Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Has

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Has

Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.866/1 prot., datë 01.09.2021, të miratuar nga Kryetari i KLSH, ushtroi auditimin “financiar dhe të përputhshmërisë” në subjektin Bashkia Has, për veprimtarinë nga data 01.01.2018 deri në datën 31.12.2020, ku konkludoi me dhënien e “Opinion i kualifikuar me theksim çështjeje” për pasqyrat financiare, pasi u lanë rekomandimet dhe masat përkatëse. Konkretisht: 13 masa organizative, 2 masa për shpërblim dëmi, 6 masa për uljen e borxhit tatimor dhe rritjen e performancës në arkëtimin e detyrimeve për taksat e tarifat vendore, përfshirë detyrimet nga qiradhënia (të ardhura të munguara), si dhe masa disiplinore ndaj 8 punonjësve.

-Nga auditimi rezultoi se për 1 subjekt Bashkia Has ka lidhur kontratë qira për dhënie në përdorim asetit pronë publike nga sipërfaqe e fondit pyjor/kullosor për ndërtim HEC-i në territorin e Bashkisë Has, në të cilën vlera e nivelit të tarifës e përllogaritur në aneks kontratën është e pa argumentuar dhe e pa saktë me pasojë dëm ekonomik i shkaktuar për buxhetin e Bashkisë Has në vlerën prej 1,120,950 lekë.

-Nga auditimi mbi vlerësimin e realizimin e të ardhurave vendore për periudhën raportuese (2018-2019-2020) nga zbatimi i nivelit të tarifës për dhënie (licencë/autorizim) në tregtimin e naftës bruto e nënproduktet e saj dhe lëndë djegëse për operatorëve ekonomik që tregtojnë në stacione karburant për konsumatorët fundorë në territorin e Bashkisë Has për të cilët bashkia i ka pajisur me afat vetëm për 1(një) vit kalendarik, si pasojë e mos administrimit të autorizimit bazë apo të mos pagesës së nivelit të tarifës përkatëse pas rinovimit të autorizimit baze, nivel tarife e pa përfshirë në paketat fiskale, ka krijuar të ardhura të munguara të pa programuara në buxhetin e Bashkisë Has në shumën prej 7,980,000 lekë.

-Nga auditimi mbi vlerësimin e realizimin e të ardhurave vendore për periudhën raportuese (2018-2019-2020) u konstatua se Bashkia Has me operatorë ekonomik të cilët kryejnë aktivitet për qëllime biznesi me status “aktiv”, në fushën e mineraleve në territorin e Bashkisë Has, të cilët janë të pajisur me leje minerare nga (MEI) dhe kanë në përdorim sipërfaqe nga fondi pyjor/kullosor sipas lejeve në total 746,2 ha, ndërsa bashkia ka lidhur kontrata qiraje për dhënien në përdorim të sipërfaqes së fondit pyjor/kullosor vetëm për 189,67ha me diferencë sipërfaqe e pa kontraktuar, e cila është e shfrytëzuar prej 556,53 ha. Në këto kushte, Bashkia Has, për mos lidhje të kontratës për të gjithë sipërfaqen e lejeve minerare, ka krijuar të ardhura të munguara të pa programuara për buxhetin e bashkisë në shumën prej 52,330,090 lekë

-Nga auditimi mbi vlerësimin e realizimin e të ardhurave vendore për periudhën raportuese (2018-2019-2020) u konstatua se; Sektori i Taksave e Tarifave nuk ka realizuar të ardhura nga zbatimi i nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet informate (pa leje) të kryera në territorin e bashkisë Has, të legalizuara nga ALUIZNI për subjekte ekonomike dhe subjekte familjarë në vlerën 3,671,328 lekë e konsideruar e ardhur e munguar e pa programuar për buxheti Bashkisë Has.

-Nga auditimi mbi vlerësimin e realizimin e të ardhurave vendore për periudhën raportuese (2018-2019-2020) u konstatua se Sektori Taksave e Tarifave nuk ka përllogaritur e aplikuar nivelin e tarifës për pastrim, ndriçim e gjelbërim për OE të cilët kanë kryer punime ndërtimi në territorin e bashkisë dhe njësitë administrative në vartësi dhe kanë lidhur kontrata për punë publike me Bashkia Has, përpara fillimit të punimeve OE nuk kanë aplikuar në QKB për hapje në vendin e ushtrimit të veprimtarisë i ndryshëm nga selia (sipas vendndodhjes së objektit të kontratës), për pasojë edhe nuk janë ngarkuar me detyrime për nivelin e tarifave të pastrimit, gjelbërimit dhe ndriçimit të miratuara me paketën fiskale nga Këshilli Bashkiak Has në vlerën 897,500 lekë e ardhur e munguar e pa programuar për Buxhetin e Bashkisë Has.

-Nga auditimit mbi procedurat e ndjekura për kundërvajtjet administrative me (pezullim e ndërtime pa leje, etj.) të konstatuara për periudhën raportuese (2018-2019-2020) dhe të pasqyruara në 46 subjekte me procesverbale konstatimi u konstatua se, nga Sektori i Planifikimit të Teritorit dhe Urbanistikës nuk është vendosur penalitet për ndërtime të kundërligjshme nga persona fizik, juridik dhe familjar për rastin e evidentuar në procesverbal “pezullim punime” , për të cilën duhej të ishte vendosur penalitet me vlerë minimale 100,000 lekë, për pasojë vlera prej 4,600,000 lekë, konsiderohet e ardhur e munguar e pa programuar për buxheti Bashkisë Has.

-Nga auditimi u konstatua se borxhi progresiv i administruar nga Sektori i Taksave e Tarifave Vendore pasqyrohet gjendje në datën 31.12.2020 me vlerën 10,362,754 lekë e ardhur e munguar për buxhetin e njësisë vendore e cila përbëhet vetëm nga:

-104 subjekte të biznesit të madh dhe të vogël në vlerën 10,362,754 lekë.

-ndërsa nuk evidentohet, nivel i taksës së tokës bujqësore nga familjarë.

-Nga auditimi i realizimit të treguesve të buxhetit u konstatua se, njësia vendore Bashkia Has ka krijuar detyrime të prapambetura të pa likuiduara ndaj të tretëve, duke paraqitur risk për buxhetin e vitit në vazhdim, pasi ky buxhet i miratuar do të përdoret jo për të financuar nevojat reale të vitit buxhetor ushtrimor, por për të likuiduar detyrime të prapambetura për investime, mallra e shërbimet, apo dëm shpërblim për zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ku gjendja progresive e detyrimeve të pa likuiduara në datë 31.12.2020 pasqyrohen në vlerën 36,368,188 lekë, sa më poshtë:

-Detyrime për investime në vlerën 25,425,844 lekë;

-Detyrime për mallra e shërbime në vlerën 10,547,166 lekë;

-Detyrime për vendimet gjyqësore në vlerën 395,178 lekë;

-Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi 13 masa organizative, 2 masa për shpërblim dëmi, 6 masa për uljen e borxhit tatimor dhe rritjen e performancës në arkëtimin e detyrimeve për taksat e tarifat vendore, përfshirë detyrimet nga qiradhënia (të ardhura të munguara), si dhe masa disiplinore ndaj 8 punonjësve, me Vendimin nr.224, datë 29.12.2021, të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti përfundimtar i auditimit