Raport Përfundimtar i Auditimit në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës

Njoftim për shtyp

Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 811/1 prot, datë 01.09.2020, të ndryshuar, auditoi veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës, për periudhën 01.01.2019 -31.08.2020.

Lidhur me saktësinë, vërtetësinë dhe besueshmërinë e hartimit të pasqyrave financiare të konsoliduara më 31.12.2019 të DRAP Durrës, Kontrolli i Lartë i Shtetit refuzoi të jepte opinion. Nga auditimi i ushtruar nuk u siguruan evidenca të nevojshme dhe të mjaftueshme për dhënien e opinionit të auditimit mbi këto pasqyra financiare pasi, për vitin 2019 DRAP Durrës nuk ka hartuar pasqyra financiare të konsoliduara për 12 Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) në varësi të saj.

Sa i takon përputhshmërisë së veprimtarisë së DRAP Durrës me aktet ligjore dhe nën ligjore në fuqi, Kontrolli i Lartë i Shtetit dha opinion të kundërt. Nga auditimi i ushtruar ndër të tjera rezultoi se, 98% e stafit të DRAP dhe 12 ZVAP-ve nën juridiksionin e saj ishin të komanduar, (pra, pa procedura konkurimi) çka nuk siguron kompetencën e stafit për pozicionet në të cilat janë komanduar. Në procedurat për përzgjedhjen dhe shpalljen fitues të drejtuesve të shkollave parauniversitare u konstatuan problematika të shumta, të cilat kanë cenuar vlefshmërinë e të gjithë procesit, të shkaktuar si rezultat i mos analizimit nga DPAP dhe DRAP të zbatueshmërisë së kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për drejtor, trajtimit me dy standarde të kandidatëve për drejtor shkolle, planifikimit të dobët të zhvillimit të procedurave, kuadrit ligjor dhe rregullator të pa harmonizuar, etj. Gjithashtu, u konstatuan problematika në hartimin dhe realizimin e buxhetit, si dhe në ngritjen e sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm në DRAP Durrës dhe ZVAP-e.

Në zbatim të Vendimit të Kryetarit, duke e konsideruar shkollimin parauniversitar me një rol kyç në drejtim të zhvillimi të personalitetit, talentit dhe aftësisë mendore e fizike të nxënësve, në përfundim të auditimit janë dhënë: 4 masa për ndryshime dhe përmirësime ligjore, 46 masa organizative, 5 masa për shpenzimet pa efektivitet dhe eficience, 1 masë për shpërblim dëmi, 8 masa disiplinore dhe 13 masa administrative.

Për më hollësisht, mbi sa më lartë trajtuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti Përfundimtar i Auditimit