që shërben si Titull Pronësie,  duke bërë ndryshim kufiri dhe ndryshim në sipërfaqe, brenda kësaj pasurie janë përfshirë sipërfaqe llojit “rrugë”.

Në 10 raste kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, lidhur me regjistrimin e pasurive truall+ndërtesë në zonat urbane të fshatrave, pasi  regjistrimi i pasurive truall+ndërtesë, është kryer në mungesë të dokumentit ligjor “Lista emërore e pronarëve të trojeve dhe shtëpive”, që shërben si Titull Pronësie;

Në 4 raste, në ZK 3694 dhe ZK 1763, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme një sipërfaqe toke në total prej 5790 m2, më tepër se sipërfaqja takuese sipas AMTP-së.

Në 2 raste në ZK 3694 dhe ZK 1763, kanë regjistruar me AMTP-të të korrigjuara, duke rritur fiktivisht sipërfaqen takuese dhe përfituar më tepër 5520 m2.

Në 8 raste, në  ZK 3694 dhe ZK 1532, kanë regjistruar pasuri dhe kanë kryer transaksione,  pasi kanë përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 89800 m2 për një trung familjar janë lëshuar 2 e më shumë AMTP, se sipërfaqja takuese sipas normës për frymë, bazuar në përbërjen familjare me datë 01.08.1991,duke shkelur kriterin e ndarjes së tokës sipas normës për frymë të çdo fshati, dhe ndarë tokë në mënyrë të pa barabartë.

Në 6 raste kanë regjistruar pasuri në favor të poseduesve të  AMTP-ve përkatëse, ku konstatohet se në këto raste AMTP-të nuk mund të shërbejnë si titull pronësie, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, për rrjedhojë në kundërshtim me dispozitat ligjore është tjetërsuar pasuria “shtet” me sipërfaqe totale 18500 m2, që në KPP dhe regjistrat përkatës figuron e llojit: “pyll”, “truall” “livadh” dhe “kullotë”,  për të cilat në të gjitha rastet janë lëshuar certifikata pronësie për tokë arë, ndërsa ZVRPP Bulqizë , nuk duhet të procedonte me regjistrimin e pasurive përkatëse, deri në konfirmimin zyrtar nga institucionet përkatëse.

Në 2 raste, ka regjistruar pasuri të paluajtshme sipas AMTP në ZK 8612, qyteti Bulqizë dhe ZK 1532, fshati Dragua, të cilat janë lëshuar për persona që nuk janë përfitues të tokës, pasi nuk janë brenda juridiksionit që ushtron detyrën Komisioni i Ndarjes së Tokës në Fshat, kjo e vërtetuar me certifikatën e përbërjes familjare datë 1.08.1991.

Në 2 raste, në ZK 3694, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme llojit arë me sipërfaqe 5312 m2(e tjetërsuar) dhe në ZK 3694, arë me sipërfaqe 1856 m2, në shkelje të dispozitave ligjore, dhe në mungesë të dokumentacionit që shërben si Titull Pronësie.

Në një rast kanë ofruar shërbimi e kërkuar subjektit, në kushtet kur AMTP nr. 2641 është lëshuar dhe i përket ZK 3694 Vajkal (rurale) dhe është regjistruar në ZK 8611 Bulqizë e re (urbane). Gjithashtu është ndryshuar zëri kadastral pronave që i shërbejnë një interesi publik nga Shesh në Arë.

Në 2 raste ka ofruar shërbimi e kërkuar subjektit, në kushtet kur AMTP nr. 26723 dhe  AMTP nr. 26729 u mungon nënshkrimi i kryetarit të komisionit të tokës në fshat si dhe nënshkrimi i përfituesit, gjithashtu është korrigjuar numri i aktit dhe sipërfaqja totale.

Në 1 rast ka ofruar shërbimi e kërkuar subjektit, në kushtet kur nuk është bërë bilanci i sipërfaqes totale që përmban  AMTP nr. 26729 me sipërfaqen e LN duke përfituar 1708 m2 më tepër se akti i fitimit të pronësisë.

Nga Zyra vendore e ASHK(ish-ZVRPP)Bulqizë nuk janë verifikuar elementet e formës dhe të përmbajtjes të pasurisë nr. 184/6, v. 1, faqe 40, përfituar nga ligji e Privatizimit nr. 7512, date 10.08.1991 me ndryshimet e mëvonshme, pa u përcaktuar më pare marrëdhëniet e pronësisë, me kontratë qiraje apo kontratë shitje, si dhe nuk rezulton të jete paguar qira trualli nga koha e privatizimit të objektit dhe pas.

Në 4 raste ka kryer veprime në (KPP) duke lëshuar certifikata pronësie, mungon origjina e kësaj prone, kontrata e shitblerjes, nuk është bërë verifikimi nëse prona në fjalë rrjedhin nga tituj pronësie të pronarit të fundit të saj, të regjistruar më parë në regjistër.

Në 12 raste që ju përkasin ZK 8612 dhe  ZK 3694, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme përfituar me leje legalizimi, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi legalizimi është kryer mbi objekte që rezultojnë të regjistruara në KPP, në pronësi “shtet”,  për të cilat nuk ka ndonjë akt administrativ të lëshuar nga organet përkatëse. Është fshirë e drejta e pronësisë shtetërore për  pasuritë ndërtesë me sipërfaqe totale 1498 m2, e cila konsiderohet përvetësim i paligjshëm i pronës shtetërore

Në 3 raste ka regjistruar pasuritë e paluajtshme me parregullsi dhe në mungesë të dokumentacionit urbanistik tekniko ligjor, si dhe në mungesë të marrëdhënieve me truallin.

Në 1 rast nuk përputhet sipërfaqja e sheshit të ndërtimit e përcaktuar në formularin nr. 2 e cila është 320 m2 dhe kontratës së shitblerjes e cila është 152 m2, duke regjistruar më pakë në kartela një sipërfaqe prej 168 m2.

KLSH, duke i konsideruar  të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Bulqizë, konkretisht për : A.R, S.B ish-Regjistrues dhe, A.H, T.H, N.L, G.H me detyrë Specialist për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal,, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr.33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën nr.207/11, datë 24.09.2019, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Bulqizë, për shkelje të ligjit në regjistrimet e paligjshme të pronave, tjetërsimin e tyre në kundërshtim me ligjin, etj., duke  dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

V.O. Në Web-in e KLSH gjendet i plotë  Njoftimi për shtyp dhe Vendimi nr.36, datë 04.08.2019 në lidhje me këtë auditim.