KLSH kallëzon në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë Drejtorin e Kabinetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) dhe ish-Drejtorin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)

Njoftim për shtyp

Tiranë, më 26.01.2022

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit me nr.579/1, datë 04.06.2021, ka ushtruar auditimin me objekt “Mbi përputhshmërinë e veprimtarisë ekonomiko-financiare” në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale .

Nga auditimi i kryer janë evidentuar veprime të Drejtorit të Kabinetit pranë MSHMS, në cilësinë e Koordinatorit të Përgjithshëm të Projektit “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor”, si edhe ish Drejtorit  të FDSKSH-së lidhur me mos funksionalitetin e sistemit të menaxhimit finanicar në 420 QSH-ve, të kryera në kundërshtim flagrant me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë detyrën e tyre funksionale, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë konsumim të elementeve të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për sa më lart cituar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, kallëzimin penal për dy funksionarët e lartpërmendur.