Raporti Vjetor i Performancës Viti 2014

Raporti Vjetor i Performancës, viti 2014

Mesazh i Kryetarit të KLSH

Viti 2014 ka përfaqësuar për KLSH vitin e dytë të  zbatimit të Strategjisë së tij të Zhvillimit 2013-2017, të bazuar në drejtimet kryesore strategjike të INTOSAI -t dhe EUROSAI-t, strategji e cila synon sjelljen e veprimtarisë  audituese  të  institucionit në parametrat e institucioneve të zhvilluara simotra të Bashkimit Evropian, në respektim të plotë të mandatit kushtetues të KLSH dhe të pritshmërive të Kuvendit dhe qytetarëve.

Në terësi, nisur nga sasia dhe cilësia e auditimeve të kryera, nga gjetjet dhe rekomandimet e dhëna, nga përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike, viti 2014 përfaqëson vitin e  konsolidimit të reformave të ndërmarra gjatë viteve 2012-2013 dhe vit në të cilin institucioni ka fituar ne mënyrë më të plotë fizionominë e një institucioni modern të auditimit suprem publik, me qasje evropiane.

Filozofia e re e punës ka synuar zbatimin rigoroz të standardeve profesionale të fushës ISSAI, duke realizuar shkëputjen perfundimtare të KLSH nga  tradita shumëvjeçare  e një strukture të orientuar për nga inspektimi financiar, në një trupë auditimi që kërkon shtimin e vlerës së parasë publike të shpenzuar për investime dhe shërbime ndaj qytetarëve, duke u përqëndruar në auditimin e mirëfilltë financiar dhe në auditimin e performancës, pa harruar investimin në teknologji dhe në dijet për realizimin e auditimeve të teknologjisë së informacionit.

Auditimet tona për vitin 2014 janë përzgjedhur mbi bazën e analizës së riskut dhe kanë synuar rritjen e thellësisë së gjetjeve të auditimit dhe dobishmërisë së rekomandimeve, duke e parë institucionin e audituar në funksionimin  e  tij  në  sistem.  KLSH  ka  vënë  theksin në plotësimin  e  rekomandimeve  të  auditimeve  të  mëparshme,  duke  kërkuar  rritjen  e  nivelit  të përgjegjshmërisë dhe transparencës së menaxhimit të institucioneve të audituara.

Në  dhjetor 2014, në një kohë që përkon afërsisht me  miratimin e Rezolutës së Dytë të Kombeve të Bashkuara, kushtuar forcimit dhe mbështetjes së institucioneve supreme të auditimit dhe organizatës së tyre INTOSAI, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri organik të KLSH,  tërësisht  në  përputhje  me  standardet  e  INTOSAI-t,  duke  zbatuar  rekomandimet  e Progres  Raporteve  të  Bashkimit  Evropian dhe duke i siguruar institucionit bazën për një modernizim të plotë të aktivitetit të tij auditues.

Gjatë vitit 2014, KLSH ka rritur dhe konsoliduar më tej hapat e ndërmarrë në vitet 2012 dhe 2013 për një transparencë të plotë me publikun dhe qytetarët, nëpërmjet njoftimeve për shtyp, botimeve të tij, editorialeve të shkruara nga audituesit në shtypin shqiptar dhe realizimit të Konferencës së Tretë Shkencore për Auditimin Publik.

Institucioni ka konsoliduar bashkëpunimin me partnerët  ndërkombëtarë si DG-Budget, SIGMA dhe institucionet simotra evropiane, por edhe me profesoratin shqiptar, me organizatat profesionale të vendit dhe me shoqërinë civile, drejt  një  qasjeje  të  re gjithëpërfshirëse, ku këta partnerë, krahas aktiviteteve të përbashkëta, japin kontribut edhe në procesin e vetëvlerësimit të institucionit  dhe  në rritjen e integritetit të  tij. KLSH ka përqafuar qasjen INTOSAINT të organizatës INTOSAI, të vetëvlërësimit të integritetit, duke synuar rritjen e integritetit jo vetëm  brënda  tij, por edhe kufizimin dhe parandalimin e korrupsionit në institucionet që ai auditon, nëpërmjet vetëvlerësimit të integritetit.

Viti 2014 shënoi edhe konsolidimin e investimit në kapacitetet audituese, duke qenë viti i tretë rradhazi i arritjeve të treguesve perëndimorë në ditët e trajnimeve në vit për auditues, nisur nga një bazë e papërfillshme e trashëguar nga vitet e mëparshme.

Të gjitha këto arritje dhe tregues janë vetëm fillimi i qasjes së re, për një auditim sa më cilësor, në shërbim të qytetarit, të orientuar drejt shëndoshjes së plotë të financave  publike dhe  rritjes  së  përgjegjshmërisë  dhe  transparencës  në  përdorimin  e  fondeve  publike.  Është siguruar një bazë e mirë për reformim të mëtejshëm, e konsoliduar gjatë vitit 2014, por për plotësimin e sfidave të mësipërme, KLSH ka nevojë për një bashkëpunim sa më efektiv me Kuvendin, me institucionet e tjera të pavarura që luftojnë  për  mirëqeverisjen  publike dhe kundër korrupsionit, me Qeverinë, shoqërinë civile dhe qytetarin.

Raporti Vjetor i Performancës Viti 2014