Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Prrenjas

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Prrenjas

Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.1117/1 prot., datë 01.11.2021, të miratuar nga Kryetari i KLSH, ushtroi auditimin “financiar” në subjektin Bashkia Prrenjas, për veprimtarinë nga data 01.01.2020 deri në datën 31.12.2020, ku konkludoi me dhënien e “Opinionit të modifikuar” për pasqyrat financiare dhe u lanë rekomandimet dhe masat përkatëse, konkretisht: 11 masa organizative, 6 masa për uljen e borxhit tatimor dhe masa disiplinore ndaj 16 punonjësve.

Nga auditimi u konstatua mos realizim në treguesit e buxhetit i cili ka krijuar detyrime të prapambetura të pa likuiduara ndaj të tretëve, duke paraqitur risk për buxhetin e vitit në vazhdim të njësisë vendore, sepse ky buxhet do të përdoret jo për të financuar nevojat reale të vitit buxhetor, por për të likuiduar detyrimet e prapambetura për investimet, mallrat e shërbimet dhe dëmshpërblimin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ku gjendja progresive e detyrimeve deri në datë 31.12.2020 pasqyrohen në vlerën 16,204,679 lekë duke zvogëluar fondet në dispozicion për periudhën raportuese viti 2020 në investime dhe shpenzime të tjera në interes të komunitetit Bashkia Prrenjas.

Në rubrikën, aktivet afat shkurtra. nënrubrika llogari të arkëtueshme, gjendja e llog.(468) “Debitorë të ndryshëm”, në pasqyrat e pozicionit financiar të periudhës ushtrimore raportuese në datë 31.12.2019 paraqitet në vlerën 10,123,778 lekë, ndërsa në datën 31.12.2020 paraqitet në vlerë 47,898,097 lekë me diferencë më tepër detyrime debitorë ndaj bashkisë në shumën prej 37,774,319 lekë e cila përfaqëson detyrimet shtesë të pa likuiduara në vite nga subjektet ekonomik dhe familjar.

Në rubrikën, aktivet afatshkurtra, nën/rubrika të tjera aktive afatshkurtra, gjendja në llog.(486) “Shpenzime të periudhave të ardhshme” në pasqyrat e pozicionit financiar të periudhës raportuese ushtrimore më datë 31.12.2019 paraqitet në vlerë 0 (zero) lekë, ndërsa në datë 31.12.2020 në vlerë 39,012,416 lekë me diferencë më tepër 39,012,416 lekë e cila përfaqëson shtesë për detyrime të prapambetura të pa likuiduara ndaj të tretëve nga Bashkia Prrenjas. Nga analiza e kësaj llogarie konstatohet se detyrimet e prapambetura nuk janë raportuar në PF të vitit 2019, ku nga testet e detajuara rezultojnë detyrime ndaj OSHEE në shumën progresive 12,908,599 lekë, detyrime ndaj të tretëve për investime të FSHZH në shumën 22,807,737 lekë dhe një vendim gjyqësor i vitit 2019. Në bazë të testeve të detajuara rezulton se llogaria 486 sa trajtuar më sipër nuk korrespondon me llogarinë kundërparti tek pasivi i bilancit, llogaria 467 “Kreditor të ndryshëm” e cila paraqitet më 31.12.2020 në shumën 46,681,418 lekë, për pasojë është nënvlerësuar për shumën 7,669,002 lekë nga të cilat 22 fatura të palikujduara në shumën 7,773,658 lekë, të cilat nuk janë raportuar me arsyen se kanë lindur në muajin dhjetor 2020 dhe shuma tjetër prej 104,656 lekë pa adresim, e mbartur në vite në librat e llogarisë.

Nga auditimi rezulton se gjendja në llog.(4342) “Operacione me shtetin të drejta”, në pasqyrat e pozicionit financiar të periudhës raportuese ushtrimore më datë 31.12.2019 paraqitet në vlerën 90,909,558 lekë, ndërsa në datë 31.12.2020 me vlerë 80,758,369 lekë me diferencë më pak në vlerën prej 10,151,189 lekë. Duke bërë krahasimin me detyrimet korresponduese në pasiv të bilancit rezulton në total se këto 5 llogari të analizuara hollësisht janë me vlerë 103,061,258 lekë, më shumë në vlerën 22,302,889 lekë, për pasojë llogaria “kundër parti” e pasqyruar në aktiv të bilancit Llog.(4342) është nënvlerësuar me shumën 22,302,889 lekë e paargumentuar.

Nga auditimi i dokumentacionit që është administruar në dosjen fizike të secilit operator ekonomik u konstatua se, Drejtoria e Taksave e Tarifave vendore për 11 OE që tregtojnë në pikë fundore karburant dhe 1 OE që tregton në pikë fundore gaz të lëngshëm, nuk ka të administruar e dokumentuar autorizimin bazë dhe afatin e rinovimit të autorizimit, nuk ka të evidentuar saktësisht vlerën e arkëtuar në momentin e pajisjes me autorizimin bazë, apo rinovimin në periudhën objekt auditimit, çka ka sjellë të ardhura të munguara në shumën 5,091,850 lekë të pa programuara në buxhetin e Bashkisë Prrenjas.

Për periudhën raportuese ushtrimore deri në datën 31.12.2020, nga Bashkia Prrenjas janë  realizuar të ardhura nga dhënia në përdorim e fondit pyjor/kullosor, aset publik në pronësi të bashkisë, nëpërmjet kontratave të qirasë të lidhura me operatorët ekonomik subjekte juridik privat për ndërtimin e HEC-ve. Bashkia Prrenjas ka lidhur gjithsej 6 kontrata qiraje me operatorë ekonomik për ndërtim të HEC-ve, ku referuar kontratave dhe në vlerës së qirasë e përcaktuar në raportin teknik të vlerësimit pjesë përbërëse integrale e kontratës, Bashkia Prrenjas për çdo vit kalendarik nga data e lidhjes së kontratës deri në datën 31.12.2020 duhej të kishte realizuar të ardhura shtesë në vlerën prej 3,929,920 lekë. Si pasojë e mos arkëtimit të plotë nga operatorët ekonomik të detyrimit për çdo vit kalendarik të nivelit të tarifës së qirasë për secilën kontratë për periudhën deri në datën 31.12.2020 rezulton diferencë e pa arkëtuar në shumën prej 3,929,920 lekë shumë e konsideruar e ardhur e munguar për buxhetin e Bashkisë Prrenjas.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi 11 masa organizative, 6 masa për uljen e borxhit tatimor dhe masa disiplinore ndaj 16 punonjësve, me Vendimin nr.10, datë 12.01.2022 të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport përfundimtar i auditimit