Raport Përfundimtar i Auditimit me temë “Efektiviteti i Shërbimit të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”

Njoftim për shtyp  

Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Efektiviteti i Shërbimit të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale” në subjektet Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Rrogozhinë, IEVP Vlorë dhe IEVP Peqin.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit ka dalë në mesazhin e auditimit:

Rritja e pozicioneve vakante në sistemin e burgjeve dhe rrjedhimisht rritja e ngarkesës së punës për punonjësit aktual ul eficiencën e shërbimit të këtij sistemi. Diferencimi në statusin e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe atij të Policisë së Burgjeve e ka bërë më pak të preferuar këtë të fundit. Kjo ka ndodhur si pasojë e kushteve të vështira në arsimim dhe kualifikim, shpërblim dhe logjistikë për Policinë e Burgjeve. Ndërsa, përdorimi i komandimit në detyrë në mënyrë të vazhdueshme nuk motivon drejtuesit e IEVP-ve, duke ndikuar edhe në eficiencën e punës. Akti i fundit që rregullon shpërblimin e të dënuarve daton që në vitin 1993, shumë kohë përpara miratimit të vetë ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve. Kjo ka bërë që puna në IEVP të konsiderohet si një mjet për të përfituar uljen e ditëve nga dënimi dhe jo një mjet për të siguruar të ardhura. Heqja e lirisë është një dënim në vetvete dhe si rezultat, regjimi për të burgosurit nuk mund të përkeqësoj vuajtjen e burgimit me infrastruktura të amortizuara dhe ushqyerje jo të shëndetshme. Pavarësisht përpjekjeve të IEVP-ve për të realizuar trajnime në përmbushje të misionit të riintegrimit të të dënuarve, shifrat e larta të recidivistëve shfaqin mungesë efektiviteti për formën e hartimit, zhvillimit dhe ndjekjes së trajnimeve edukuese”.

Për të gjitha gjetjet dhe konkluzionet janë dhënë rekomandime të veçanta me qëllim përmirësimin e situatës në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Rekomandimet janë fokusuar në përmirësime organizative, por edhe në drejtim të hartimit/përmirësimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe rregullator.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar një masë propozim për ndryshim apo përmirësim në legjislacionin në fuqi dhe 15 masa organizative, me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 20, datë 16.02.2021.

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti Përfundimtar i Auditimit