Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë

Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë

Në zbatim të Programit të Veprimtarisë Audituese për vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, zbatimit të Udhëzimeve dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI), sipas programit të auditimit nr.612/2 prot., datë 29.07.2021, ndërmori auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me peshën dhe matjet”. Ky auditim u zhvillua në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë (DPM).

Në përfundim të këtij auditimi, në drejtim të hartimit, plotësimit dhe përafrimit me standardet e BE-së të kuadrit rregullator, realizimit të objektivave strategjikë për metrologjinë, mirëadministrimit të burimeve njerëzore dhe financiare, verifikimit metrologjik të instrumenteve matës, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, rezultoi se veprimtaria e subjekteve të audituara nuk ka qenë efektive.

Ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit janë:

Mungesa e hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore për metrologjinë;

Përcaktimet në ligjin nr.126/2020 “Për Metrologjinë”, bazuar edhe në praktikat e mira mund të pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave, të cenojnë cilësinë dhe transparencën e shërbimit të verifikimit të shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm, si dhe të ndikojnë negativisht në mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me peshën dhe matjet;

Gjithashtu duke pasur në konsideratë të ardhurat e DPM, realizuar nga shërbimi i verifikimit të shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm në një vit kalendarik, përcaktimet e bëra në Ligjin nr.126/2020 “Për metrologjinë”, do të ndikojnë direkt në reduktimin e të ardhurave të DPM-së, e për rrjedhojë në të ardhurat e buxhetit të shtetit;

Dhënia me koncesion e shërbimit të verifikimit të shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm, ka ndikuar negativisht në efektivitetin dhe eficiencën e investimeve në vlerën prej 63,975,994 lekë, të kryera në DPM, për blerjen e autolaboratorëve dhe pajisjeve të nevojshme për kryerjen e këtij shërbimi;

Mungesa e realizimit plotësisht të objektivave strategjik nga DPM në bashkëpunim me MFE, si dhe e hartimit të strategjisë së posaçme për zhvillimin e metrologjisë, në gjykimin e grupit të auditimit, tregon mungesë koordinimi dhe punë të dobët, ndërmjet këtyre dy institucioneve në bashkërendimin e veprimeve dhe marrjen e masave konkrete për realizimin e objektivave strategjik, të cilët në fund synojnë zhvillimin e sistemit të metrologjisë, si dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Mungesa e verifikimit metrologjik të matësave të ujit, nuk ka realizuar qëllimin e Ligjit të Metrologjisë, për mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me peshën dhe matjet, si dhe mund të sjellë faturimin jo real të konsumit të ujit.

Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional të DPM ka ndikuar negativisht në veprimtarinë e institucionit, mbulimin me verifikim metrologjik të disa instrumenteve matës si dhe në mbrojtjen e konsumatorit.

Në përfundim të auditimit janë dhënë: 5 masa për përmirësim ligjor, 19 masa organizative, si dhe 1 masë për eleminimin e efekteve negative në administrimin e fondeve publike. 

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni Raportin Përfundimtar të Auditimit në linkun e mëposhtëm:

Raport përfundimtar i auditimit