Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues,  në zbatim të programit të auditimit nr. 513/1, datë 14.05.2021, i ndryshuar, ushtroi auditimin  e “ Përputhshmërisë”, për veprimtarinë e punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), për periudhën nga data 01.01.2020 deri më datën 31.12.2020.

Auditimi u shtri mbi çështjet kryesore të veprimtarisë së institucionit si: menaxhimi financiar dhe kontrolli i brendshëm, planifikimi dhe realizimi i të ardhurave tatimore, në veprimtarinë e Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut, Drejtorisë së Kontrollit Tatimor, Drejtorisë së Hetimit Tatimor, Drejtorisë së Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH, procedurat e prokurimit publik, planifikimin, zbatimin e buxhetit dhe hartimin e pasqyrave financiare, marrëdhëniet e punës, zbatimi i rekomandimeve të lënë në auditimin e mëparshëm etj.

Në përfundim të auditimit u konstatuan veprime apo mosveprime në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, lidhur me përputhshmërinë e veprimtarisë së DPT. Anomalitë kryesore të konstatuara nga auditimi, në  mënyrë të përmbledhur paraqiten si më poshtë:

- Gjendja e detyrimeve të papaguara deri me datën 31.12.2020 është 122.4 miliard lekë dhe stoku i detyrimeve tatimore gjatë vitit 2020 ka pësuar një rritje neto prej 5.4 miliard lekë krahasuar me një vit më parë.

- Mos respektimi i afateve kohore në lidhje me procesin e rimbursimit të TVSH, nga ana e DRTVSH-së dhe DRT-ve. Në mbyllje të periudhës ushtrimore 2020 rezultojnë 88 kërkesa për rimbursimin e TVSH-së të pranuara por të pa miratuara në vlerën totale prej 1.99 miliard lekë, në tejkalim të afatit ligjor 60-ditor, veprime këto në kundërshtim me ligjin 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar. Si rezultat vlera e stokut të rimbursimit të TVSH-së, në opinionin tonë është 11.8 miliard lekë nga 9.8 miliard lekë e paraqitur nga DPT.

- Mos arkëtimin e të ardhurave nga kontributet për vlerën 16,5 miliard lekë, të cilat janë të ardhura të munguara për fondin e sigurimeve shoqërore dhe të kujdesit shëndetësor.

- Mangësi në përbërje të ardhurave faktike të vitit ushtrimor të strukturuara  sipas natyrës dhe llojit, janë edhe të hyrat e kontabilizuara në llogarinë 466 “Mjete në ruajtje” e cila përfaqëson arkëtimet e paidentifikuara deri në sistemimin e tyre.

- Konstatohen parregullsi në plotësimin e vendeve vakante edhe pse institucioni ka kaluar një proces të gjatë ristrukturimi dhe nuk ka  përfunduar plotësimi i të gjitha vendeve të punës sipas strukturës së miratuar.

- Për shpenzimet për investime për vitin 2020, konstatohet një investim në vlerën 80 milion lekë, i realizuar pa patur fonde në dispozicion, në kundërshtim me  disiplinës financiare.

- Në Drejtorinë Menaxhimit të Riskut janë konstatuar mangësi në përmirësimin e modulit të riskut, standardizim dhe unifikim të raporteve të kontrollit për ti analizuar në mënyrë të detajuar për të identifikuar risqe të reja dhe me qëllim studimin e treguesve në mënyrë periodike; mungesa e një koordinimi më të mirë ndërmjet DRT-ve dhe Drejtorive funksionale në DPT me Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut (DMR,) të cilat duhet të informojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe rast pas rasti DMR, për risqe potenciale si bazë në hartimin e strategjive dhe evidentimin e të gjitha problematikave që mund të konsiderohen risk për realizimin e objektivave të Administratës  Tatimore.

- Në Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve e DRT, janë konstatuar mangësi në unifikimin e organizimit dhe të strukturës në përputhje me ligjin dhe udhëzimin e procedurave tatimore, në rritjen e pavarësisë, në përfundimin e analizimin e rasteve të denoncimeve të ardhura në institucion.

- Në Drejtorisë së Kontrollit Tatimor janë konstatuar mangësi në monitorimin periodik të punës së drejtorive rajonale tatimore lidhur me zbatimin e legjislacionit tatimor, në përfundimin e kontrolleve dhe arkëtimin e detyrimeve, në realizimin e kontrolleve nga zyra nëpërmjet mbledhjes dhe përpunimit të dhënave nga sistemi C@ts, në mos përfundimin e kontrolleve për disa vite.

 

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti përfundimtar i auditimit