Njoftim për shtyp për auditimin e ushtruar në Bashkinë Dibër

Njoftim për shtyp mbi auditimin “financiar dhe të përputhshmërisë” të ushtruar në Bashkinë Dibër

 

Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.466/1 prot., datë 02.06.2020 dhe programit të ri-auditimit nr. 99/1, datë 04.02.2021, të miratuar nga Kryetari i KLSH, ushtroi auditimin “financiar dhe të përputhshmërisë” në subjektin Bashkia Dibër, për veprimtarinë nga data 01.01.2018 deri në datën 31.12.2020, ku konkludoi me dhënien e “Opinion i kundërt” për pasqyrat financiare dhe “Opinion i modifikuar” për përputhshmërinë, pasi u lanë rekomandimet dhe masat përkatëse, konkretisht 14 masa organizative, 5 masa për shpërblim dëmi, 3 masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet të fondeve publike, 4 masa për uljen e borxhit tatimor, masa administrative ndaj 9 punonjësve dhe masa disiplinore ndaj 13 punonjësve.

Nga auditimi i komponentëve dhe implementimit të parimeve të MKF-së, u konstatua se:

nuk ka ngritur një sistem efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, duke mos hartuar një kuadër të plotë rregullash të shkruara për këtë qëllim. Nuk janë hartuar rregulla për ruajtjen e aktiveve, nuk ka politika dhe praktika që të garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e kompetencave profesionale të stafit, nuk rezulton të jenë çelur dhe administruar regjistrat e risqeve për njësinë vendore, por edhe për çdo sektor të vartësisë.

 

Nga auditimi rezultoi se për 4 subjekte, Bashkia Dibër ka lidhur kontrata për dhënien me qira të aseteve të cilat janë pronë e njësisë vendore, por llogaritja e vlerës së qirasë nuk është bërë e saktë, duke bërë që qiramarrësit të kryejnë pagesë më të ulët se vlera e duhur. Për 4 rastet e konstatuara, Bashkisë Dibër i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8,494,504 lekë.

 

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Sistemim, asfaltim i rrugës së fshatit Melan, Nj.A Melan, Bashkia Dibër”, me vlerë të kontratës 16,025,471 lekë pa TVSH, lidhur midis Bashkisë Dibër dhe kontraktorit “S.” ShPK, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në fakt në vlerën 1,151,623 lekë pa TVSH, dëm ekonomik në buxhet.

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Rikonstruksion i godinave në pronësi të Njësive të Qeverisjes Vendore për strehim social” Bashkia Dibër, me vlerë 5,464,088 lekë pa TVSH, lidhur midis Bashkisë Dibër dhe kontraktorit “R.” ShPK, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në fakt, në vlerën 336,610 lekë pa TVSH.

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Sistemim, asfaltim i lagjes Llixha-Banjë-Bunisht, Nj.A. Peshkopi”, Bashkia Dibërme vlerë të kontratës 9,222,222 lekë pa TVSH, lidhur midis Bashkisë Dibër dhe kontraktorit BOE “E.” ShPK & “S. 2.” ShPK, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në fakt, në vlerën 250,150 lekë pa TVSH.

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Punime, ndërtime, rehabilitime dhe mirëmbajtje të kanaleve ujitëse,me vlerë të kontratës 11,614,380 lekë me TVSH, nga sipërmarrësi i punimeve “E." SHPK, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në fakt në vlerën 129,600 lekë pa TVSH.

Nga verifikimi i taksave vendore për subjektet që tregtojnë hidrokarbure dhe derivatet e tyre, u konstatua se janë debitorë në lidhje me pagesën për licencimin (autorizimin) e tregtimit të hidrokarbureve, 11 subjekte në vlerën 13,800,000 lekë.

Nga auditimi është konstatuar mos arkëtim i gjobave nga strukturat e Policisë Bashkiake dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër për vlerën prej 146,500 lekë për Policinë Bashkiake dhe në vlerën prej 1,350,000 lekë për IMTV.

Borxhi progresiv në datën 31.12.2019 ka vlerën 47,459,984 lekë, e ardhur e munguar për buxhetin e njësisë vendore, e cila përbëhet nga:

-270 subjekte të biznesit të madh dhe të vogël në vlerën 7,427,427 lekë

-15,568 familje debitorë për tokën bujqësore në vlerën 6,494,144  lekë

-22,153 familje debitorë për tarifat vendor në vlerën 26,210,566 lekë

- vlera 7,327,847 lekë, e cila përbën detyrim për  taksën e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2018 në vlerën 5,385,190 lekë,  për 139 taksapagues, vitin 2019 në vlerën 1,942,657 lekë për 53 taksapagues.

Nga auditimi i ushtruar u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish që lidhen me procedurën e prokurimit me objekt “Blerje artikuj ushqimorë për nevojat e kopshteve dhe çerdheve të Bashkisë Dibër për vitin 2018”, të cilat përmes veprimeve të kryera bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Gjithashtu janë konstatuar veprime të tjera të kundraligjshme që lidhen me falsifikimin e dokumenteve dhe hyrjen e paautorizuar kompjuterike, me pasojë cënimin e ligjshmërisë së kësaj procedure prokurimi, si dhe të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve ose subjekteve pjesëmarrëse. Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kallëzimin penal për 2 punonjës të Bashkisë Dibër, për veprat penale “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal; “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” parashikuar nga neni 192/b i Kodit Penal.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi 14 masa organizative, 5 masa për shpërblim dëmi, 3 masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet të fondeve publike, 4 masa për uljen e borxhit tatimor, masa administrative ndaj 9 punonjësve dhe masa disiplinore ndaj 13 punonjësve, me vendimin nr.163, datë 15.10.2021, të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.